Aushvic, historia makabre e një krimi që ndryshoi botën

516
Sigal

Në kampin famëkeq humbën jetën më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit

 -Me rastin e 81-vjetorit-

Rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për  shfarosjen e hebrenjve. Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet evropiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie. Në kampin Aushvic humbën jetën më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët. Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe romë. Kampet e vdekjes apo siç kujtohen sot, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945, në të cilat u gjetën ende gjallë 7 mijë të burgosur.

Por kthehemi pak pas në histori

Në vitin 1933, Partia Kombëtare Socialiste e Punës mori pushtetin në Gjermani, me diktatorin Adolf Hitlerin, si lider i saj. Nazistët kishin pasur edhe më herët mbështetje të fortë në Nuremberg dhe për arsye politike dhe më shumë praktike, zgjodhën këtë qytet për të mbajtur edhe fushatat e tyre mes viteve 1933-1938. Në shtator të 1935, ligji i Nurembergut, që shtypte të drejtat civile të hebrenjve kaloi. Një vit më vonë, në 36-ën, anëtarët e vjetër të Partisë Naziste, përfshirë këtu edhe Hitlerin dhe Rudolf Hess, që më pas u bë komandanti më jetëgjatë i kampit të përqendrimit të Aushvicit, mbërritën në Nuremberg për të parë qytetin e për të organizuar një takim atje si dhe për të zbarkuar trupat ushtarake, që mbajtën edhe një marshim gjatë Kongresit vjetor të Partisë Naziste. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat pushtuese gjermane ngritën kampin Aushvic-Birkenau në jug të qytetit polak të Osviecim, rreth 70 km nga qyteti i dytë më i madh i Polonisë, Krakov. Aushvic u formua përfundimisht më 14 qershor të 1940 në ish kazermat e vjetra ushtarake të Polonisë. Viktima e parë në këtë kamp u regjistrua në shtator të 1941-shit, pasi vdiq në një nga dhomat e gazit. Aushvic II apo Birkenau u hap në tetor të vitit 1941. 4 dhoma të mëdha gazi iu shtuan kampit për 3 muaj, gjer në janar të vitit 1942. Mes viteve 1940-1945, Aushvic u shndërrua në një kamp të mirëfilltë vdekjeje, me një kompleks kazermash, fabrikash, dhoma gazi e krematoriume, ku humbën jetën thuajse 1.5 milionë njerëz, shumica prej tyre hebrenj. Grupi më i madh i viktimave, gati 75 mijë vetë, ishin polakë. Prej tyre, gati 20 mijë ishin romë. Në fund të vitit 1941, nazistët formuluan “Zgjidhjen finale”. Vendimi për të vrarë e ekzekutuar 11 milionë hebrenj u mor gjatë Konferencës “Wannsee”, që u mbajt pranë Berlinit në janar të vitit 1942, ku zyrtarët më të lartë nazistë koordinuan lëvizjet, për atë që do të shndërrohej në makinerinë më të ashpër të vrasjeve masive në histori.

Nazistët dizenjuan dhe përmirësuan mekanizmin e ri të vrasjes së njerëzve

Të burgosurit u vranë me gaz, në dhomat e ndërtuara enkas për këtë qëllim e të pajisura me gaz-vdekjeprurës ‘Zyklon B’.

