A ia vlen të kujtohet një president?

1729
Luan Çipi

Omer Nishani, në përvjetorin e lindjes

Omer Nishani lindi në Lagjen Palorto të qytetit të Gjirokastrës, më 5 shkurt 1987 dhe u gjend i vrarë në vilën e tij në Tiranë, më 25 maj 1954. Siç dihet, Dr. Omer Nishani, në vitet e fundit të jetës, ishte gati 8 vjet, (nga viti 1946 deri në vitin 1954) Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Një e vërtetë është e padiskutueshme: Thuajse, e gjithë veprimtaria jetësore e tij ishte në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, me prirje nacionaliste, demokratike e deri fetare dhe në përpjekje për një Shqipëri të civilizuar e të kulturuar me kahje perëndimore. Më 1914 nis punën fillimisht si mjek ushtarak në batalionin e Gjirokastrës e më pas në Vlorë. Më 1914 dërgohet nga qeveria në Vjenë për të praktikuar si mjek ndër klinikat e atjeshme. Më 1915-1918 punon doktor i Bashkisë së Ballshit në varësi të Prefekturës së Beratit.Në vitin 1922 u emërua internist në Spitalin e Tiranës, ku drejtor ishte miku i tij deri në çastet e fundit, doktor Osman Jonuzi. Nga viti 1923 deri 1924 punoi mjek dermatolog në qytetin e Durrësit. Në fillim të 1924 burgoset për dy javë për shkak të pjesëmarrjes në atentatin ndaj Zogut në parlament. Në vitin 1924 mori pjesë aktive në revolucionin demokratiko-borgjez, nën drejtimin e Theofan Nolit. Pas riardhjes së Ahmet Zogut, me ndihmën e bajonetave serbe, Fan Noli me 300 përkrahës të tij besnikë, ku bënte pjesë dhe Omer Nishani, braktisën Tiranën. Ishte Isuf Hamzari nga Borshi, që i hipi ata në anijen italiane “Molfeta”, për t’i çuar në Vlorë, e meqë aty nuk gjetën strehë, emigruan në Itali. Të larguarit u ndanë në dy grupe, ku grupi i parë i përbërë nga Qamil Çela, Haki Stёrmilli, Selim Shpuza, Reshit Daci, Naum Prifti, Demir Godelli, Ferhat Ekmekçiu, Rexhep Filat Çami dhe të tjerë, morën rrugën për Francë. Noli vajti fillimisht në Vjenë, ku bashkë me dr. Omer Nishanin organizoi Komitetin Nacional Revolucionar (KONARE) dhe u lidh me lëvizjet revolucionare të kohës. Në të njëjtin grup mori pjesë dhe Dr. Omer Nishani, i cili jetoi në emigracion për 15 vjet, ku zhvilloi një veprimtari të dendur antizogiste, për çka u dënua me vdekje në mërgim. Po kështu hapi dhe drejtoi gazetën “Liria Kombëtare” në Gjenevë më 1926, organ i Konaresë. Më 1933-1939 e gjejmë emigrant politik në Zante të Greqisë. Gjatë kohës që qëndroi në Austri, doktor Nishani u dashurua dhe u martua me shtetasen austriake Rozvita fon Woler (1896-1971). Së bashku me të shoqen u kthyen në Shqipëri, kur u lejuan, pas largimit të Ahmet Zogut, në vitin 1940. Omer Nishani shumë shpejt u bë Sekretar i Këshillit të Lartë Italian. Isuf Hamzari si ish-komandanti i parë i Marinës Shqiptare dhe Kapiten i Portit të Durrësit nga viti 1924 deri më vitin 1934, ngeli ndër miqtë dhe përkrahësit e afërt të doktorit. Në verën e 1943 Omer Nishani, revolucionar dhe antifashist i hershëm, vetë korrigjoi gabimin, braktisi detyrën komprometuese te italianët dhe mori pjesë në radhët partizane të Frontit Nacional Çlirimtar, duke u vendosur atje në pozicione drejtuese. Në Konferencën e Dytë në Labinot (1943) dr. Omer