40 vjet nga vrasja e ish-kryeministrit

2012
Sigal

Rrëfimet e ish-Komandantit të Gardës: Natën e vetvrasjes së Mehmetit me “Makarovin” e dhuruar nga Zhukovi, Kadri festonte. Si i ndiqte lëvizjet e udhëheqësve të Bllokut Kadri Hazbiu

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Xhafer Peçit, ish -Komandanti i Gardës së Republikës. Si ruhej “Blloku i udhëheqjes”

 Si e ruanim Enverin dhe Mehmetin mos na i vriste njeri

–  Mehmeti u vetëvra me “Makarovin” e Zhukovit

– Natën e vetëvrasjes së Mehmetit, Kadri Hazbiu festonte

 

Telegraf

 

Supozohej se tre rrethime, nuk mund të lejonin kurrsesi që një person i ardhur nga jashtë, i stërvitur qoftë më së miri dhe nga trupat “Delta”, të mund të hynte brenda vilës ku banonte kryeministri i Shqipërisë. Ushtarë dhe oficerë të Gardës së Republikës, civilë të armatosur dhe grupi personal i shoqërimit, tre hallkat kryesore për mbrojtjen e një njeriu, nuk mund të lejonin qoftë dhe gabimin më të vogël, për ta lënë shefin e tyre të vdiste prej një plumbi të ardhur nga jashtë.

Ish- komandanti i Gardës së Republikës, koloneli në pension Xhafer Peçi, thotë se, ka bindjen e plotë në vetëvrasjen e Mehmet Shehut, natën duke gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981. Madje, sipas tij, një nga pikat më të forta që e vërteton këtë është dhe “letër-testamenti” prej 19 faqesh që ai kishte lënë mbi komodinën e dhomës së gjumit.

Cilat ishin detyrat e Gardës së Republikës?

Detyrat kryesore që kishte Garda ishte ruajtja e shoqërimi i udhëheqjes së lartë në Bllok dhe në vilat e tyre të pushimit si në Dajt, Durrës, Pogradec e Vlorë. Për sigurimin e Bllokut në Tiranë përdorej një sistem mbrojtjeje i sofistikuar, i përbërë nga tri rrethime.

Kur e morët detyrën e komandantit të Gardës?

Në shtator 1972, më thërret në zyrë Hysni Kapo. Më tha se ishte menduar për emërimin tim si komandant i Gardës së Republikës në vend të Zija Kambos. Pas kësaj, unë i thashë se isha i gatshëm të punoja ku ta kërkonte interesi i Partisë. Kisha komanduar disa brigada të rëndësishme në vend, por i erdhi radha të drejtoja dhe Gardën e Republikës, si një nga institucionet ushtarake më të rëndësishme në vend, pasi ajo lidhej drejtpërdrejt me sigurimin e jetës së personaliteteve të larta të Partisë e Shtetit. Mbas disa ditësh, për të më prezantuar përpara efektivit, erdhën Kadri Hazbiu, Haxhi Lleshi dhe Rita Marko.

Në çfarë nomenklature ishte posti juaj?

Emërimi im si komandant i Gardës së Republikës, është bërë me dijeninë dhe aprovimin e Enver Hoxhës, i cili më njihte personalisht që nga koha e Luftës, kur për herë të parë u takuam gjatë përurimit të Brigadës së Parë Sulmuese, në Makërz të Vithkuqit. Po kështu edhe me Mehmet Shehun, që në atë kohë ishte kryeministër, kisha njohje personale, njohje, të cilat fillonin që kur isha partizan i thjeshtë në Brigadën e Parë, të drejtuar prej tij e derisa u emërova zëvendëskomandant dhe komandant batalioni.

Si ishte i organizuar sigurimi i jetës së Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut?

