Agim Janina: Lahutari shqiptar Avdo, “Dosja H” Ismail Kadare dhe dy studiuesit amerikanë Milman Parry dhe Albert Lord

 

Si lahutari shqiptar Avdo Megjedoviqi “Homeri ballkanik” arriti të mbante mend dhe këndoi pa ndalesë 12.311 vargje.

NOA

– Si studiuesi dhe epikologu amerikan Milman Parry së bashku me mikun e tij Albert Lord, rreth vitit 1933 zbuluan lahutarin që theu dyshimet për egzistëncën e Homerit.

-Kjo ngjarje është dhe zanafilla e krijimit të romanit “Dosja H” të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili u njoh me këtë fakt krejt papritur me një prej studiuesve të sipërpërmendur.

-Takimi është përshkruar mrekullisht nga shkrimtari francez, Éric Faye. “Ka libra, shkruan ai, që lindin nga një shkëndijë, nga një fjalë, nga një takim i shkurtër. Ky është rasti i “Dosjes H.”

– Një ditë gushti më 1979, në Ankara, Ismail Kadareja njohu një amerikan, Albert Lordin, i cili i tha se kishte qenë në Shqipëri në vitet ‘30 me një bashkatdhetar të tij, Milman Parry, për të studiuar gjurmët e eposit homerik.

Agim Janina-studiues arti

Shekuj pas shekujsh një pyetje endej pa përgjigje dhe turbullonte mendjet e studiuesve dhe dijetarëve, a ishte e mundur që një njeri i vetëm të mbante mend me mijra vargje? Nëse po, atëhere zgjidhte mëdyshjen homerike dhe Homeri vendosej përfundimisht në piedestalin e Poetit të Iliadës dhe Odisesë!

Deri atëhere askush nuk e kishte zgjidhur enigmën që vinte nga mugëtirat e qytetërimit.

Në vitin 1664, abati i Aubignac François Hédelin, në studimin mbi Iliadën, besonte, se Homeri nuk ekzistonte dhe se Iliada ishte një përzierje këngësh të ndryshme, të krijuara në kohë të ndryshme dhe se nuk mund të ishin përcjellur gojarisht me arsyetimin, se një njeri i vetëm nuk mund të mbaj mend aq shumë vargje sa kanë veprat.Filozofi, historiani dhe juristi Giambattista Vico theksoi se, poezia homerike nuk mund të ishte vepër e një autori të vetëm, por e të gjithë popullit homerik në Epokën e tyre të Mrekullueshme, teori të përqafuara më vonë nga Romantikët. Për të, poemat homerike lindën nga breza të tërë këngëtarësh popullorë, të cilët fshiheshin nën emrin e Homerit. Pra, pohimi se Homeri nuk ekzistonte ishte tejet i rrënjosur dhe përderisa nuk gjendej dikush, që përmendësh të riprodhonte vargjet e Iliadës, çështja dukej e mbyllur dhe e varrosur përfundimisht. Por krejt papritur studiuesi dhe epikologu amerikan Milman Parry (1902 – 1935) dëgjon të flitet për rapsodët ballkanikë, që mbanin përmendësh me mijra vargje, që i këndonin në kasollet e tyre, duke i shoqëruar me një vegël me një tel, të quajtur lahutë.Ai së bashku me mikun e tij Albert Lord, rreth vitit 1933 nisen menjëherë në një ekspeditë në Shqipërinë e kohës së Monarkisë, kalojnë në Malin e Zi, në Serbi dhe në Bosnje – Hercegovinë, duke takuar rapsodë e inçizuar këngët e tyre, të shoqëruara me lahutë.I famshëm ndër shumë është lahutari Avdo Megjedoviqi me origjinë shqiptare. Parry duke e dëgjuar e quajti “Homeri ballkanik” pati ndjesinë se ndodhej para Poetit të madh antik, nga se mbante mend e këndoi pa ndalesë 12.311 vargje, aq sa kanë pothuajse secila, Iliada dhe Odisea!