Nishani, u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar. Ai zëvendësoi Kryetarin e Frontit, Kamber Qafmollën, duke u kthyer kështu në figurën më të rëndësishme qendrore, pas Enver Hoxhës. Në Kongresin e Përmetit në 24-28 maj 1944, u formua Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i përbërë nga 11 veta, ku dr. Omer Nishani u zgjodh kryetar, me funksion të një drejtuesi të pashpallur shteti, kurse në mbledhjen II KANÇ-it në Berat, më 20-23 tetor 1944, me vendimin Nr. 14 të Kryesisë, Komiteti u kthye në “Qeveri Demokratike” me po ata persona dhe me po ato funksione, me këtë renditje: Enver Hoxha, Kryeministër, Ministër për Luftën e Komandën dhe Ministër i Punëve të Brendshme; Omer Nishani, Ministër i Punëve të Jashtme, detyrë që e ushtroi deri më 12 janar 1946; Medar Shtylla, Ministër i Ekonomisë; Bedri Spahiu, Ministër i Rindërtimit; Manol Konomi, Ministër i Drejtësisë; Ramadan Çitaku, Ministër i Financave; Sejfulla Malëshova, Ministër i Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore; Gjergj Kokoshi, Ministër i Arsimit; Spiro Koleka, Ministër i Punëve Botore; Ymer Dishnica, Ministër i Drejtësisë. Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 Omer Nishani, mori mandatin e deputet të Gjirokastrës, të cilin e fitoi për të dytën herë më 28 maj 1950. Më 12 janar 1946, Dr. Omer Nishani, u zgjodh President i Presidiumit të Kuvendit Popullor, post që e mbajti deri në vitin 1953. Do të theksoja, me këtë rast, disa detaje të rëndësishëm nga jeta e Dr. Omer Nishanit, që sipas vrojtuesve të vëmendshëm, ndikuan në “rrokullimën” drejt shkatërrimit të këtij burri të shquar: Në vitin 1944 erdhi në Shqipëri Llazar Papapostoli, i quajtur Lori Post, si oficer i Ushtrisë Amerikane. Ai kishte mbaruar Shkollën Teknike të Harri Fulcit në Tiranë, së bashku me Mehmet Shehun dhe më pas shkoi në SHBA, për të vazhduar studimet e larta. Atje u njoh edhe me Fan Nolin. Më pas u dërgua me mision në Shqipëri, duke u hedhur me parashutë si anëtar i Komandës Anglo-Amerikane, që në atë kohë kishte zbarkuar në Itali dhe mbulonte Shtabin Operativ për Ballkanin. Në Shqipëri ai u bashkua me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë N.Çl. Në vitin 1945 kur u rifut në Shqipëri Misioni i UNRA-s, Llazari u caktua Shef i Misionit për Durrësin. Në një pritje në Hotel “Dajti” ishte me të afërtit e saj dhe e bija e Isuf Hamzarit, mikut të Dr. Omer Nishanit, e quajtur Hënza, 21 vjeçare dhe mjaft e bukur. Llazari u dashurua me Hënzën qysh me shikimin e parë dhe pas disa javësh, ata u martuan zyrtarisht. U vendosën në një apartament në Durrës dhe aty kaluan edhe muajin e mjaltit. Organet e Mbrojtjes se Popullit e arrestuan Llazarin për veprimtari armiqësore dhe e burgosën. Hënza, tashmë e njohur si gruaja e tij, për disa muaj shkoi e mori rrogën e të shoqit në Misionin Amerikan. Kjo u gjet si shkak për “shkelje ligjore” dhe për këtë edhe ajo u arrestua dhe u burgos. Isufi, i ati, shkoi tek miku i tij i hershëm, Omer Nishani, tani Kryetar i Kuvendit Popullor dhe i tha: “Omer, të kam shpëtuar dy herë kokën: Herën e parë kur donte të të arrestonte Ahmet Zogu, isha unë që të hipa në vapor dhe të çova në