Kur Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu dilnin jashtë kryeqytetit, atëherë krijohej një shtab, i cili kryesohej nga një zëvendësministër i Brendshëm. Ndërsa komandanti i Gardës ishte anëtar i këtij shtabi dhe ishte i detyruar t’i shoqëronte gjithmonë ata, në të gjitha lëvizjet që bënin. Për lëvizjet e dy të mëdhenjve, procedura e kërkonte që në fillim të njoftohej ministri i Brendshëm, duke iu bërë e qartë edhe plani i lëvizjes. Ndërsa gjëja e parë që bëhej në një rast të tillë ishte sigurimi i plotë i rrugëve, urave dhe shesheve ku do të kalohej. Në të gjitha këto pika vendoseshin ushtarë të Gardës, me armatim personal. Pas kësaj, komandanti i Gardës thërriste të gjithë kryetarët e Degëve të Brendshme nga do të lëviznin dy udhëheqësit kryesorë. Ai i pyeste ata se, cilat ishin pikat delikate që do të ruheshin, duke u mbuluar me ushtarë shërbimi.

Po kur udhëheqja shkonte me pushime?

Në të njëjtën mënyrë Garda e Republikës vepronte edhe kur udhëheqësit kryesorë shkonin me pushime jashtë Tiranës. Procedurat ishin sanksionuar si me ligj ashtu dhe me rregulloren e brendshme.

 

Çfarë ndodhi pas vdekjes së Kryeministrit. Dëshmia e shoqëruesit: “Nuk dëgjuam krismë arme”

 

 Mehmeti u vetëvra me “Makarovin” e Zhukovit

 

Ai kishte disa armë zjarri në vilën e tij; çifte gjuetie dhe pushkë automatike, trofe nga lufta. Por ka preferuar që për largimin e tij nga jeta të përdorte një pistoletë “Makarov” të cilën e kishte dhuratë të veçantë…

 

…Xhafer Peçi, tashmë 85 vjeç, thotë për gazetën “Telegraf” se e kujton fare mirë se ç’ndodhi ditën që mori vesh se kryeministri shqiptar Mehmet Shehu ishte vetëvrarë. Madje, ai shprehet se, me këtë ngjarje është e lidhur edhe largimi i tij nga drejtimi i Gardës së Republikës. Donte apo s’donte ai, nën zë flitej se Xhafer Peçi ishte njeriu i Mehmetit, përderisa kishin qenë së bashku në Brigadën I Sulmuese.  Natën e 17 dhjetorit 1981 shërbimet në Bllokun e udhëheqjes vazhdonin normalisht dhe asgjë s’kishte për t’u shqetësuar. Mbledhja e Byrosë Politike kishte përfunduar vonë, por se çfarë ishte diskutuar në të futej në cilësimin “top sekret”. Në mënyrë të përgjithshme dihej vetëm se ish-kryeministri ishte vendosur në shënjestër të kritikave. Ishte koha kur kundër tij ishin hedhur edhe ata, si Lenka Çuko apo Simon Stefani,  që pse anëtarë të një forumi të lartë siç ishte Byroja Politike nuk ishin ndier kurrë më parë. Por vetëm kaq. Askush nga personeli i shërbimit nuk e merrte me mend se vetëm pak orë më vonë gjithçka do të ishte ndryshe. Për sa i përket marrjes vesh se kryeministri shqiptar kishte humbur jetën nga një akt vetëvrasjeje, ish-komandanti i Gardës së Republikës, kolonel Xhafer Peçi kujton: “Lajmin e vetëvrasjes unë e mora vesh të nesërmen në mëngjesin e 18 dhjetorit,. Më mori në telefon zëvendësministri i Brendshëm, Xhule Çiraku, i cili përgjigjej drejtpërdrejt për Gardën. Sapo u mor vesh lajmi i vetëvrasjes së Mehmet Shehu, të parët që shkuan aty ishin, Kadri Hazbiu dhe Ramiz Alia. Njerëzit që përgjigjeshin për jetën e tij kishin vënë re vonesën e shefit të tyre, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Atëherë ata kishin hyrë në dhomën e tij të fjetjes dhe kur kishin vënë re tragjedinë, kishin bërë njoftimet e duhura”. Xhafer Peçi thotë se, për sa kishte ndodhur, ai ishte tronditur shumë, sepse me Mehmetin ishin të njohur të vjetër, kishin luftuar së bashku dhe për më tepër kishte marrëdhënie shumë të mira me të. Me makinën e tij shkon urgjent përpara vilës së kryeministrit, ku fillimisht takohet me Kadri Hazbiun, Xhule Çirakun dhe Llambi Ziçishtin, që në atë kohë ishte ministër i Shëndetësisë. Fillimisht Kadriu me Xhulen e porositin që të mos njoftonte asgjë për ngjarjen derisa të sqarohej gjithçka. Menjëherë pas kësaj, Xhafer Peçi jep urdhër që të përforcohej shërbimi i brendshëm dhe të kalohej në gatishmëri të lartë. Ai kujton se gjatë kohës që po priste në oborrin e vilës, e pyet shefin e grupit të shoqërimit të kryeministrit, Ali Çenon, se si kishte ndodhur ngjarja dhe nga ai merr këtë përgjigje: “Ne nuk kemi dëgjuar gjë, asnjë krismë, por po presim se çfarë do të na thonë dhe se si ka ndodhur puna”. Në orën 9:30 Ramiz Alia e Kadri Hazbiu u nisën në mbledhjen e Byrosë Politike, e cila kishte filluar që një ditë më parë dhe ishte lënë të vazhdonte edhe atë ditë. Pritej reagimi i Enver Hoxhës dhe autokritika e thelluar e Mehmet Shehut. Gjithçka vërtitej rreth emrit të kryeministrit. Fejesa e djalit të tij Bashkimit me Silva Turdiun, volejbollisten e njohur të Dinamos, vajzë nga një familje me probleme në biografi, do të ishte dhe sebepi që do të kryqëzonte kryeministrin e ashpër. “Para ikjes, Kadriu na tha që të forconim shërbimet e të vazhdonte ekspertiza mjekësore-ligjore. Ai sakaq ishte shumë i tronditur. Në ato çaste ne pamë Enver Hoxhën që doli nga vila e tij dhe po shkonte për në mbledhjen e Byrosë Politike. Brenda në vilë, ku ishte kryeministri i vdekur, u futën Llambi Ziçishti me njerëzit e tij. Kur dolën prej andej, ata na thanë se, vetëvrasja kishte ndodhur rreth orës 3:00 të natës. Më pas erdhi dhe një tjetër, zëvendësministri i Brendshëm Raqi Iftica dhe me porosi të ministrit të Brendshëm më tha që të mblidhja oficerët dhe ushtarët e Gardës dhe t’u komunikoja lajmin se Mehmet Shehu ishte vetëvrarë”, kujton Xhafer Peçi. Ai thotë gjithashtu se arma me të cilën u vetëvra Mehmeti, ishte një “Makarov”, regjistruar si dhuratë për kryeministrin shqiptar nga mareshalli Zhukov, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

