Çlirim Hoxha: Mermeri i bardhë i Karaburunit ka ndërtuar qytetet e lashta të Shqipërisë si Orikun, Apolloninë dhe Durrahun

1257
Sigal

Karaburuni, gadishulli mistik i Shqipërisë dhe mburoja e pushtimeve dhe vendi i mbishkrimeve të lashta

Gadishulli i Karaburunit është gadishulli më i madh i jugut të Adriatikut lindor dhe një nga pikat më strategjike në rrafshin ushtarak, që ndan Kanalin e Otrantos midis Shqipërisë dhe Italisë. Gadishulli i Karaburunit ndodhet në jug-perëndim të Shqipërisë, në brigjet që lagen nga deti Adriatik dhe Jon. Prania e Karaburunit krijon Gjirin e famshëm të Vlorës, Gjirin e Dukatit dhe shumë gjire më të vegjël në të gjithë hapësirën e ekosistemit që mbizotëron në këtë zonë. Karaburuni ka një gjatësi prej  16 km dhe një gjerësi prej rreth 3.5 km dhe sipërfaqe 62 km2. Karaburuni futet në det deri në 15 km e që së bashku me ishullin e Sazanit krijojnë gjirin e mbrojtur të Vlorës. Ngushtica e Mezokanalit prej 5 km e ndan Karaburunin nga ishulli i Sazanit. Lartësia e Karaburunit mbi nivelin e detit shkon nga 15-30 m deri në 800 m. Pikat më e lartë që haset në këtë gadishull është Maja e Kores 839 m mbi nivelin e detit. Karaburuni dhe zona rreth tij ka statusin e “Rezervat Natyror i Menaxhuar” i kategorisë së IV. Këtë status Karaburuni e ka fituar më 22 shkurt të vitit 1968. Karaburuni dhe e gjithë zona rreth tij karakterizohet nga një diversitet biologjik dhe një panoramë që shkon përtej imagjinatës, të cilat marrin shkas nga pozita gjeografike, orografike, hidrografike, vertikaliteti, kushtet tokësore dhe klimatike të ndryshme. Karaburuni dhe zona rreth tij mbajnë habitate të shumta, ku kanë gjetur strehë një numër i konsiderueshëm kafshësh (shpend e gjitar), të cilat kanë një rëndësi kombëtare dhe rajonale që duhet ruajtur. Këto habitate formojnë kaçube apo fole të një rëndësie të veçantë, ku riprodhohen, strehohen dhe ushqehen të gjitha llojet  e kërcënuara, të rrezikuara dhe të rralla të gjitarëve. Për këto habitate ka një shkallë vlerësimi që shkon nga mesatarja në të lartën. Karaburuni si një gadishull mesdhetar, ka një pasuri bimore të shumëllojshme, duke filluar nga vegjetacioni i pyjeve dhe shkurreve që janë gjithmonë dhe përjetësisht të blerta, por ka edhe shkurre që humbasin gjethet gjatë vjeshtë-dimrit, siç janë dushqet. Në Karaburun ka gjetur vendbanimin e tij që nga koha kur mbi tokën tonë u përhapë bimësia edhe Valanidhi, i cili gjendet në disa pyje në të gjithë gjatësinë dhe gjerësinë e gadishullit. Në Karaburun jetojnë 9 lloj amfibësh dhe 21 lloj reptilësh. Karaburuni ka 22 lloje shpendësh, nga të cilat vetëm 4 lloje i përkasin kategorive “delikate”. Në to mund të përmendim shqiponjën e vogël, huta bishtbardhë, skifteri mbretëror, skifteri kthetraverdhë, shapka, pulëbardha e përhimët krahëzezë dhe këmbëverdhë,  qyqja, guguftuja, bilbili peshkatar, dallëndyshja bishtgërshërë, tusha këngëtare, tusha blu, gala etj. Gjitarët e zonës së Karaburunit