Sigal

Vangjel Kasapi

Vijon nga numri i kaluar

Nga thëniet e brezit të tij, Sokrat Plaka mbahej si diplomati më i bukur në OKB. Fytyra e tij plot sharm ishte nga ato, që jeta i ka modeluar, në atë mënyrë kaq harmonike sa në “rininë” e tyre nuk kuptohej si duhet. Sidoqoftë rrallë mund të takojë një njeri të pajisur me një nur të krahasuar me të tijën. Ai të imponohej si valë magnetizimi, që vinin nga personi i tij. Kështu që atij diplomati me kompetencë për në Misionin e OKB, ku trajtoheshin dhe interpretoheshin mori probleme, ngjarje, debate, pikëpamje etj, mjaft homologëve iu duhej të dorëzoheshin. Ndaj dhe shihej bashkëpunëtorë me shumë afeksion. Pritje-përcjelljet dhe komunikimet e tij i përshkonte përzemërsia, një etikë evropiane dhe diku entuziaste. I kujdesshëm e i përpiktë në çdo fjalë, mendim, formulime shkresore dhe bashkëbisedime i rezervuar, por qenia njerëzore vërehej lehtë. Vinte një produkt tipik i kohës së tij. 5-6 vjetët në OKB e transformuan nga thellësia e gjykimit, peshimi i situatave dhe shprehja në gjirin e Misionit, në mbledhjet dhe takimet në OKB, si dhe në raporte me MPJ. Një provë-kalitje mund të merrej edhe v. 1969 kur mbante mbi shpatulla gjithçka rridhnin nga funksioni i të Ngarkuarit me Punë a.i. Shumësia e çështjeve, që rrokte OKB-ja e tejngarkuan, po edhe e gëzonin, e nderuan dhe e afirmuan ndërkombëtarisht dhe një nga drejtimet me rëndësi ndërkombëtare në politikën e RPSH, vijoi të qëndronte me përparësi “Ripranimi i RP të Kinës në OKB”. Për atë po stërflitej me tone dhe topa, por çështja mbetej e bllokuar nga fuqi të mëdha. Prandaj konsekuente dhe e vendosur, RPSH iu rikthye edhe në sesionin 25 të AP të OKB. Kësisoj Sekretari I, i Ngarkuar me Punë a.i., paraprakisht u doli përpara çdo detyre të pritshme:

“Ministrisë së Jashtme. Nr. 656, dt. 18.8.69.

Sot në misionin e Kamboxhit u bë mbledhja e bashkautorëve të kërkesës për vënien në rendin e ditës të sesionit 25 të Asamblesë të çështjes së rivendosjes të RPK në OKB. Si zakonisht u vendos që Kamboxhia me Algjerinë të përgatisin projekt-memorien shpjeguese dhe në mbledhjen e ardhshme, do të shikohet. U vendos gjithashtu që në këtë mbledhje, përveç bashkautorëve të ftohen edhe delegacionet e Burundit, Somalisë, Nepalit. Lutemi na udhëzoni. Sokrati.”. Krahasuar me më poshtë Sokrati tepër i merakosur qysh 3 ditë më përpara, sinjalizoi Dikasterin, prej nga zv. Ministri Budo, më 21, i rikonfirmoi qëndrimin konstant të RPSH. Që këndej mori udhëzim telegrafik: “Misionit Nju Jork. Qëndrimi ynë për çështjet kineze mbetet i pandryshuar. Palës kineze i kërkuam të na përgatisin material si çdo vit. Këto ditë mund të na i dorëzojnë. Halimi. Misioni përshpejtoi mekanizmin e kontaktit me disa përfaqësi të shteteve të tjerë, u përputhën në një qëndrim në hartimin e Memories dhe paraqitjen e saj. I qetë e i sigurt, Titullari raportoi me precedencë dhe qartësisht:” Ministrisë së Jashtme. Nr. 672, dt. 8.9.69. Sot u dërgua në Sekretariat kërkesa e 14 bashkautorëve për vënien në rendin e ditës të Sesionit të çështjes të së drejtës të Kinës në OKB. Sokrati. Ajo konsistonte: Qeveritë e Shqipërisë Algjerisë, Kamboxhias, Kongo, (Brazavil), Kuba, Guinea, Mali, Mauratania, Romania, Jemeni, Siria, Tanzania, Zambia konsiderojnë se çështja e rivendosjes të së drejtës të ligjshme të RPK në OKB është më tepër se kurrë jetike e urgjente për të ardhmen e OKB. Ato janë thellësisht të bindur të çështjes dhe nuk kanë pushuar së mbrojturi dhe përkrahur.”48 Këtë memorie, në emër të qeverisë të RPSH e kishte “Sigluar” – firma e S. Plakës. Çuditërisht, si një përjashtim, por e pranueshme në praktikën e OKB, Memoria u formulua në gjuhën frëngjishte sipas kërkesës së 13 vendeve, me synim që atë ta paraqiste dhe ta mbronte i nderuari diplomat nga Shqipëria, më i përkryeri i frankofolës në OKB, Sokrat Plaka.

