Dëshmorët e Smokthinës, rënë në dhjetor ‘43

1278
Sigal

Prof.Asoc.Dr. Bernard Zotaj

(Me rastin e 75-vjetorit të rënies)

Në rrugën e Zigur Lelos

Nga Lelajt babë e bir, Arif dhe Avdul, kanë mbetur të nderuar siç mbeti dhe Zigur Lelo. Avdul Lelaj lindi në vitin e Luftës së Vlorës, më 1920 dhe krismat e dyfeqeve i jehuan në vesh, derisa në vitin 1942, edhe në fshatin Shalës-Mesaplik të Vlorës, i rritur tashmë nisi veprimtarinë e gjerë antifashiste. Avduli 22 vjeçar u rreshtua në njësitin gueril të fshatit dhe mori pjesë në aksione luftarake. Me krijimin e çetës vullnetare territoriale të fshatit, u bë luftëtar aktiv, duke u gjendur në të gjitha luftimet, si në Gjorm, në Drashovicë e deri Beun e Karter të Velçës. Familja e heroit Zigur Lelo po vazhdonte traditën luftarake dhe atdhetare. Kishte filluar Operacioni i Dimrit 1943-1944 dhe në Beun e Karter të Velçës, luftëtarët e Br. I S dhe batalionet territorial të Shullërit po përballeshin me pushtuesin nazist dhe bashkëpunëtorët e tyre. Luftimet, sulmet dhe kundërsulmet vazhduan për ditë të tëra. Avduli ra, por shokët nuk arritën ta tërheqin trupin e tij. Nënë Nurhana, nëpër shi e nën gjyle, çau midis armiqve mbërriti aty ku kishte rënë i biri, në pozicione. Në shkallën e Karterit, nëna e kërkoi dhe e gjeti djalin e vrarë. Sfidoi armikun dhe suferinën. E mori mbi supe dhe nisi rrugën për në Mesaplik. Gjermani me gjyle godiste, qielli me shi e me erë, nëna ecte me djalin e vrarë ngarkuar. Rënia heroike e Avdulit dhe akti burrëror i nënës së tij, bënë jehonë në krahinën e Mesaplikut dhe në të gjithë Qarkun e Vlorës. Atdhedashuria dhe trimëria e kësaj familjeje, frymëzoi mjaft të rinj dhe të reja për të marrë rrugën e malit për liri dhe populli u këndoi trimërisë dhe patriotizmit të Lelajve.

Trimi nga Matogjini

Feti Sinan Sefedini ka lindur në Matogjin në vitin 1920 në një familje, e cila e përballonte jetesën me shumë vështirësi. Fetiu që i vogël provoi urinë, fukarallëkun, shfrytëzimin, por dhe grindjet dhe intrigat, ndaj familja detyrohet të largohet dhe të sistemohej në Kaninë. Si në Matogjin edhe në Kaninë Fetiu u rrit me ndjenjën e urrejtjes ndaj shfrytëzimit dhe pushtimi fashist e rëndoi edhe më tepër gjendjen. Feti Sinani përqafon idetë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, aktivizohet në terren, dhe merr pjesë në aksionet që kryente njësiti gueril i zonës. Ai u dallua për kujdesin dhe dashurinë për luftëtarët partizanë e njëkohësisht dhe për aftësitë drejtuese e komanduese. Ai caktohet komandant kompanie, të cilën e udhëhoqi me shembullin e tij, duke shfaqur trimëri e guxim dhe frymëzuar partizanët. Në drejtim të kompanisë luftoi Fetiu, si komandant deri në dhjetor 1943, kur në përleshje me gjermanët, me thirrjen luftarake “Para partizane”, bie dëshmor. Kompania partizane e varrosi me dhimbje komandantin e saj.

Në rrugën e gjyshit

Izet Yzeir Çaushaj lindi në Ramicë të Smokthinës në një familje me tradita patriotike. Çaush Tafili ishte komandant i çetës së Ramicës në Luftën e Vlorës 1920, ku kënga popullore e përcakton zemër zjarr dhe zë bilbili. Epopeja e gjysh Çaushit kishte zënë vend tek i nipi. Izeti pa hezitim u lidh me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai u rreshtua në batalionin territorial të Shullërit. Pushka e tij u dëgjua në Gjorm në fund të vitit 1942, në Drashovicë dhe deri në luftimet e zhvilluara kundër gjermanëve në Dimrin e vitit 1943-1944 në Mesaplik.