janë prekur nga ndërhyrjet gjatë  viteve të kaluara dhe nga aktivitetet ekzistuese humane. Kemi parasysh këtu kafshë emblematike të Karaburunit, siç është derri i egër, i cili për shkak të gjuetisë pa kriter  është në zhdukje e sipër dhe ky është një mëkat i madh që i bëhet Karaburunit, i cili në kohën e monizmit mbahej edhe si një rezervat i kësaj kafshe interesante. Në kohën e komunizmit në Karaburun shkonte shpesh për gjueti ish Kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu.  Gjithë Vlora është dëshmitare kur gjatë sezonit të gjuetisë gati çdo të shtunë  çante mes-përmes qytetit eskorta e kryeministrit Mehmet Shehu, ku antenat e ndërlidhjes mbi makina gati sa s’preknin asfaltin e rrugës. Mehmet Shehu shkonte për gjueti në Karaburun dhe vriste derra të egër, 1-2-3, ndonjëherë edhe 4. Kishte raste kur nuk vriste asnjë derr të egër dhe kthehej në Tiranë i mërzitur. Nga mishi i derrave të Karaburunit kishte provuar edhe Enver Hoxha, sipas dëshmitarëve të kohës, por edhe ushtarët e gardës në Vlorë, kuptohet, kur Kryeministri vriste më shumë se 2 derra të egër. Përpara se Kryeministri Mehmet Shehu të shkonte për gjueti në Karaburun, atje kishin shkuar qentë e gjahut që mbaheshin në repartin e gardës në Vlorë. Tregojnë një herë, ndoshta është dhe barcaletë, që gjatë një gjuetie në Karaburun, Mehmet Shehu kishte marrë me vete edhe Kadri Hazbiun, ish- ministër i Brendshëm i asaj kohe. Kur kishin zënë pozicione për të gjuajtur derra të egër, të cilat ua nxirrnin qentë e gjahut në shteg, Mehmet Shehu kishte qëlluar disa herë, por nuk kishte vrarë asnjë derr. Në atë moment një derr i egër i afrohet Kadri Hazbiut dhe ky hezitoi ta qëllonte. Mehmet Shehu i kishte thënë pas gjuetisë, se përse nuk e vrave derrin që të doli përball. Doja ta vrisja, ja pati kthyer Kadriu, por ai më tha: Mua s’më vrau dot një Kryeministër e jo të më vras një ministër. Ndërkohë, një ndër llojet endemike dhe subendemike të Karaburunit përmendet edhe Miu i Thomasit, apo ujku si një specie e rrallë. Gjithashtu, Karaburuni është i pasur edhe me iriqë, lepuj të egër, dhelpra e kuqe që dallohet për gëzofin e bukur, por që gjuhet edhe për trofe. Në llojet e kërcënuara të Karaburunit përmendet edhe baldosa dhe delfini. Karaburuni dhe zona e tij gjenden në afërsi të Orikumit dhe Dukatit të ri, që konsiderohen edhe si zonat më të mëdha urbane. Mjedisi social-ekonomik i zonës është pothuajse agrar, ku banorët përreth zonës së Karaburunit merren kryesisht me pemëtari, vreshtari, bimë medicinave, blegtori, bletari, ku dominojnë dhitë dhe dhëntë. Majat e Karaburunit dhe më poshtë mbulohen nga çaji i malit, rigoni, trëndafili i egër, kamomili dhe një mori lulesh magjepse si manushaqja etj.. Mbreti i pyjeve të Karaburunit është druri i Valanidhit, i veçantë për të gjithë zonën deri poshtë në Himarë e Qeparo. Me lëndët e këtij druri punonte ish- fabrika e ekstrataninit në Vlorë, të cilat shërbenin për regjjen e lëkurëve.