11 vjet në Dikaster, posaçërisht në OKB, Diplomati përmasor i heshtur, e i vetëpërmbajtur gjykoi se nuk ishte Ai që duhej të shpalosej i pari e as i dyti. Ndaj nuk foli e as komentoi ç’mendonte për më tej për ripranimin e Kinës në OKB. Ai mjaftohej me opinione, me pritje udhëzimesh dhe veprime të kalkuluara nga Tirana zyrtare. Vetëm pas v. 1971, kur Ai u transferua nga Misioni ynë në Ministri, si Drejtor i Drejtorisë III, atij iu hapën dyert për të shpërthyer akumulimet ideore, vizionare e taktike për problemin madhor të Kinës -të drejtave të saj të parevokueshme si anëtarë historike e OKB-s. Pikërisht e ndërkohë, që diplomati ynë, në brendi të plotë të çështjes kineze, u gjend përsëri në Dikaster. Kishin rrjedhur vite dhe ngjarje të rëndësishme, kur politika botërore e kishte afruar të drejtën e Kinës për në OKB. Jo atë vit historik 1971, por përmbi 30 vjet, Sokrati i shekullit XXI, zbulon koniunkturën më të përshtatshme politike-diplomatike, duke botuar me sensacion ato zhvillime të viteve ‘70. “Kur Shqipëria ndihmoi Kinën e Madhe për t’u rivendosur në të drejtat e saj të ligjshme në OKB”. Ai formulon në mënyrë të përmbledhur disa konkluzione vetiake të lidhura me epokën kur jetoi, punoi e shërbeu me maksimumet e kapaciteteve largpamëse:

“Kur Shqipëria ndihmoi Kinën e madhe për t’u rivendosur në të drejtat e saj të ligjshme në OKB, Revolucioni i madh kinez rrëzoi regjimin cankaishist dhe vendosi Rep. Pop, të Kinës. Me grindjen midis BS e Kinës, iniciativën për rivendosjen e të drejtave legjitime të RPK e mori Shqipëria dhe disa vende të tjera. Prandaj çdo vit, 16 vende, me iniciativën e Shqipërisë, para sesionit bëhej kërkesa për rivendosjen e të drejtave të Kinës në OKB. Çështja e Kinës ishte problem kryesor i OKB për Kinën dhe për vetë efikasitetin e Organizatës Botërore. Një tjetër aspekt i çështjes së Kinës ishte teoria e “dy Kinave”. Ku shtete serioze, përfshirë fuqitë e mëdha, kanë përkrahur idenë se nuk ka vetëm një Kinë. Misioni ynë pranë OKB ka përkrahur kurdoherë se ka vetëm një Kinë dhe kjo është Rep. P. Kinës. Tajvani është pjesë e pandarë e RPK. Por çështja ka vazhduar 21 vite rresht pa ndonjë rezultat konkret. Shumica dërrmuese e AP luftonte që Kina të zinte vendin sa më parë në OKB. Opinioni ndërkombëtar kërkonte që Kina të vinte në OKB. Tërë situata shkonte në favor të rivendosjes së të drejtave të RPK në OKB. Edhe SHBA e kuptonte këtë situatë. Ndaj në korrik 1971 amerikanët dërguan Henri Kessingerin në Pakistan e në Kinë. Kurse unë shkova në Nju-Jork po në korrik 1971, ku u bë një mbledhje. Mendimi i përgjithshëm aty ishte se situata ishte duke kaluar në favor të shtetit Kinez. U ktheva në Tiranë, ku bëmë mbledhjen e ngushtë të Kolegjiumit, pas së cilës përgatita taktikën e fitores për në sesionin e shtatorit. Këtë taktikë e miratuan Ministri dhe Udhëheqja e Lartë e Shqipërisë.”