Radha për të bërë dush ishte justifikimi më i zakontë për t’i marrë të burgosurit nga dhomat ku qëndronin në kamp e për t’i futur më pas në dhomat e gazit. Tonelata me flokë të prera nga kokat e të burgosurve dhe rrobat e çizmet e tyre, u gjetën më vonë, pasi kampi u çlirua. Aushvic u lirua më 27 janar të vitit 1945 nga ushtria sovjetike, ushtarët e së cilës arritën të shpëtojnë e të nxjerrin të gjallë nga kampi famëkeq 7 mijë të burgosur, pasi gjermanët u tërhoqën. Kampet u shndërruan në simbolikën e Holokaustit, me thuajse 1,5 milionë të burgosur që humbën jetën në dhomat e gazit, në temperaturë disa gradë nën zero, nga uria, sëmundje të ndryshme, eksperimente të ndryshme mjekësore dhe nga puna e sforcuar, e rëndë dhe me orë të gjata. Disa muaj pas çlirimit të kampit të Aushvic, 45 roje të kampit të përqendrimit dolën përpara gjykatës në Lueneburg, qyteti në veri të Gjermanisë, nën akuzën e vrasjeve në masë. Të akuzuarit ishin meshkuj e femra, që për më shumë se 5 vite shërbyen si roje, por quheshin funksionarë të të burgosurve. Të 45-të kishin punuar në kampet e Aushvic dhe Bergen-Belsen ndaj dhe gjyqi ndaj tyre u njoh si “Gjyqi Belsen”. Joseph Kramer, i njohur gjerësisht si “Bisha e Belsen” ishte komandanti i dy kampeve, që shërbeu fillimisht në Aushvic ku vuri diktatin e tij dhe më pas në Bergen-Belsen. Ai u arrestua pak pas çlirimit të kampit dhe u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake britanike, e cila e dënoi me varje. Irma Grese ishte një roje, krahu i djathtë e paraushtarakëve nazistë në kampet e përqendrimit të Ravensbruck dhe Aushvic. Ajo u dënua gjithashtu me vdekje dhe u ekzekutua në dhjetor të vitit 1945.

Në Pallatin e Drejtësisë në Nuremberg.

Më 20 nëntor të vitit 1945, sytë e të gjithë botës ishin fokusuar në Pallatin e Drejtësisë në Nuremberg. Vetëm 5 muaj pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, 21 ish drejtues të lartë të partisë naziste dolën në gjyq. Mbi ta rëndonin 4 akuza: plan i përbashkët apo komplot, krime kundër paqes, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Mes tyre spikatën emrat e Hermann Goering, ish- mareshall, besnik i Hitlerit dhe shef i “Luftwaffe”, një njësie ajrore që bashkërendonte veprimet me ushtrinë gjermane si dhe Rudolf Hess, zëvendësi i Hitlerit dhe komandanti më jetëgjatë që ka shërbyer në kampin e Aushvic. Bashkë me ta, përpara gjyqit doli edhe Joachim von Ribbentrop, ish- ministër i jashtëm. I destinuar për të vijuar për plot 10 muaj, gjyqi u mbajt në qytetin kur partia naziste organizonte takimet e saj të përvitshme. Gjykata e gjeti Goering fajtor për të 4 akuzat dhe e dënoi atë me vdekje. Goering helmoi veten në qeli, pak minuta përpara ekzekutimit. Edhe Von Ribbentrop u shpall fajtor për 4 akuza dhe u var bashkë me 10 të akuzuar të tjerë, më 16 tetor 1945. Rudolf Hess, zëvendësi i Hitlerit po ashtu u gjet fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm, pavarësisht argumenteve të gjykatës sovjetike se ai duhej dënuar me vdekje, njësoj si të tjerët. “Privilegji i çeljes së gjyqit të parë në histori për krime kundër paqes në botë, të vendos përpara një përgjegjësie të jashtëzakonshme. Veprimet e gabuara që ne kërkojmë të dënojmë dhe ndëshkojmë kaq, qenë aq të përllogaritura, aq të këqija dhe aq shkatërruese, sa civilizimi s’do të mund të tolerojë që ato të injorohen, sepse nuk duhet të përsëriten kurrë më”, shprehej asokohe gjykatësi John Jackson. Sot, 81 vjet më vonë, ajo çka mbetet është thjesht përkujtimi, rikthimi në kohë për të mësuar të vërtetat e asaj çka ndodhi, përmes historive njerëzore, edhe të atyre që i mbijetuan kampit. Sot ai është shndërruar në një muze, i frikshëm për nga ndjenja që përcjell, edhe pse më shumë se 2 milionë njerëz e vizitojnë atë çdo vit. Vizita atje nuk është një mësim për historinë, por një moment reflektimi mbi përgjegjësinë.