Besim Shyti/ 7 prilli në optikën e një historiani italian!

1009
Kam disa vjet që e kam përkthyer librin e historianit italian Nunzio Dell’ Erba, profesor i Universitetit të Torinos. Me që shpesh bëhen polemika për historinë e Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos për Luftën Antifashiste të popullit tonë, mendova të sjell para lexuesit 7 prillin e 1939-tes sipas variantit të autorit të mësipërm paraqitur në librin: ”Storia Dell’ Albania”. “Më 7 prill 193-shkruan ai-, trupat italiane, të komanduara nga gjenerali Alfredo Guxoni, zbarkuan në Durrës e Vlorë dhe më 8 prill pushtuan Tiranën dhe Elbasanin. Rezistenca shqiptare e shkurajuar nga ikja e Zogut në Greqi, qe mjaft e dobët. Përpjekjet e rastësishme të bëra në Durrës e Tiranë nga një grupim i armatosur, që shkaktoi vdekjen e 8 marinarëve italianë dhe 3 bersalierëve,u mbytën që në fillim. Shpejt trupat italiane pushtuan gati tërë vendin e shkatërruan çdo mundësi për zgjatje të rezistencës,duke e shndërruar Shqipërinë në një shtet vasal.
Më 9 prill Musolini, u dha urdhër të prerë Çianos dhe Jakomonit, të tentonin, që operacioni pushtues italian të çonte në formimin e një qeverie provizore nga e cila të thirrej një Asamble Kushtetuese. Duçia i fashizmit nuk kishte qënë i informuar se pas ikjes së Zogut, ishte krijuar një qeveri provizore proitaliane e kryesuar nga Xhafer Ypi së cilës i përkiste detyra e thirrjes së Asamblesë. Asamblea u thirr më 12 prill dhe ishte e përbërë nga paria kryesore e vendit,gati të gjithë fisnikë, pronarë tokash, dashamirës dhe të interesuar për protektoratin italian. Vendimet më të rëndësishme të aristokracisë themelore shqiptare,qenë ato të kalimit në një qeveri më përfaqsuese (e drejtuar më pas nga Shefqet Vërlaci) dhe afrimi në formën e bashkimit personal të kurorës mbretërore Viktor Emanuelit të III-të.Në fakt duhej të ishte një bashkim personal,por qe një aneksim i thjeshtë dhe i pastër. Më 16 prill 1939, Viktor Emanueli, pranoi kurorën, duke siguruar delegatët shqiptarë të caktuar për këtë rast dhe të ardhur në Romë se ”nga sot fatet e Shqipërisë janë të lidhura pazgjidhmërisht me ato të Italisë”. Musolini, shpalli solemnisht se Shqipëria hynte si e barabartë në “komunitetin imperial të Romës”. Dy ditë më von u krijua pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme Nënsekretariati për çështjet shqiptare i kryesuar fillimisht nga Zenone Benini.(Si ka mundësi që brënda 9 ditësh t’i vejë kurora Mbretit të Italisë?.Pra Shqiperia ishte shitur para se të ikte Zogu.shënimi im). Si ambasador e mëkëmbës i mbretit të Italisë qe emëruar Françesko Jakomoni i San Savinos, që kishte kryer në Tiranë detyrën e Ministrit Fuqiplotë më 1936. Jakomoni bënte pjesë në entouragen e Fulvio Suvich-ut, ishte në vartësi të ngushtë të Galeaco Çianos,dhëndërr i Musolinit dhe mbrojtës i flaktë i idesë së pushtimit të Shqipërisë. Jakomoni, bile, mund të konsiderohej autori i politikës së jashtme ndaj Shqipërisë i ndjekur me vendosmëri nga Çiano. Atij dhe bashkëpuntorëve të tij, u qenë dhënë fonde të shumta financiare në pamje me piksynimin e zhvillimit të Shqipprisë, por në realitet u shfrytëzuan për qëllime personale.