Henry Kessinger (lindur në gjermani dhe emigruar në SHBA-1938) diplomat tepër i shquar, në funksione të larta deri Sekretar Shteti e asistent i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare. Dekoruar me çmimin Nobël për Paqe etj. Autor i disa veprave për diplomaci dhe politikën e jashtme të SHBA. Më 1971 në SHBA pati një valë kërkesash për hapje me Kinën. Largpamësia e tij në vlerësimin e Kinës, parashtrohej: “Çfarëdo presionesh publike, që konsistojnë për një hapje të tillë, rrjedhim jo nga gjeopolitika, por nga një ide e përgjithshme që “Marrëdhëniet e mira, janë shpërblim për veten e tyre dhe që Luftës së Ftohtë mund t’i jepet fund më mirë duke kapërcyer armiqësinë. Ja vizioni dhe qëllimet gjeopolitike, që Kessingeri shtroi me pyetje dhe u përgjigj po vetë “Drejt një diplomacie për shekullin e njëzet e një”. Rreth këtij Misioni Henry udhëtoi për në Kinë dhe u kthye në Nju Jork, që OKB-ja këtë sesion të AP t’i hapte portat e “Kështjellës” për ripranimin e Kinës. Brenda përmasave të vendit si Shqipëria, edhe Shteti Shqiptar projektonte një të ardhme të përmirësuar drejt një diplomacie për shekullin XXI. Sepse kishte nevojë për një politike të jashtme hapje, marrëdhëniesh dhe bashkëpunimi. Autorizimi që Hoxha i bëri diplomatit të talentuar e të plotbesueshëm S. Plaka me mision të ndërkohshëm në Nju Jork, pavarësisht nga ndikimet e përmasave të Shqipërisë, përbënte një akt dhe provë në sintom me diplomacinë në eventet e reja në planin ndërkombëtar.

Nga zhvillimet e mësipërme në përplasjet politiko-strategjike në marrëdhëniet ndërkombëtare, lejohemi në disa deduksione të përcaktuara në adresë të vlerave dhe kontributeve të një diplomati të klasit botëror. Për sesionin vendimtar të OKB të ripranimit, më në fund, të Kubës në OKB, Udhëheqja e Shtetit Shqiptar, personalisht Njëshi i saj, përkrahu ministrin e Jashtëm Malile, zgjodhi dhe vuri në lëvizje diplomatin me kompetencë në shqyrtimet e OKB-s dhe, posaçërisht, me njohësin e dinamikës së zvarritjes dhe sabotimit të çështjes kineze. Ndërsa SHBA ngarkuan dhe nisën Kryediplomatin e famshëm Kessinger për në Kinë, atëherë kush mund të caktohej nga RPSH një diplomat si Kessingeri për Shqipërinë për të balancuar vlerësimet dhe pozicionet gjeopolitike dhe ndërshtetërore? Sokrat Plaka rezultonte i atij klasi. Një fitore të sigurt dhe me çdo kusht në këtë Sesion për Kinën, secilës iu përkushtua afro 2 dekada diplomacia, ideologjia, politika dhe marrëdhëniet e gjithanshme të një Shqipërie të vogël në Evropë dhe një Kinë të stërmadhe në Azi, i duhej vënë përballë fuqive të mëdha kundërshtuese, një diplomat i njohur, bindës, argumentues, i dëgjueshëm dhe i respektueshëm nga shumica e misionarëve në OKB. Se si rrodhën ngjarjet dhe si përfundoi ripranimi i RP Kinës në OKB, le të ndjekim pasqyrimet e opinionit diplomatik, të shteteve dhe organeve të shtypit të v. 1971.

