Formimi i Brigadës 22-të Sulmuese dhe luftimet nga Peza në Vishegrad

656
Sigal

18 Shtator 1944, u formua Brigada e 22 Sulmuese Partizane

Udhë heroizmi, nga Peza në Vishegrad…

-77-vjetori-

Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSh me 18 Shtator 1944 në Pezën heroike të komandantit legjendar Myslim Peza, u krijua Brigada 22 Sulmuese partizane e ushtrisë shqiptare. Aty te sheshi i gjelbëruar para shtëpisë së komandantit të Çetës së parë antifashiste në Shqipëri e Europë, Babë Myslimi, ishin të rreshtuar në formacion të rregullt, të ndarë në batalione e kompani, 1127 partizanë. Në këtë ceremoni morën pjesë komandanti trim Myslim Peza, përfaqësuesja e Komitetit Qendror të PK Naxhije Duma, përfaqësuesi i ShP të UNÇSh, Kristo Themelko, i cili edhe përshëndeti me këtë rast. Për drejtimin e Brigadës 22 Sulmuese, u caktuan: Komandant i Brigadës, komunisti Sali Verdha. Zëvendëskomandant i Brigadës Shaban Rexha. Komisar i Brigadës, komunisti Tonin Jakova. Zëvendëskomandant i Brigadës, Sadik Bocaj. Komandant i batalionit të parë, Muharrem Kokomani (i cili pas disa ditësh caktohet komandant i Brigadës 23 Sulmuese partizane). Komisar i batalionit të parë komunisti Shim Kolli. Komandant i batalionit të dytë, Sotir Spiro. Komisar i batalionit të dytë, Xhevdet Petrela. Komandant i batalionit të tretë, Ymer Hoxha. Komisar i batalionit të tretë, komunisti Hysen Ballhysa. Komandant i batalionit të katërt u caktua komunisti Nimet Ymeri, i cili në nëntor 1944 caktohet komisar i brigadës 22 Sulmuese, deri në 15 dhjetor 1945. Sadik Bocaj u caktua drejtues i organizatës së partisë të Brigadës 22 S, e cila kishte 75 anëtarë të PK. Iliaz Reka u caktua drejtues i Rinisë të Brigadës 22 Sulmuese. Për rreth 20 ditë Brigada e 22 Sulmuese zhvilloi luftime në zonën e Tiranës, Kavajës, Peqinit, Durrësit, Shijakut për eleminimin e elementëve kriminalë të Ballit Kombëtar, për forcimin e pushtetit të ri të këshillave nacional-Çlirimtare dhe dorëzimin e pushtetit, komandave të vendit. Me datën 6 e 7 tetor 1944, Brigada e 22 Sulmuese ishte pozicionuar në fshatin Gropje të Tiranës nga ku mori urdhërin luftarak për marshim për në veri të Shqipërisë, duke kaluar në zonën e malësisë së Krujës, me luftime të ashpra çliron Shpalin, kryeqendrën e bajraktarëve të Mirditës, shpartalloi forcat e reaksionit të Gjon Markagjonit, dhe të Kol Bibë Mirakës. Luftime të ashpra u zhvilluan në Fan, Gëziq, Gjegjan, Kryezi, ku ra heroikisht pionieri 14 vjeçar Met Hasa, partizani Rexhep Kodra (Fortuzi), si dhe u plagosën partizanët Fatime Pullazi, Sherbet Karuli, Shkurt Pajona, Etem Kalaja, Zydi Mustafa, Haxhi Grori, Asllan Istrefi, Stavri Goreja. Luftime të