(Thënë ndryshe,u blenë politikanët shqiptarë). Për forcimin e lidhjeve politike midis Shqipërisë dhe Italisë, u përfunduan marrëveshje midis të cilave më të rëndësishme qenë ato të bashkimit relativ të doganave (20 prill dhe 28 maj 1939), bashkimit të forcave të armatosura (26 maj e 13 korrik) dhe ajo e përfaqsive diplomatike dhe konsullore (3 qershor). Gjithashtu qe shpallur një ligj mbi “barazinë civile) që përtej çdo formalizmi juridik konsistonte në fakt vartësinë totale të ekonomisë shqiptare ndaj interesave italiane.Premtimi i Musolinit dhënë më 15 prill 1939 delegatëve shqiptarë ardhur në Itali për t’i afruar kurorën mbretit të Italisë,ishte mbajtur,por fshihte të tjera qëllime:”Juve-u tha Musolini përfaqsuesve-e dini që unë kam ndjekur prej shumë vitesh ngjarjet e popullit tuaj dhe jam përpjekur gjithmonë që t’u vi në ndihmë nevojave tuaja.Prezenca juaj këtu shënon fillimin e një periudhe të re për popullin tuaj që hyri si i barabartë në komunitetin imperial të Romës.Flamuri i Skenderbeut që do të valvitet nesër në tërë Italinë pranë tringjyrëshit,do të tregojë se nga cilat ndjenja është frymëzuar populli italian ndaj Shqipërisë. Ju premtoj se Italia fashiste do t’i japë Shqipërisë së re, drejtësi, rregull, mirëqënie, dhe ju e dini se unë premtimet i mbaj”. Musolini shpresonte shumë tek avantazhi i arritur me pushtimin e Shqipërisë, siç u kishte folur hapur shumë herë bashkëpuntorëve të tij më të ngushtë. Ai mendonte bile,të shpërngulte në teritorin shqiptar të lënë djerrë dy ose tre milionë italianë. Në realitet ata nuk kaluan më shumë se 170.000 dhe qenë kryesisht të shkuar për t’u punësuar në punime rrugësh, ndërtime, nxjerrje nafte, të gjitha në vartësi të shoqërive të zakonshme financiare, disa prej tyre të manovruara nga Çiano.
Në bashkimin e dy kurorave (shqiptare dhe italiane), fashizmi trashëgoi, jo një koshiencë nacionale të tropitur, por tërë shpresat e shkëputjes: së të parit vend pranë Kosovës, ku nacionalistët sërbë vraponin t’i detyronin me forcë shqiptarët të emigronin në Shqipëri ose Turqi, por dhe pranë Epirit jugor (ose Çamërisë),ku ekzistonin kontradikta të mëdha fetare midis pakicës nacionaliste shqiptare e cila me besimin ortodoks favorizonte një asimilim gjuhësor e kulturor me Greqinë. Në planin e brënshëm Shqipëria ruante një qeveri monarkiste konstitucionale në pritje të miratimit të një kushtetute të re,Ndërkohë u krijua në Tiranë më 23 prill 1939 Partia Fashiste Shqiptare dhe administrimi lokal u nda në dhjete prefektura dhe tridhjetë nënprefektura, funksionarët e tyre emëroheshin nga mbreti italian. Aktiviteti i këtyre funksionarëve ishte nën kontrollin e një numuri “Inspektorësh” besnikë të fashizmit nën drejtimin e Piero Parinit drejtor i lëvizjes fashiste jashtë. Dominimi italian në Shqipëri mori kështu tërë karakteristikat e regjimit musolinian nëpërmjet transferimit të institucioneve e të eksperiencës fashiste. Shqipëria u privua nga çdo identitet kombëtar; flamuri, monedha, pullat postare etj, qenë zëvëndësuar ose ndryshuar dhe pak nga pak morën traditat e një vendi të