Gazeta prestigjioze “The Uashington Post” botonte me radhë dhe tituj të mëdhenj:

“Nju Jork, 26 tetor 1971. Salla shpërtheu në brohoritje dhe duartrokitje pasi shumica e delegatëve të Asamblesë prej 131 shtetesh ishin ngazëllyes. Pjesa më e madhe e tyre mbështetën rezolutën shqiptare për përjashtimin e Tajvanit nga Asambleja dhe futjen e Kinës. Malile, ministër i Jashtëm i RPSH, brofi në këmbë përpara Bushit. Kina në Organizatë. Reagimet emocionale të zv. Ministrit të Jashtëm pas votimit të rezolutës shqiptare. Zv. Ministri i Jashtëm shqiptar Sokrat Plaka, që mori menjëherë fjalën tha në frëngjisht: “Ky vendim ishte një humbje e rëndë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Pas votimit të rezolutës shqiptare, Ambasadori Amerikan flaku i nervozuar kufjen. Lajmi i futjes së Pekinit në OKB dhe i përjashtimit të Taipeit, solli reagime të ndryshme nga analistët e çështjeve të jashtme. Ata e shohin një lëvizje të tillë si faktor që do të ndryshojë politikën botërore të viteve në vazhdim”.

“Tokio, 28 tetor 1971.

Kryeministri kinez flet tre ditë pas pranimit të Kinës në OKB: “Sinqerisht ne nuk prisnim që rezoluta të miratohej nga më shumë (131 shtete – VK) se dy të tretat e shumicës, por vetëm nga një shumicë e thjeshtë. REZULTATI I REZOLUTËS SHQIPTARE ISHTE SURPRIZË”. “Nga vendet anëtare të NATO-s, 15 shtete, përfshi Britaninë e Madhe, Francën dhe Kanadanë votuan “Pro” rezolutës shqiptare ose abstenuan. Pranimi i Kinës në OKB, shqetësoi NATO-n. Ish gjenerali i NATO-s, Eaker, e quan poshtërim për Amerikën fitoren e thellë të rezolutës shqiptare”.

Me mbylljen e problemit kryesor të vitit, në harkun kohor 16.9-21. 12.1971 AP e OKB-s, përgatiti, shqyrtoi e mori vendime për një varg çështjesh, që kishin lidhje me të gjithë kontinentet. Delegacioni ynë do t’u dilte mbanë bumit në kohë e në problematikë. Fitorja e thellë me ripranimin e Kinës në OKB, shkaktoi një entuziazëm dhe përjetim që u kthye në tendosje atdhetarie, morale, profesionale dhe solidariteti në kolektivin kompakt e të harmonizuar nga një Diplomat si Plaka e liderit të provuar dhe rezultativ. Studimi i diferencuar i tematikës së atij volumi na nxori ku deshëm për një sintetizim: “Ju lumtë” burrave diplomat seriozë, të pakursyeshëm, solidar e nderues ndaj Shqipërisë! Gjithkujt ja kish enda të recitonin “Bilbilin” Naim Frashëri në veprën “Bagëti e Bujqësi”.