Mermeri i  Karaburunit

Karaburun quhet zona nga Parku Kombëtar i Llogorasë deri në Kepin e Gjuhëzës. Madje, ky vargmal që fillon nga Kepi i Gjuhëzës quhet vargmali i Akrokerauneve dhe vazhdon drejtë Himarës, ku ndan fshatrat e bregut nga ato të Lumit të Vlorës. Karaburuni është i pasur me gëlqeror, ku dominon mermeri i bardhë. Ka një histori interesante për guroren e Karaburunit shfrytëzuar që në kohën e lashtë nga paraardhësit tanë. Në guroret e Karaburunit kanë mbetur shkrime të lashta nga ata që kanë punuar aty, apo lundërtarë që kanë bujtur aty pas stuhisë, duke lenë mbishkrimet e tyre si një dëshmi që vjen nga përtej koha e shkuar. Nga guroret e Karaburunit janë shkëputur masive të tëra me shkëmbinj, kryesisht mermer i bardhë. Dëshmohet se qytetet antike të Orikut, të Apollonisë, të Durrahut, etj., kanë përdorur mermerin e bardhë të Karaburunit për zbukurimin dhe veshjen e fasadave apo kolonave të tyre, madje edhe statuja e Deas së Butrintit është gdhendur nga mermeri i bardhë dhe mjaftë cilësor i Karaburunit. Por koha bënë të vetën dhe luftërat dhe shekujt harrojnë dhe i lenë në hije disa nga pikat strategjike të shfrytëzuara më parë. Pas lulëzimit dhe heshtjes së Orikut, i cili u shkatërrua dhe fundos nga tërmeti i lashtë i Llogaras në shekullin e II para Krishtit, pas lulëzimit dhe shuarjes së Apollonisë, të Butrinit apo të Durrahut antik, guroret e Karaburunit dhe mermeri i bardhë u braktisën, u harruan. Shekujt mbuluan me pluhurin e harresës antikitetin dhe lavdinë e qyteteve epike të Ilirisë. Kështu që shekulli i XX që mbarti mbi shpatullat e tij dy luftëra botërore dhe dhjetëra luftëra lokale dhe rajonale, e gjeti Shqipërinë të shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërtimi i vendit u ra mbi supe fituesve të luftës dhe ata ja nisën punës me vetëmohim, gjë që nuk mund të mohohet nga askush. Shqipëria kishte përfituar një projekt nga Bashkimi Sovjetik. Bëhet fjalë për ndërtimin e Pallatit të Madh të Kulturës në Tiranë, kolonat dhe fasada e të cilit ishte projektuar për t’u veshur me mermer të bardhë. Askush nuk e dinte në atë kohë se ku gjendej mermeri i bardhë në Shqipëri. Sa për mermerin e bardhë të Karaburunit as që bëhej fjalë. Qeveria shqiptare dërgoi një grup specialistësh në Italinë fqinje për të parë mundësinë e blerjes së disa pllakave mermeri të bardhë për veshjen e kolonave të pallatit të Madh të Kulturës. Specialistët që kaluan Adriatikun kërkuan mermer të bardhë në Itali dhe rastësisht në një firmë që merrej me nxjerrjen dhe përpunimin e mermerit, ndeshën aty një punëtor të vjetër, i cili pasi e mori vesh që të huajt ishin shqiptarë u tha: “Përse jeni munduar kotë deri këtu, ju keni mermer të bardhë në Karaburun, i cili është mjaftë cilësor. Unë kam punuar vet në guroren e Karaburunit në vitet 1914-1920, kohë kur Italia e parë kishte pushtuar si me shaka Shqipërinë. Specialistët tanë kishin mbetur të befasuar, askush prej tyre nuk e kishte ditur këtë të vërtetë, por megjithëkëtë zbulim, mermeri i bardhë i Karaburunit nuk u shfrytëzua më kurrë, pasi ngritja e Bazës Ushtarake të Pashalimanit ndaloi rreptësishtë kalimin nga Orikumi në Karaburun.

Shpellat e Karaburunit.