Në ditët e ashpra të dimrit, Izeti, ishte i rreshtuar në çetën territoriale të Ramicës, që vepronte në prapavijë të armikut. U ngarkua me detyrë të futej në zonën e pushtuar në Mesaplik për të mbledhur të dhëna mbi gjendjen dhe qëllimet e armikut. Ky zbulues partizan rrethohet nga pushtuesi gjermane në Krahëbardhë dhe në përpjekje mbeti i vrarë. Populli i këndoi:

“O Izet zemër me çika

Dhe pse s’pate njeri pranë,

Nuk e dije ç’ishte frika

Një i vetëm me gjermanë”.

“Qamil asllani”

Qamil Karafil Jahaj lindi në Mesaplik në vitin 1892. U rrit mes këngëve të trimave, dhe u bë trim në jetë, ndaj dhe populli e mbiquajti “Qamil asllani”. Familja e tij u lidh menjëherë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ndaj dhe Qamili dyfekun s’e ka ndarë nga dora, dhe e kishte gati për lirinë e atdheut. Ai ishte trim, fjalë pak e punë shumë dhe u dallua në Luftën e Gjormit, Drashovicës, Selenicës e kudo gjetkë, ku luftoi çeta. Shtëpia e tij ishte shkatërruar në luftës italo-greke, në Dederonjë te shtegu i partizanëve. Partizanët e kishin atë strehë të sigurtë, ku e gjenin në çdo kohë derën të hapur. Ishte gjysëm shekullorë kur okupatori italian doli në Gjorm dhe mori mësim nga pushka partizane. Në dhjetor 1943, forca të shumta gjermane iu ngjitën të përpjetës së Karterit të Velçës. U dha sinjali tri pushkë e një bombë. Sinjal për gjithë batalionin territorial të Shullërit. Qamili rrembeu dyfekun e gjatë austriak. I tha Havakos, së shoqes: “Ja Çipini, futu në mal, po erdhën armiqtë, tek partizanët me gjithë fëmijë!”. Natën e 4 dhjetorit të vitit 1943, partizanët e territoriales zunë brigjet dhe buzët e Karterit të Velçës. Të ftohtët e dimrit nuk e ndjenin se i ngrohte ishte zjarri i urrejtjes për armikun. Poshtë lumit Trubull uturonin motorët e autoblindave dhe motoçikletave gjermane, duke ndriçuar natën me shirita prozhektorësh. Një kompani gjermane ju del përpara Qamilit dhe skuadrës së tij. Lufta vazhdoi e ashpër për disa orë. Disa herë u thyen gjermanët brinjave të Karterit dhe riktheheshin me forca të reja e të shumta. Mjaft gjermanë u vranë. Një plumb e mori Qamilin në këmbë, u thërret shokëve “u vrava!”. Ngrihet në këmbë, ngre zërin më lart, duke folur, “merrni dyfekun dhe mos më lini në duar të armiqve”. Shokët vrapuan dhe e morën, panë se plumbat e kishin marrë në gjoks, si trimat në ballë të luftës bashkë me Avdulin.

Luftëtar në dy luftëra

Shaqe Hoxha lindi në vitin 1900 në fshatin Matogjin të Smokthinës në një familje të njohur për trimëri e atdhedashuri të flaktë. Në moshën dhjetë vjeçare, Shaqes i vdes i ati. Më i madhi i fëmijëve, iu desh të përballonte jetën, të merrte mbi supet e tij të njomë detyrime familjare. Fukarallëku dhe jeta e rëndë ekonomike e kohës, ishin ato dukuri që preknin jo vetëm Shaqen, por dhe familje të tjera të Smokthinës. Në Smokthinë dita e 7 prillit bëri të shpërthej urrejtja popullore. Burrat kërkonin armë për të shkuar në luftë kundër pushtuesve, midis tyre ishte dhe Shaqia. Me fillimin e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, Shaqia bëhet përkrahës i denjë e luftëtar i flaktë. Me pushkë në krah, bëhet pjesëtar i rregullt i çetës territoriale të Matogjinit. Më 28 nëntor 1943, batalioni territorial i “Shullërit”, së bashku me disa forca të Br. I S, u vunë në mbrojtje në drejtimin Beun-Smokthinë dhe Krater-Velçë, ku, në saj të heroizmit dhe trimërisë së luftëtarëve popullore, armiku për disa ditë rresht u gozhdua në vend. Në këto luftime u shfaq me forcë qëndresa, guximi, trimëria dhe urrejtja e pakufishme për bocat armike dhe tradhtarët e vendit. Armiku për të thyer rezistencën partizane, përdori forca të mëdha me njerëz e teknike, përfshirë dhe zjarrin e artilerisë. Në këtë luftë të përgjakshme përballë armikut, dha jetën Shaqia. E shoqja, Qafileja, qëndroi në ballë të grave smokthinjote, ku shtëpinë e kthye në bazë për strehimin e ushqimin e partizanëve.