ashpra u zhvilluan gjatë muajit nëntor 1944, në zonën e Mirditës e të Pukës, dhe më 21 nëntor Puka çlirohet. Pas kësaj, Brigada e 22 S, niset drejt Shkodrës, ku ishin përqëndruar edhe brigadat e 6-të dhe e 7-të. Me luftime të ashpra në datat 26-27-28 nëntor dhe në mëngjezin e datës 29 Nëntor 1944 Shkodra dhe e gjithë Shqipëria ishte e çliruar plotësisht nga pushtuesi nazistë gjermanë. Në orën 10.00 paraditen e 29 Nëntorit në Shkodrën e çliruar ngrihet flamuri i lirisë, ku zëvendëskomisari i batalionit Irfan Çelkupa mban një fjalim emocionues para popullit shkodran e partizanëve. Pas 3-4 ditësh pushimi në Shkodër, Brigada e 22 Sulmuese, niset me urdhër të komandës e ShP, për të kaluar kufijtë shtetërorë në ndihmë të popujve të Malit të Zi dhe Bosnjes. Me luftime të ashpra forcat partizane kalojnë kufirin shtetëror, dhe në Deçiq bien heroikisht partizanët trima dëshmorë të atdheut Xhemal Zanaliu, Demir Milaqi, Rahman Myrta, mitralieri trim Qazim Alimehmeti, dhe më 6 dhjetor 1944 u çlirua qyteti i Tuzit. Në këto luftime ranë në fushën e betejës shumë partizanë dhe gjermanët pësuan humbje të rënda. Pas çlirimit të Podgoricës brigada e 22 S, niset për luftime drejt Bosnjes jugore në mes të një dimri të egër, me dëborë, dhe acar. Nga 31 dhjetori ’44 deri më 5 janar 1945 arrijnë në afërsi të Suhagorës; çlirojnë Goleshin dhe Plavien, dhe pas pak ditësh çlirojnë Vishegradin. Ranë heroikisht 12 partizanë, Zyber Jancari, Naum Shamia, Ramazan Ismil Gjuzi, Ramazan Dervish Habili, Thoma Koli Filipi, Haxhi Selim Maloku, Ibrahim Myrteza Brahja, Ferhat Haxhi Berberi, Riza Pëllumb Leshteni, Sulejman Rexhep Rexha, Nebi Ramazan Hoxha, Rustem Ibrahim Dervishi. Me çlirimin e Vishegradit, Brigada e 22 S, kthehet për në Kosovë dhe më 12 mars ’45 arrijnë në Mitrovicë. Me 3 mars përqëndrohet në qytetin e Vuçiternit. Më 4 prill ’45 bëhet ceremonia e varrimit e Rexhep Zunës, komandant i brigadës 22 S, i cili vdiq në spitalin e Mitrovicës dhe Neshat Hysi caktohet komandant i brigadës. Për aq sa ishte në Kosovë brigada ndihmoi në stabilizimin e situatës atje. Në ditët e para të qershorit 1945 brigada kaloi në tokat shqiptare të Maqedonisë në ndihmë të këtyre krahinave dhe për pastrimin e bandave kriminale të Adem Ali Basharit, Gjon Markagjonit e Pashuk Bibës. Më 7 dhjetor ’45 mbërrin në Elbasan e përqëndrohet në kazermat e Krastës. Këtu përfundoi misioni i saj heroik. Nga efektivi prej 1400 partizanësh, dhanë jetën 107 partizanë. Brigada përshkroi një rrugë prej 3500 kilometrash. Kujtojmë mes të tjerash në këtë rast ish komisarin e saj të paharruarin Nimet Ymeri, i cili na ka lënë pas, si një testament të vyer librin e tij “Nga Peza në Vishegrad”.