Karaburuni është gadishulli më i pasur me shpella të lashta në të gjithë vendin tonë. Rreth 20 shpella të shoqërojnë në të gjithë gjatësinë e Karaburunit në të dyja anët e deteve Adriatik dhe Jon. Duke qenë se, Karaburuni përbëhet nga formacione gjeologjike gëlqerore të Poleogjenit, Kretakut dhe Mergele të Miocenit, ai ka një mungesë evidente të burimeve ujore, megjithëse, Karaburuni është një stacion meteorologjik i parashikimit të motit në qytetin e Vlorës dhe rajonin përreth. Nëse do të dish se kur do të prishet moti, apo kur do të kemi shi, shiko drejtë Karaburunit. Nëse mbi të gjithë gjatësinë e tij grumbullohen rre, të cilat krijojnë bishtin e dashit, sipas vendasve, për pak ditë do të kemi shi dhe kjo është shumë e sigurt. Por përhapja e  dukurisë së Karstit në gadishullin e Karaburunit, ka krijuar një mori shpellash. Shpella më e madhe që i ngjan një katedraleje gjigante është ajo e Haxhi Aliut, por ka edhe shpella të tjera si ajo që ndodhet pranë Gjirit të Ariut, Shpella e Pëllumbave, Shpella e Dukë Gjonit, Shpella e Inglizit, Shpella e Thellësive etj. Po ndalemi tek shpella më e madhe e Karaburunit ajo e Haxhi Aliut e cila përbënë një dukuri të pazakontë të këtij gadishulli. E lartë sa një pallat 20 katësh, ku thellësia e shpellës shkon në rreth 40 m, kjo shpellë të ofron një magji të vërtetë pasi brenda saj ujërat e errëta nga thellësia dhe të qeta nga magjia të krijojnë përshtypjen e zhytjes në pjesën tjetër të botës, apo në botë paralele. Shenjat dhe dëshmitë që gjenden brenda Shpellës së Haxhi Aliut, tregojnë për një aktivitet të dendur njerëzor. Faqet e shpellës janë të nxira nga tymi i zjarreve. Quhet shpella e Haxhi Aliut për shkak se ka qenë bazë e këtij pirati të tmerrshëm të deteve, aktiviteti i tij piratesk u zhvillua në shekullin e XVII-të. Kjo bazë piratësh që Haxhi Aliu dhe njerëzit e tij shfrytëzuan, u përdorë për tu strehuar së bashku me anijet e tija, pasi sulmonin dhe plaçkitnin karvanët e tregtarëve venecian, apo të kombësive të tjera që përdornin ngushticën e Otrantos për të kaluar. Në zonën e Dukatit gjen sot copëza nga këngët që vendasit i kishin ngritur piratit të deteve Haxhi Aliut dhe të birit të tij, të cilët ishin bërë tmerr i karvanëve të tregtarëve që kalonin ngushticën e Otrantos. Aq tmerr u kishin krijuar tregtarëve të huaj Haxhi Aliu me të birin, sa në këngë nuk mungojnë krahasimet me mbretër dhe vezir, pasi vërtetë Haxhi Aliu ishte si mbret në Shpellën më të madhe të Karaburunit dhe së bashku me të birin dhe piratë të tjerë bënin ligjin në Kanalin e Otrantos dhe Gjirin e Vlorës. “Haxhi Aliu me të birin/porsi mbreti me vezirin”, thotë kënga e vjetër për atë pirat madhështor. Historia e këtij pirati mbaroi kur një ditë në rrethana ende të pasqaruara ai u vra nga ushtarët venecian, të cilët kishin kohë që e kërkonin por nuk e kapnin dot. Haxhi Aliu, ky pirat ulqinakes ishte bërë tmerri i karvanëve veneciane që shkonin e vinin çdo ditë e çdo natë nga Venecia në Korfuz dhe anasjelltas. Thonë se Haxhi Aliu u varros së bashku me të birin në ishullin e Sazanit, por me gjithë kërkimet e shumta, varret e tyre nuk u gjendën kurrë. Ndoshta koha, apo ndonjë hakmarrje më e thellë i ka flakur përfundimisht në det me qëllim për të zhdukur edhe shenjën më të vogël të tmerrit që ata kishin shkaktuar. Sot Shpella e Haxhi Aliut me gjithë historinë e saj është një nga pikat më të vizitueshme të turistëve vendas dhe të huaj, por që ja vlen të shoqërohej edhe me historinë e saj si një nga bazat më të fshehta të piraterisë shqiptare të shekullit të XVII-të. Ndërkohë, një tjetër shpellë e Karaburunit që mori emër gjatë Luftës së Dytë Botërore, është edhe ajo e Inglizit, siç e emërtuan vendasit e Dukatit. Sipas librit të Peter Lukas apo edhe studiuesve të tjerë, gjatë Luftës së dytë Botërore misionet angleze dhe sidomos SOE, Drejtoria e Operacioneve të Posaçme me qendër në Kajro të Egjiptit, krijuan një bazë detare të fshehtë për misionet e saja të inteligjencës që vepronin në territorin shqiptar, me qëllim mbështetjen e rezistencës antifashiste. Ajo u quajt Riviera dhe shërbeu për shumë misione të kundërzbulimit britanik, pasi pozicioni i saj ishte i pazbulueshëm nga gjermanët. Karaburuni ka edhe shpella të tjera më të vogla, por që kanë domethëniet e tyre. Kështu Shpella e Ariut pranë gjirit me të njëjtin emër, është quajtur kështu pasi aty kanë jetuar qysh në lashtësi familje arinjsh që popullonin asokohe pyjet e dendur të Karaburunit, por që u zhdukën një ditë për shkak se ishin bërë problem i madh për barinjtë e Dukatit të cilët kishin kullotat e tyre në Karaburun.

