Bashkim Qeli: Pavarësia u arrit me pushkë, penë dhe diplomaci

538
Sigal

Shpallja e Pavarësisë Kombëtare të popullit shqiptar u arrit me pushkë, penë dhe diplomaci

1912   –  28  Nëntor – 2022

“ Shqiptarët ende nuk i kanë luajtur të gjitha kartat e  tyre, dhe se padyshim, ata përsëri do të habisin gjithë botën, në arenën ndërkombëtare.”                                                                                       Nostrodamus ( 1503 – 1566)

Bashkim Qeli, Studiues

Rilindja kombëtare ishte një lëvizje e gjërë dhe e fuqishme çlirimtare, që u zhvillua në të gjithë vendin dhe kolonitë e ngulmimet shqiptare e arbëreshe jashtë atdheut, që nga vitet ‘30 të shek. XVIII gjer më 1912, kur u shpall shtet pavarur kombëtar. Kjo lëvizje, me tipare përherë më të dukshme patriotike e demokratike, që i pati rrënjët në të kaluarën luftarake liridashëse kundër pushtuesve të huaj e dhunës feudale, vazhdoi edhe pas shpalljes së pavarësisë, me përpjekjet dhe luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësorë të vendit kundër lakmive të vendeve shoviniste fqinjë, gjersa më 1920, me Kongresin e Lushnjes dhe epopenë e Luftës së Vlorës, u konsolidua shteti i ri shqiptar. Në krye të kësaj lëvizje u vunë burra të mënçur, udhëheqës të guximshëm e të vendosur atdhetar, patriot, iluminist demokrat, që mbi interesat e atdheut nuk vinin gjë tjetër. Ata ditën të orjentohen me zgjuarësi në situate të ndërlikuara të gjëndjes ndërkombëtare. Lufta e popullit shqiptar për liri e pavarësi, mori një përmbajtje të re, që nga viti 1830, kur filloi një epokë e re historike, që kulmoi me LSHP, gjë që dëshmon se populli shqiptar kishte hyrë në një fazë të re revolucionare, në atë të Rilindjes Kombëtare, të epokës që do të mbyllej, me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar.“ Rilindja Kombëtare – thuhet në Historinë e Shqipërisë –ishte një lëvizje me penë e pushkë, me përmbajtje ekonomike, politike dhe kulturore, që synonte çlirimin e atdheut nga sundimtarërët e huaj, bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet kombëtar autonom ose të pavarur. Rilindja Kombëtare ishte një lëvizje e re që shënonte një etapë më të lartë, në krahasim me lëvizjet e mëparshme çlirimtare edhe përsa i përket përbërjes klasore të udhëheqjes së saj dhe përmbajtjes ideologjike e politike .” Një etapë e rëndësishme në rrugën e lavdishme, për liri e pavarësi ishte LSHP ( 1878 – 1881), kjo organizatë politiko – ushtarake mbarë shqiptare tregoi veten, falë heroizmit e patriotizmit të masave popullore, se mund të mbronin tërësinë tokësore të vendit të kërcënuara nga lakmitë imperialisto – shoviniste, se mund të qeveriste Shqipërinë  në mënyrë të pavarur  në rrugën e përparimit dhe të fqinjësisë së mirë politike. Por diplomacia europiane, e kombinuar me dhunën ushtarake dhe shovinizmin monarkik ballkanik nuk mund ta pranonin zgjidhjen e drejtë të lëvizjes kombëtare shqiptare. Por këtë zgjidhje ata mund ta pengonin përkohësisht, por jo ta fshinin nga faqja e dheut. Por tek patriotët shqiptar u formua bindja, se vendi në rregjimin osman, jo vetëm nuk mund të kishte asnjë përparim, por ishte rrezik të zhdukej bashkë me perandorinë Osmane, se gjëndja e saj ishte shumë e rëndë, ajo ishte në agoni.