Anëtar i këshillit nacionalçlirimtar

Tare Myslym Kokallaj lindi në fshatin Ramicë. I ati, Myslymi, ishte nga luftëtarët e parë të çetës së Ramicës në Luftën e Vlorës të vitit 1920. Taria që në moshë të re, punoi bujk për të nxjerrë bukën e gojës. Me organizimin e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, Taria në fund të vitit 1942, u radhit në forcat e batalionit vullnetar të Shullërit dhe mori pjesë në Luftën e Gjormit kundër forcave italiane e mercenare. Në shtator 1943, luftoi kundër garnizonit armik në Selenicë. Aty pa edhe kapitullmin e pushtuesit italian. Ai ishte pjesëtar në luftimet e Drashovicës kundër nazistëve gjermane. Në shtator 1943 u zgjodh anëtar i këshillit antifashist të fshatit Ramicë. Ushtria nazistë në ditët e para të dhjetorit 1943 ndërmori një operacion të ri kundër krahinës së çliruar të Mesaplikut. Përballë forcave pushtuese e tradhtarëve, u vunë bashkë me forcat e Br. V e I S, edhe forcat vullnetare të Smokthinës. Batalioni vullnetar i Shullërit, tashmë i provuar në luftime, në të cilin bënte pjesë dhe Taria, luftoi në Vajzë e në Beun. Më 6 dhjetor 1943, nazistet gjermanë organizuan një sulm të fuqishëm të mbështetur me artileri. Luftimet u zhvilluan të ashpra. Duke qenë në raporte të pabarabarta partizanët manovruan nga vija në vijë. U riorganizua tërheqja. Taria bënte pjesë në grupin e mbulimit. Në përleshje mori dy plumba duke ia falur jetën atdheut. Populli ngriti këngë:

Në Beun e në të dalë

Zjarr e vrer përmbi gjermanë

Taria një deli djalë

E mori plumbin në ballë

Tek vështronte për Elmazë.

Në brigjet e Beunit plak

Elmaz Adem Rrokaj lindi në fshatin Matogjin në një familje të varfër fshatare në vitin 1902. Rrethanat e prunë të shkonte në Ramicë me nënën e tij. Elmazi ishte një nga luftëtarët e 1920-s e bashkë me Zigur Lelon dhe luftuan si trima në Kotë. Në thirrjen e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Elmazi gjeti rrugën që bashkë me luftën kundër pushtuesit të shporrte dhe fukarallëkun, duke u rreshtuar në batalionin vullnetar të Shullërit. Në luftë me fashistët italianë Elmazi u thoshte luftëtarëve se do t’i shporrim si më 1920. Atij i erdhi radha të luftojë dhe me nazistët, i pa ata në Drashovicë dhe tani në brigjet e Beunit plak, aty ku e kishte filluar betejën më 1920. Në Beun mbi Vajzë, disa ditë lufte, me sulme e kundër sulme, me guximin dhe trimërinë që e karakterizonte, Elmazi më 6 dhjetor 1943, në përleshje të ashpra me pushtuesit, dha jetën në emër të fëmijëve që e prisnin të kthehej në shtëpi. Shokët e tërhoqën duke vënë në bregun që ra disa gurë në shenjë nderimi. Në Luftën e Beunit dhe të Karterit të Velçës, shkëlqejnë emrat e yjeve të kuq, dëshmorëve të Smokthinës.