Plazhet e Karaburunit.

Karaburuni është një gadishuj mjaftë i famshëm për shkak të gjireve dhe plazheve të virgjër, por mahnitës ky syri të shplodhet nga ndërthurja e blusë me të gjelbrën, të kaltrën dhe plazheve të bardhë. Gjiri i Gramës është dhe plazhi më i famshëm i Karaburunit, një parajsë e vërtetë tokësore e detare. Ky gji e ky plazh është i rrethuar nga shkëmbinj që ngjasojnë me dinozaur të grirë nga koha, të kthyer në shkëmbinj pas ndryshimeve klimaterike në ndodhura midis ndryshimit të epokave. Askush nuk do ti rezistonte dot magjisë së plazhit të Gramës, i cili ka mbetur ashtu nga koha si një dëshmi e virgjërisë së natyrës brilante shqiptare, natyrë që duhet të vihet sa më shpejtë në dispozicion të turizmit elitar, por që fillimisht duhet të zgjidhet problemi i pronave në Karaburun. Nëpër shkëmbinjtë e Gramës syri i çdo vizitori do të ndeshet me mbishkrime të harruara aty nga koha, shkrime epokash nga lundërtarët që kanë ndaluar aty, apo nga vendasit e Dukatit që punonin në guroret e mermerit të gadishullit. Shkrimet janë me germa të ndryshme sipas etnisë së shkruesve, por duhet thënë edhe nën dritën e studimeve dhe kërkimeve të fundit, se shkrimet që u vishen grekëve të vjetër, nuk janë gjë tjetër veçse shkrime pellazgo-ilire pasi të ashtuquajturit grek kanë bujtur në ato troje të ashtuquajtur Greqi, rreth 800-1000 vjet pas Luftës së Trojës. Gjiri i Gramës ka shërbyer që në lashtësi si vendstrehim i anijeve gjatë stuhive detare, por edhe si port për ngarkimin e valanidhit dhe bimëve të tjera që tregtoheshin në brigjet e Mesdheut. Shumë udhëtar, arkeolog, romak deri edhe mbretër janë detyruar të kthehen në Gjirin e Gramës për shkak të stuhive. Por Karaburuni ka edhe gjire dhe plazhe të tjerë të njohur si, Shën Jani, Shën Vasili, Gjiri i Dafinës, Raguza e Parë, Raguza e Dytë, Gjiri i Brisanit etj.. Sot në disa nga këta plazhe të vegjël dhe të rrallë shkohet me anije, skafe apo jahte, pasi rruga automobilistike është e bllokuar për shkak të Bazës së Pashalimanit. Në ujërat e gjirit të Dafinës apo atij të Ariut arkeologët shqiptar dhe të huaj kanë gjetur thesare të vërteta arkeologjike, si amfora apo mbetje anijesh, ashtu si edhe brenda Gjirit të Dukatit dhe Vlorës ku skelete anijesh dhe amfora janë gjetur gjatë ekspeditave të ndryshme nënujore.  Në lashtësi prapa Karaburunit dhe pikërisht në afërsi të Palasës është mbytur një anije ngarkuar me thesare, ar, argjend dhe gurë të çmuar, por deri më sot askush nuk ka marrë mundimit të eksploroi thellësitë e Jonit për gjetjen e saj, madje as kërkuesit e thesareve nënujore nuk e dinë këtë fakt. Gojëdhënat për këtë mbytje kanë ardhur deri në ditët tona dhe përbëjnë një fakt domethënës të transportit të thesareve aq shumë i përhapur në lashtësi gjatë luftërave apo sulmeve të piratëve. Nëse Karaburuni dhe plazhet e tij do të viheshin në dispozicion të turizmit, zhvillimi do të ishte i pakrahasueshëm.