“Ti, Shqipëri, më ep nderë, më ep emërin Shqiptar,

Zemërënë ti ma gatove plot dëshirë dhe me zjarr”

Jo vetëm Drejtoria III si ndërlidhëse me ON, por edhe funksionari i saj, si një diplomat i mirënjohur, konsiderohej një person zyrtar i rëndësishëm. Me të cilin çdo ambasadë, institucion dhe dikaster ndërkombëtar mund të bashkëbisedonte çështje shtetërore dhe të dilnin në zgjidhje, marrëveshje ose mendime për t’u shqyrtuar e vendosur më vonë e në rangjet e duhura. Punonjësit e saj, sipas ndarjes së organizatave ndërkombëtare ndërmjet tyre, të bëra nga vet Shef Sokrati, u rrinin në kokë problemeve dhe me të gjitha mjetet e komunikimit, arrinin të gjenin variante zgjidhje për çdo temë që vërshonte pothuaj përditë nga ato dhjetëra ON. Diplomat në zyrë e diplomat në operativitet nëpër ambasada, legata, konsullata, përfaqësi të huaja dhe trokitje në dikasteret apo institucionet tona. Kjo frymëmarrje dhe gërshetim i punës, me ardhjen e Sokratit, u thellua më tej dhe u shndërrua në një normë e çdo diplomati të mirë, që donte rezultate. Ashtu si me ambasadat e huaja këtu në Tiranë, ata kontaktonin gati çdo ditë edhe me legatat tona në shtete të ndryshme, duke i kërkuar, propozuar ose dhënë miratime për veprimtaritë që dilnin ose shpalleshin botërisht. Në tenderët renditej edhe RPSH, e cila për gjithçka vihej në dijeni nga ato organizata, pavarësisht nga qëndrimi ynë pro ose mospranues. Formalitetet quheshin të detyrueshme për t’u kryer. Sa mirë e kishte përvetësuar këtë taktikë diplomati i stërholluar Plaka. Në këto vështrime, ambasador ose punonjësit e tyre mirëpriteshin në Drejtorinë e III drejtpërdrejt nga Shefi. Pas rastit me Kubanezin, bëhet takim dhe jepet informacion nga Zv. Drejtori K. Hysenaj. “Mbi takimin e sh. Sokrat Plaka me të Ngarkuarin e R.D. Gjerman Rudolf Fritshe” (13.08.1971). Problemi paraqitej i rëndësisë së veçantë dhe i përkiste një nga titullarëve të MPJ. Mirëpo S. Plaka, duke ardhur nga Misioni ynë pranë OKB, gëzonte një njohje të gjithanshme të problemit Gjerman në tërësi dhe kishte fituar aftësinë e interpretimeve të çështjeve madhore. Ndaj edhe i besohej një takim që dilte mbi caqet si Drejtor.

Ja përse Ai pinjoll i Plakave nga Fieri e mbante kokën lart dhe krenohej për ndershmërinë dhe besnikërinë. Për të “Virtyti i parë është devocioni kundrejt Atdheut”

“Nga analizat e dokumentuara dhe nga bashkëkohësit, Ai diplomat, që mbushte të 40-at me 13-14 vjet karrierë, na konfirmojnë se nuk cenoi asnjë fije parimet, se ecte në telin e një akrobati, se nuk i la rast kurrkujt eprori e dikastereve partiako-shtetëror. E, ai Sokrat, që sa vinte lartësohej, fitonte shprehi e praktika të panjohura, duke mos e toleruar veten për qortime apo kritika. Çdo e folur, hap i hedhur, nismë apo ngurim, qenë sinkronizuar me valët e paprekshme të “Mollës së ndaluar”. Pavarësisht se kishte të bënte, dha e mori me dhjetëra titullarë, administratorë dhe specialistë të regjur të organizatave ndërkombëtare Ai nuk ra në “dërrasë të kalbur” me ata, që i vërtisnin punët, politikat, jetët dhe fatet e kombeve nëpër duar. “Sokrati dinte të trajtonte problemet. Në biseda politike ndërkombëtare e ato të marrëdhënieve dypalëshe, ai ishte gjithnjë superiore ndaj bashkëbiseduesit Lindor apo Perëndimor. Pa u nxehur fare, ai i vinte përpara me fakte e argumente të pakontestueshme, i vinte tamam “me shpatulla për muri”.. Edhe pse bashkëbiseduesit nuk i vinte mirë, ai ndahej me mendimin se kishte të bënte me një diplomat me arsye të fortë, që diskutonte qetësisht dhe shkëmbente mendime që qëndronin” (J. Papajorgji).