kolonizuar. Flamuri shqiptar qe ridimensionuar nga italianët duke i vënë sopatat e liktorit,mbi emblemën e Skenderbeut ishte vendosur një kurorë e shtëpisë së Savojës me një kryq sipër. Monedha qe prerë nga R. Zeka sipas modelit të Xhuzepe Romanjolit e iniciuar nga Açilio Moçi, i cili, në njërën anë kishte vënë shqiponjën dykrenore dhe anës shënjat e fashizmit, kurse në anën tjetër kishte vënë shëmbëlltyrën e Viktor Emanuelit të III-të, që me një vështrim të egër donte t’u kujtonte shqiptarëve se vendi i tyre ishte bërë pjesë e Perandorisë Romake. Imponimi i sundimit nga një mbret katolik nxiti protestat e myslimanëve, të cilët, e qanë Zogun, të paktën si traditë dhe si fe. Deri dhe roli i gjuhës vëndase u zvogëlua si fjalor nga tentativa që bënë funksionarët fashistë që imponuan si të detyruar gjuhën italiane në shkollë. Për të ndaluar veprimtarinë e gueriljeve,u krijuan “batalione shqiptare” të inkuadruar në repartet ushtarake italiane,të cilët shfrytëzoheshin dhe për të frenuar veprimtarinë antifashiste të bashkëkombasve tanë. Hyrja në fuqi e ligjit të ri “Statuti i mbretërisë shqiptare” dhënë nga Viktor Emanueli III-të më 3 qershor 1939 i atribuonte sovranit tërë fuqinë ekzekutive.Fuqia ligjvënëse i qe besuar vetëm një dhome, ku dominonte Këshilli i Lartë Fashist Korporativ, i krijuar nga antarë të Këshillit Qëndror të Partisë Fashiste dhe antarë të Këshillit Qëndror të Ekonomisë Korporative. Si përfaqsues ishin katër shqiptarë;Shefqet Vërlaci,Gjon Marka Gjoni,Mustafa Mërlika Kruja dhe Vangjel Turtulli emeruar më 4 gusht 1939 senatorë dhe më 20 dhjetor (në ditën e betimit të tyre),u pritën me entuziazëm nga autoritetet politike italiane. Por përfaqsuesit shqiptarë nuk morën pjesë kurrë në debate politike të dhomës së lartë, qoftë për vështirësitë të ardhura papritur me luftën e re botërore, qoftë për rënien e Senatit në gjëndje kome pas hyrjes në luftë të Italisë në krah të Gjermanisë. Vdekja e improvizuar e Turtullit më 24 gusht 1940,e reduktoi përfaqësinë shqiptare në vetëm tre antarë, të cilët, nuk tentuan kurrë të diskutonin vendimet e Musolinit gjer në shëmbjen e regjimit fashist. I dobët qe edhe aksioni politik i tyre në krahasim me grupet shqiptare të rezistencës që filluan të vepronin më 1941 kundër okupacionit fashist. Një pjesë e inteligjencës shqiptare që e kishte parë me bezdi prezencën italianë në vend, organizoi grupin nacionalist “Balli Kombëtar”. Ndërsa në jugë filloi të krijohej Lëvizja Partizane Komuniste e drejtuar për përzënien e trupave okupatore, por luftoi edhe kundër shtresës politiko-ekonomike dominante. Nga viti 1942, kur armatës së IX iu bashkuan dhe trupat gjermane,l ëvizja çlirimtare fitoi vlera dhe mori një zhvillim të madh e të qëndrueshëm deri në shëmbjen katastrofike të Italisë në shtator të viti 1943,me këtë përfundoi okupacioni fashist në Shqipëri. (Nuncio Dell’Erba “Storia Dell; Albania” f.34-38). Pas nëntë ditësh nga pushtimi Viktor Emanuelit i vajti kurora.A kemi të drejtë të mendojmë se Shqipëria u shit? Dhe nëse po kush e shiti? Ata që ishin në pushtet e i dhanë kurorën apo populli që e priti me demonstrata dhe pushkë?
Sigal