Brigada 22-të S në çlirimin e Tuzit e Podgoricës

Që nga mëngjesi i 3 Dhjetorit deri në 19 Dhjetor, do të fillonte për partizanët e Brigadës të 22-të një periudhë luftimesh të ashpra e të vështira, që do të kurorëzoheshin me çlirimin e qyteteve të Tuzit më 14 Dhjetor dhe  të Podgoricës më 19 Dhjetor 1944. Goditjet e para qenë të befasishme e të rrufeshme. Përballë guximit e trimërisë, shpejtësisë e aftësisë të partizanëve, armikun nuk e ndihmuan as përforcimet e shumta, as armët e rënda dhe artileria. Me luftimet në Bozhaj e Nik, armiku në pozicionet e braktisura la të vrarë e robër, armë e municione. Ndërsa numrit të Dëshmorëve të Brigadës iu shtuan emrat e tetë shokëve tanë trima. Që nga këto ditë, deri në çlirimin e plotë të Podgoricës, luftimet dhe betejat nuk u ndërprenë për asnjë ditë. Vështirësitë i shtonte edhe moti i ftohtë i dimrit dhe mungesa e theksuar e ushqimeve. “Bukën, – i shkruante shtabi i Brigadës, shtabit të Divizionit, në një nga këto ditë, – na duhet ta marrim nga brigada e 5-të proletare (Jugosllave); me këtë brigadë s’kemi rënë në lidhje dhe rruga është shumë e keqe. Propozojmë që buka të na vijë nga Shkodra”. Rezistenca e ushtrisë naziste që tërheqja e kishte përqendruar në grupime të mëdha, megjithëse e dëshpëruar, ishte këmbëngulëse. Korpusi i 21-të nazist gjendej vazhdimisht nën goditje të forcave partizane të Divizionit të 6-të të UNÇSH dhe të atyre malazeze. Veçanërisht e vështirë dhe e rrezikshme ishte marrja e kalasë së Deçiçit, që ishte porta e Tuzit dhe një nga nyjet kontrolluese të rrugës automobilistike për në Podgoricë e në veri. Shtabi i brigadës, duke parë rezistencën e dëshpëruar të armikut dhe përforcimet e shumta që kishte marrë ai, sidomos në artileri, hartoi planin e rigrupimit të forcave tona dhe të goditjeve në disa drejtime për të realizuar marrjen me çdo kusht të Deçiçit. Njëkohësisht Shtabi i Divizionit të 6-të, urdhëroi brigadat e tjera të godisnin armikun në drejtime të tjera. Pas luftimesh të ashpra e të përditshme, më 13 dhjetor, në orën 3 të mëngjesit, filloi sulmi vendimtar.  Përpara vrullit dhe trimërisë së partizanëve tanë, armiku u trondit dhe me humbje të rënda, e braktisi atë. Rruga për në Tuz qe e hapur. Dy-tre ditë më pas, komandanti i Korparmatës së 3-të, shoku Shefqet Peçi, lajmëronte me radiogram shtabin e Përgjithshëm për Çlirimin e Tuzit nga forcat e Brigadës së 22-të Sulmuese. Në luftimet për çlirimin e tij, 21 kuadro e partizanë të brigadës, dhanë jetën. Lajmin për Çlirimin e Tuzit nga forcat tona e komunikoi edhe buletini i lajmeve të jashtme të shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave: “Në Podgoricë, – thuhej në këtë buletin,- gjermanët kanë djegur më se 300 automjete. Në Tuz hynë partizanët shqiptarë”. Pas kryerjes së kësaj detyre, brigada e 22-të u ngarkua ta vazhdonte ndjekjen më tej, por një batalion i saj qëndroi në Tuz për të mbajtur rregullin e qetësinë. Partizanët e tij u pritën bujarisht nga familjet vendase. Shtabi i Divizionit të 6-të në urdhrin e vet të vazhdimit të operacioneve në ndjekje të armikut, kishte caktuar objektivat për brigadat që bënin pjesë në të, pra e 6-ta, e 7-ta dhe e 22-ta. Për brigadën e 22-të u caktua detyra të vazhdohej goditja e forcave gjermane duke çliruar Dinoshin, Novoselën dhe si objektiv kryesor, Podgoricën. Luftimet për çlirimin e Podgoricës, zgjatën edhe 5 ditë të tjera. Edhe në këto luftime, të ashpra në kushtet e dimrit të egër, Brigada e 22-të i përballoi detyrat vetëm me forcat e saj dhe ndihmën e popullit. E vetmja “ndihmë” qe një bombardim i papritur i një skuadriljeje të aviacionit “aleat” anglez. Për “çudi”, ky bombardim nuk goditi as aerodromin që kishin në dorë nazistët, as pozicionet e tyre të fortifikuara dhe artilerinë që na godiste vazhdimisht, por qytetin e Podgoricës, të cilin e shkatërroi fund e krye, aq sa ishte vështirë të gjendej edhe një ndërtesë e vetme në këmbë. Madje, dy aeroplanë anglezë, qëlluan edhe kolonën partizane të Brigadës së 22-të, duke plagosur rëndë edhe dy partizanë të saj, njëri nga të cilët, pak më vonë vdiq.