Një Drejtor funksionar i mirëfilltë, një diplomat kalibri si S. Plaka, nuk mund të lihej me aq detyra, nuk mund të mos përdorej apo të “shfrytëzohej” edhe në veprimtari me peshë të MPJ. Që jo vetëm nga kapacitetet e larta personale, por edhe për fatmirësinë e politikës së jashtme të shtetit dhe të diplomacisë së Dikasterit, e njihte përsëmbari botën dhe OKB me institucionet e saj ndërkombëtare. Nga Misioni në Drejtorinë III të ON, ai po e zgjeronte rrethin e të njohurve, të personaliteteve dhe të problematikës ndërshtetërore. Sistemi i tij nervor mbushej me njohuri të njëpasnjëshme mbi zhvillimet në botë. Prandaj, në ato vite, shefi i të 3-s Drejtori, edhe pas Sesionit 25 të OKB, ku dha kontribute tepër të çmuara për ripranimin e R P Kinës në OKB, u përfshi edhe në 2 sesionet pasardhëse, siç qenë ai 27 e 28 të AP.

Delegacioni i RPSH, i kaluar për miratimin në Këshillin e Ministrave, u përbë nga diplomat më të zgjedhur. Fillonte me ministrin e Jashtëm Nesti Nase (Kryetar), Zv. Ministrin Reis Malile, i shquari Javer Malo, Profesori Sofokli Lazri, Drejtori i Organizatave Ndërkombëtare, S. Plaka dhe mbyllej me Anastas Shuke (Kryetar i Byros Juridike të MPJ) e Sulejman Myftiu (Këshilltar i Misionit tonë në OKB). Ndër këta teoricienë dhe specialistë me emër të diplomacisë shqiptare, më shumë të përfaqësuar në delegacione për në OKB, shquheshin R. Malile e S. Plaka. Për të përligjur përfaqësimin sa më dinjitoz të ekipit të RPSH edhe për sesionin e radhës, Drejtoria III, nën përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Sokratit, u ngarkua dhe hartoi me nivel të miratueshëm nga Kupola, planin e veprimeve për përgatitjen e materialeve të sesionit 28 të AP (prill-shtator 1973) të miratuar nga Reis Malile d.v. Drejtori (S. Plaka).

Shkurtimisht ç’vend zuri dhe roli interpretoi një nga anëtarët e delegacionit si S. Plaka? Me çfarë u ngarkua dhe për cilën çështje foli (diskutoi) edhe Ai? 1. Iu dha përgjegjësia e grupit të punës për përgatitjen e fjalimit që Ministri i Jashtëm Nase do të mbante në debatin e përgjithshëm; 2. Përgatitja e materialit mbi problemin e Koresë; 3. Përpilimin e Deklaratës së Qeverisë së RPSH mbi ndalimin me urgjencë të provave të armëve bërthamore dhe deklaratën mbi pranimin e shteteve të rinj në OKB. D m th Sokrati i palodhur dhe me lartësi aftësore-politike, mori përsipër 3 materiale individuale dhe si përgjegjësi i pjesës për materialin kryesor të Ministrit. Për gjithçka u përgatitë me seriozitet dhe u përfaqësuan me nder në OKB, delegacioni u vlerësua nga Udhëheqja Supreme. Atëherë edhe Sokrati ndjeu kënaqësinë e një patrioti shqiptar, e një kuadri e diplomati të ndërgjegjshëm. Se edhe ai e valëviti bashkë me shokët Flamurin e Shqipërisë!

Shprehet në formë postulati se “Është pothuaj e pamundur për një njeri të jetë diplomat i pranueshëm pa qenë historian”. Po për një historian, ç’mund të pohojmë që të shkruaj për diplomatët?…