Turqia, – thotë S. Frashëri, –në këtë udhë që ka zënë, nuk rron dot shumë kohë.”( f.114) Lufta italo – turke, e cila e kishte filluar që në shtatot 1911, po e dobësonte edhe më shumë Perandorinë Osmane. Fuqitë imperialiste të Europës ishin gati ta coptonin dhe të rrëmbenin territore sa më të mëdha prej saj. “Aneksimi Italian i Tripolit   – siç thoshte Ismail Qemali – se parimi i tërësisë tokësore të Perandorisë nuk respektohej më” ( I.Q f.14) prej tyre. Edhe qarqet shoviniste  ballkanike, po bënin përgatitjet e tyre,  për ti shpallur luftë Turqisë dhe të ndanin zotërimet e saj në Ballkan. Ky ishte një rrezik për trojet shqiptare. Prandaj në katër anët e vendit dëgjohej thirrja, që të shkëputej sa mëpare Shqipëria nga Turqia dhe të mbrohej atdheu me armë në dorë. Kjo tregonte se kishte ardhur moment i duhur për të siguruar pavarësinë e Shqipërisë, dhe si e vetmja rrugë shpëtimi, këtë rradhë atdhetarët gjetën atë të kryengritjes së armatosur, të bazuar në forcat e veta, e që, ndryshe nga kryengritjet e mëparshme, do të ishte mbarëshqiptare. Kjo kryengritje gjeti jehonë në shtypin e kohës. Gjatë atij viti dolën disa organe shtypi brenda e jashtë vendit, që ishin, gazeta “ Koha” e M. Gramenos në Korçë, “ Dielli” në Manastir, që drejtohej nga Mustafa Hilmiu ( Muço Qulli), “ Shkupi” në Shkup,” Liria e Shqipërisë” në Sofje,” Dielli” në Boston, të cilat i bënin thirrje popullit për liri e pavarësi. Përgatitjet për kryengritjen e përgjithshme të armatosur filluan, që në gusht të vitit 1911. Kur krerët panë, që qeveia turke nuk i plotësoi kërkesat e shqiptarëve, siç shkruante gazeta “Liria e Shqipërisë” se ajo “ nuk kishte ndërmënd t’i jepte ato të drejta “ jo tërë Shqipërisë, por as Malësisë së Madhe”, e cila kishte rrëmbyer armët gjatë atij viti. Zëri dhe vepra e njerëzve të mëdhenj të Shqipërisë, ishte thirrja e fuqishme ‘shqiptarë bashkohuni’. Shtypi shqiptar i asaj kohe i ka bërë jehonë të madhe, “ O burra bashkohuni o shqiptarë”, shkruante gazetari Jani Vruho në gazetën “ Boston.” Ndësa gazeta “ Liria e Vllazërimit” në Sofje shkruante, “ Kështu na dëshëron zemra të bëjmë dhe ne stërniprit.e shpirtmadhit Skënderbe, dhe të bashkohemi të gjithë për të punuar për lirin e Shqipërisë”.