Karaburuni ushtarak

Karaburuni qysh në lashtësi ka qenë një pikë strategjike ushtarake, që është shfrytëzuar nga ushtritë e mëdha perandorake të kohës dhe piratët e detit. Por ajo që na bënë të qëndrojmë në këtë temë është koha e komunizmit, kur Karaburuni u kthye në një vendstrehim të reparteve ushtarake shqiptare. Gjashtë reparte ushtarake kishte Karaburuni në kohën e komunizmit, të cilat ishin në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Brendshme. Pra, në të gjithë gjatësinë prej 15 km të Karaburunit ishin shpërndarë këta 6 reparte ushtarake, duke e blinduar gadishullin si pikë strategjike gjatë kohës së luftës së ftohtë. Nga të gjashtë repartet ushtarak të kohës së komunizmit në Karaburun ka mbetur vetëm një, ai që gjendet pranë antenave në afërsi të Majës së Thanasit. Repartet ushtarake të Karaburunit ishin reparte të kufirit, të artilerisë bregdetare, të zbulimit dhe PSV. Furnizimi i këtyre reparteve bëhej kryesisht nga toka por edhe nga deti dhe një nga vuajtjet më të mëdha të atyre reparteve ishte mungesa e ujit të pijshëm, i cili sillej me bote dhe anije cisterna. Në fakt në Karaburun janë bërë kërkime dhe shpime për ujë të pijshëm, por kërkimet nuk kanë shkuar deri në fund. Megjithatë duhet menduar se Karaburuni mund të ketë burime ujore në thellësinë e tij, ashtu si dhe rezerva nafte dhe gazi, por që duhen kërkuar. U tha dikur se Karaburuni do të shërbente si urë lidhëse e tubacioneve të ujit që do të merreshin nga Syri i Kaltër në Delvinë dhe do të shkonte përmes Karaburunit dhe Kanalit të Otrantos në Pulia, por projekti Berluskoni-Nano mbeti një ëndërr që nuk u realizua. Vet ish- Kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni dhe ish- Kryeministri shqiptar Fatos Nano fluturuan me helikopter mbi Syrin e Kaltër, por pikërisht atë natë ndodhi çudia, Syri i Kaltër mori sy dhe u prish për t’u rikthyer përsëri në gjendjen e mëparshme pas disa muajve. Të ishte xhelozi e dikujt ndaj italianëve, apo një sabotazh i natës, këtë askush nuk e mori vesh. Ndoshta vet syri i kaltër ruan misteret e lashtësisë dhe sapo mori vesh planin e Berluskonit, plasi nga inati në dhjetëra burime të tjera. Vijon…