Përfundimi i tyre

Përfundimet e tyre revolucionarizuan studimet homerike në një nivel aq të lartë saqë studiuesi është mbiquajtur si “Darvini i studimeve homerike”. Në studimin e tij, rapsodët shqiptarë dhe këngët e tyre luajtën një rol parësor në vërtetimin shkencor, një njeri i vetëm mund të mbajë mend e të këndojë me lahutë aq vargje sa mban Iliada e Homerit dhe Homerët në Ballkan ishin ende të gjallë dhe përcillnin poezinë gojore brez pas brezi për shumë e shumë shekuj, nga koha kur njerëzimi ishte formuar e ishte shprehur me vargje.Kjo ngjarje është dhe zanafilla e krijimit të romanit “Dosja H” të shkrimtarit Ismail Kadare i cili u njoh me këtë fakt krejt papritur me një prej studiuesve të sipërpërmendur. Takimi është përshkruar mrekullisht nga shkrimtari dhe kritiku i njohur francez, Éric Faye. “Ka libra, shkruan ai, që lindin nga një shkëndijë, nga një fjalë, nga një takim i shkurtër. Ky është rasti i “Dosjes H.”. Një ditë gushti më 1979, në Ankara, Ismail Kadareja njohu një amerikan, Albert Lordin, i cili i tha se kishte qenë në Shqipëri në vitet ‘30 me një bashkatdhetar të tij, Milman Parry, për të studiuar gjurmët e eposit homerik… Biseda me Ismail Kadarenë nuk zgjati veç pesë minuta. Në atë kohë, një shqiptar, e aq më tepër jashtë vendit, nuk kishte të drejtë t’i drejtohej një të huaji, sidomos një amerikani”.Nga këto pak minuta diskutimi do të lindë një roman, të cilin shkrimtari do ta shtjellojë pas kthimit të tij në atdhe: “Dosja H”. Pra, vetëm në pesë minuta në një takim fatlum, lindi një prej veprave më të mira të Kadaresë, e cila është një hulumtim sa imagjinar në mjergullnajat e epeve, në të vërtetat shkencore për t’u hedhur në magjinë epike të krijuar në thellësinë e maleve alpinë, në heshtjen e vetminë e dimrave të ashpër, ku malësorët të ngujuar nëpër kulla që në orët e para të mesditës krijonin me veglat e tyre primitive të bëra nga trungje pemësh dhe për tela qimet e gjata të kuajve këngë kreshnikësh dhe thurnin me mijra vargje që ishin histori, gjeografi, moral, filozofi dhe art. Pra, një enciklopedi njerëzore e kënduar mjeshtërisht e shoqëruar nga një lahutë e thjeshtë…Përmbi to për shkrimtarin, kishte edhe një joshje sipërore e drejta dhe institucioni shpirtëror i saj që ndonëse i pashkruar ishte gdhendur në kujtesën e popullit e zbatohej me vullnet të plotë, pa pasur nevojë për trupa gjykuese, prokurorë apo avokatë, temë që Kadare e ka shtratin apo strukturën mbajtëse të veprës së tij dhe posaçërisht në disa vepra që i kushtohen tërësisht asaj.Ishte një botë, ku ëndrra bëhej realitet dhe realiteti shndrrohej në ëndërr, duke kthyer e ngritur role brenda një kulle, diku në shkrepat e një mali, në thellësinë e një humnere apo në faqen e një lugine. Ndërsa libri i Kadaresë “Prilli i thyer” do të joshte profesorin japonez Kazuhiko Yamamoto dhe do ta nxiste të bënte studimin “Struktura etike e Kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore”.

Ai do të pohonte, “21 vjet më parë, lexova një roman të Ismail Kadaresë, të titulluar Prilli i thyer. Kur lexova këtë libër, mendova se Kanuni (që ishte njëra prej temave të romanit) karakterizohej shumë prej etikës dhe moralit… fillova të kryeja kërkime mbi aspektet etike dhe morale të Kanunit… dhe kërkova të gjeja elementë etikë, duke i krahasuar me traditat antike japoneze. Tradita kryesore e Japonisë antike ishte koncepti i Mikut-Perëndi. Kur një i panjohur vizitonte një shtëpi, ai duhej të pranohej si një lloj Perëndie, një lajmëtar i Zotit. Gjatë studimeve të mia, gjeta ngjashmëri midis konceptit të mikut tek Kanuni dhe atij në kulturën antike japoneze.

Gjashtë elementë bazë të Kanunit janë: besa, nderi, miku, gjaku, buka, dhe hakmarrja. Gjithashtu hetova mbi konceptet etike të veprave homerike Iliada dhe Odisea. Këto vepra u shkruan rreth 2700 vjet më parë dhe zbulova, që gjashtë elementët e sipërpërmendur ndodheshin edhe në to. Pra, vura re që elementët etikë të veprave homerike ishin të njëjta me ato të Kanunit. Më pas analizova tragjeditë greke, si për shembull ato të Eskilit dhe Sofokliut, dhe i gjeta këto gjashtë koncepte edhe në ato tragjedi”.E drejta dhe konstitucioni shpirtëror shqiptar i plazmuar shekujsh pas shekujsh erdhi dhe u ruajt deri në ditët tona dhe shërben edhe si shpjegues i koncepteve të lartpërmendura për t’i kuptuar e shpjeguar nga se askund tjetër nuk marrin kuptim.