Itali. Ti emigrove në Austri dhe atje u martove me një austriake. Herën e dytë, në kohën e Italisë, u ktheve në Shqipëri dhe u bëre Sekretar i Këshillit të Lartë Italian. Isha unë që të rekomandova, të hapa organikën dhe të caktova rrogën për të ushqyer familjen. Tani, më ndihmo e ma nxirr vajzën nga burgu. Ma shpërble të mirën me të mirë!” Omer Nishani pasi u mendua një copë herë, iu përgjigj: “Të ndahet! Rrugë tjetër nuk ka”. Isufi, tashmë i thyer në moshë, shkoi në burg dhe i tha të bijës të bënte ndarjen që të shpëtonte nga skëterra ku e kishin futur. Ajo pasi e dëgjoi të atin, iu përgjigj: “Baba unë e dua burrin tim. Me atë nuk jam martuar për përfitime të çastit.” Ato fjalë asaj i kushtuan 4 vjet qeli të errët, lagështi, sëmundje, izolim e përbuzje. Për pasojë, familja patriote e Isuf Hamzarit, u nxor forcërisht nga shtëpia dhe u çua të banonte për dy vjet në një stallë lopësh, diku nga fundi i Rrugës së Kavajës. Më pas, duke parë vuajtjet e prindërve dhe të vëllait, ajo u detyrua të bënte divorcin dhe u internua në Shkodër, pasi në Tiranë konsiderohej njeri i padëshirueshëm. I shoqi, Llazari, bëri 10 vjet burg dhe më vonë u internua dhe ai në Levan të Fierit. Thonë se kjo ngjarje e hodhi në dëshpërim doktorin, që dallohej për besë dhe karakter të fortë. Detaji i dytë nga jeta interesante e Dr. Omerit: Në tetor 1947, gjermania Lote Pilku, kishte shkuar të takonte mikeshën e saj, Rozvitën (gruan austriake të doktorit), të cilës i kishte kërkuar të ndërhynte te i shoqi që t’i falte jetën bashkëshortit të saj, Njazi Pilkut. Lotja ishte njohur me Njazi Pilkun (Jazon), në vitin 1922, kur ai ishte student në Gjermani. Ai, mik i doktorit, vite të tëra punoi pranë Ministrisë Bujqësisë dhe Ushqimit dhe më pas u pushkatua si sabotator. Lotja tani e ve, në moshë 48 vjeçare, filloi punë si pastruese te Omer Nishani. Edhe kjo ngjarje, thonë se e uli besimin absolut ndaj doktorit. Arrestimi i të vëllait, ishte një kërcënim e tronditje tjetër, për Omer Nishanin. Brerje në ndërgjegje, ndofta ndiente edhe pas nënshkrimit për miratim, mbase edhe jashtë vullnetit të tij, të qindra ekzekutimeve me dhe pa gjyq, siç ishte p.sh. rasti i “bombës në Ambasadën Sovjetike”, për çka thuhet se doktori, në shenjë pendimi, kishte goditur deri kokën pas murit. Pikërisht atë vit, Rozvita fon Woler ose Trëndafile, “u ftoh’’ në marrëdhënie me të shoqin dhe e braktisi atë duke shkuar të banonte në një shtëpi tjetër. Në këto kushte e rrethana dëshpërimi, e pasigurie, në kuadër të riorganizimit të përgjithshëm shtetëror në vitin 1953, Enver Hoxha e detyroi Omer Nishanin të jepte dorëheqjen. Më 23 korrik 1953 në mbledhjen e Byrosë Politike, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave, u miratua struktura e re e Këshillit të Ministrave dhe po në këtë mbledhje u rekomandua dorëheqja e Presidentit Omer Nishani dhe zëvendësimin e tij nga veterani tjetër, Haxhi Lleshi. Më 1 gusht 1953 Omer Nishani i paraqiti Kuvendit Popullor dorëheqjen e tij me shkrim. U përpoqën ta justifikonin largimin e tij me sëmundjet që kishte, tuberkulozin e mushkërive, që në ato vite ishte një sëmundje mjaft e përhapur në vendin tonë. 
Sigal