Shtypi patriotik i mërgimit

Edhe shtypi patriotik i mërgimit kishte filluar të jepte kushtrimin për kryengritje të armatosur:- “ Pushka” – bënte thirrje gazeta Dielli – ishte e vetmja rrugë që duhet të përdorim për të fituar të drejtat tona, ndërsa gazeta “Liria e Shqipërisë” nga Sofja i drejtohej vegjëlisë se: “ deshëm dhe duam të zgjojmë opingën, se po mos mori frymë vegjëlia kurr nuk vjen liria e një kombi.” Që nga fillimi i marsit të 1912, u ngrit flamuri i lirisë dhe u dukën flakët e para të kryengritjes së përgjithshme. Tipar dallues i forcave kryengritëse, kudo në Shqipëri ishte solidariteti kombëtar i luftëtarëve pa dallim feje e krahine. Ata nuk u mashtruan nga premtimet e xhonturqve për reforma, të cilat Luigj Gurakuqi I quante “ shtypje dhe shtrëngime të reja që ndezën një zjarr të ri”, zjarri e kryengritjes së armatosur. Kështu që nga Kosova, Malësia e Shkodrës, Mirdita, Dibra, Elbasani, Korça, Tepelena, Vlora, Gjitokastra dhe Çamëria filluan veprimet e armatosura. Udhëheqja e kryengritjes bëri orvajtje për krijimin e një qëndre të vetme drejtuese për bashkërendimin e veprimeve luftarake, për një shtab drejtues ushtarak. Për këtë një punë të madhe bënë Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Themistokli Gërmenji, Çerçis Topulli etj. Në përfundim të këtyre orvajtjeve u mbajtën Kuvendet i Junikut ( 21-25 maj 1912), dhe Kuvendi i Sinjës ( 23 korrik 1912), që vendosën për bashkimin kombëtar dhe për realizimin me armë në dorë kërkesat e lëvizjes, duke miratuar një momerandum të nënshkruar nga 50 komandatët e çetave të Jugut. Pas këtyre ngjarjeve të mëdha politike, kryengritja i zgjeroi edhe me tepër veprimet luftarake kundër pushtuesve turq, në të gjithë territorin e vendit. Momentet më të rëndësishme të luftimeve ishin, në Qafën e Prushit, për të cilën Hasan Prishtina e vlerësoi se ”u gjallërua kryengritja në Kosovë”, luftimet ne Qafën e Trapit ku krahas burrave luftuan edhe gratë, çlirimi i Krujës, luftimet në Buletin, të Qafëzez në Kolonjë, çlirimi i qyteteve të Kosovës, Shkupit, ku u futun ngadhnjimtarë mbi 30 000 luftëtarë. Përballë veprimeve të fuqishme të forcave kryengritëse, qeveria Osmane u detyrua të hynte në bisedime me udhëheqjen e kryengritësve. Për këtë u mbajt në Shkup më 18 gusht marrëveshja midis kryengritësve dhe xhonturqve. Këto veprime krijuan kushte për të ndërmarrë aksionin e madh politik për Shpalljen e Pavarësisë. Këto veprime i detyruan edhe fuqitë e Mëdha Austo-Hungarinë dhe Italinë të shpreheshin në interes të krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Shpërthimi i Luftës Ballkanike, më 1912, rrezikonin seriozisht fitoret e arritura të kryengritësve, armiqtë e Shqipërisë synonin të pengonin kombin shqiptar të fitonte pavarësinë. Situata u bë shumë kritike në vend, udhëheqja e Lëvizjes Kombëtare, me në krye Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin dhe Isa Buletinin, vendosën të kryenin aktin solemn – ‘Shpalljene Pavarësisë Kombëtare’. Për këtë Kuvendi i patriotëve në Bukuresht vendosi një zëri “ të ngrihet në Shqipëri flamuri ynë Kombëtar, të mblidhet një kongres dhe të formohet një qeveri provizore”.

Uniteti i mendimit dhe i veprimit politik, për këtë akt të lartë të Lëvizjes Kombëtare u shfaq jo vetëm ndërmjet patriotëve të mërgimit, por edhe veprimtarëve patriot brenda Shqipërisë. Për këtë në mesin e tetorit 1912, udhëheqësit e “ Shoqërisë së Zezë për shpëtim” u mblodhën në Kuvend në Shkup dhe vendosën njëzëri për shkak së “Turqia ka për të humbur luftën, të shpëtohet Shqipëria”. Dhe për këtë duhej të thirrej një kuvend kombëtar, për të vendosur për të ardhmen e Shqipërisë. Por në rrethanat kur po bëheshin përgatitjet për thirrjen e kuvendit, trojet shqiptare po shkeleshin nga ushtritë e shteteve shoviniste ballkanike. Ushtritë serbo malazeze të verbuar nga urrejtja ndaj shqiptarëve, po digjnin, shkatërronin dhe masakronin popullin e pambrojtur, duke bërë tortura çnjerëzore dhe akte vandal, hakmarrëse dhe të egër – shkruan një autor i huaj – duke shfrytëzuar faktin që veprimet e tyre ishin të pandëshkueshme dhe viktimat e tyre të pambrojtura, ato ( ushtritë sërbe) dogjën dhe vranë pa patur mëshirë për moshën dhe seksin” Përparimi i ushtrive ballkanike në trojet shqiptare preku interesat e Austro-Hungarisë, Gjermanisë dhe Italisë, sepse zgjerimi territorial i shteteve sllave në Ballkan do të riste influencën ruse në rajon, me rëndësi strategjike për Europën. Këto reagime të diplomacisë europiane, u shfrytëzuan me zgjuarësi nga udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare, për të shpejtuar veprimet për shpalljen e pavarësisë Kombëtare. Duke u njohur me gjëndjen revolucionare në Shqipëri, Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin dhe Pandeli Calën u nisën për në atdhe. Por para se të mbërrinin në Shqipëri ata shkuan në Vjenë për të parë qëndrimin e Fuqive të Mëdha për çështjen shqiptare. Patriotët shqiptarë pasi morën mbështetjen e qeverisë austriake, lajmëruan Komisionin Përgatitor të Kuvendit Kombëtar në Vlorë, që të mblidheshin delegatët në Durrës ose në Vlorë. Shtypi vjenez shpejtoi dhe dha lajmin se patriotët shqiptarë do mblidheshin në Vlorë për të kuvendur çështjen kombëtare. Me të marrë lajmin veprimtarët patriotë i shtuan kontaktet me njeri tjetrin, që në kuvendin kombëtar të përfaqësoheshin të gjitha krahinat. Masat popullore ishin shumë entuziaste, sa që flamuri kombëtar u ngrit i pari më 12 Nëntor në Lushnje. Populli i Elbasanit e shpalli pavarësinë më 25 Nëntor, ai i Durrësit dhe Tiranës me 26 Nëntor, populli i Kavajës dhe Peqinit në 27 Nëntor. Kuvendi Kombëtar i Vlorës bashkoi 63 delegatë nga mbarë trojet shqiptare. Këta delegatë, për nga përbërja shoqërore dhe përkatësia krahinore e fetare  mëshironin unitetin e madh të një kombi të vogël, por shumë liridashës. Kombi shqiptar dëshmoi edhe njëherë atë realitet që u kishte rënë në sy studiuesve, të huajve, se populli shqiptar “ zotëron një shpirt pavarësie të përjetëshme”, se” idet e pavarësisë kombëtare nuk ishin shuarë kurrë në Shqipëri”. Këtë e dëshmoi delegati i Vlorës në Kuvend kur tha:-“ Gegë dhe toskë, muhamedan e të krishter, delegatë të Kosovës, të Çamërisë, të Bregut të Detit, të Shkodrës jetike, të Korçës së bukur, e të Malësisë së Gjakovës, të gjithë krahinat janë përfaqësuar në Vlorë.” Në fjalën e qetë të plakut të urtë të Vlorës që mbajti në Kuvend tha :-“ Populli shqiptar na zgjodhi ne e na dërgoi në këtë mbledhje që të këshillohemi për shpëtimin e atdheut. Shpëtimi është një i vetëm LIRIA” Fjala e plakut të urtë e i  mënçur u kurorëzua me vendimin unanim të delegatëve të Kuvendit “ Të gjithë delegatët me një zë venduen që Shqipëria, me sot të bëhet mëm vete dhe e mosvarme.” Ngritja e flamurit Kombëtar në Vlorë, përfaqësonte, së pari një grusht dërmues kundër shovinizmit ballkanas dhe kundër politikës së pazareve të pista të shtëteve imperialiste në kurriz të popujve të vegjël; së dyti, një dëshmi konkrete historike se çdo popull liridashës, sado që të ketë përballë tij armiq të egër e të pabesë, është në gjëndje t’i mposhtë ata, me forcat e veta, në rast se mobilizon forcat më  aktive, të veta në luftën e shënjtë, për pavarësi kombëtare dhe përparim shoqëror.