DËSHMIA

Natën e vetëvrasjes së Mehmetit, Kadri Hazbiu festonte

Është lakuar shumë në media fakti ende i pazbardhur se natën e vetëvrasjes Kadri Hazbiu ka pasur një takim konfidencial me Mehmet Shehun. Në dy versionet e mundshme të këtij takimi, Kadri Hazbiu ose i ka rekomanduar kryeministrit të vrasë veten, ose ka qenë vetë ekzekutori i tij. Por faktet shpesh kundërshtojnë njëra-tjetrën. I pyetur rreth një argumenti të tillë ish-komandanti i Gardës, Xhafer Peçi thotë: “Nuk e di dhe nuk mund të them gjë të saktë për këtë gjë. Unë di, dhe them me siguri, se natën e 17 dhjetorit, Kadri Hazbiu së bashku me disa shokë të tjerë, oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes, kanë qenë në një darkë në Laprakë te sekretari i tij i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili festonte 40-vjetorin. Kadriu, u nis për në Laprakë menjëherë sapo doli nga mbledhja e Byrosë Politike. Duhet të ketë qenë rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Për vendndodhjen e ministrit të Mbrojtjes, unë, si komandant i Gardës, kisha informacion, sepse këtë ma lejonte detyra. Atë darkë ata qëndruan deri në orën 01:00 pas mesnate dhe më pas janë larguar për në shtëpitë e tyre. Unë nuk e di dhe nuk mund të them gjë se, ku ka shkuar Kadri Hazbiu pas asaj darke”.

Rivarimi

Tri varret e kryeministrit

Për 20 vjet me radhë varri i ish-kryeministrit komunist shqiptar nuk kishte asnjë shenjë. Në kujtimet e tij Xhaferr Peçi thotë se, një ditë pasi Mehmet Shehu u gjet i vdekur, nën kujdesin e Kiço Kasapit, sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, u bë varrimi i tij. Arkivolin me trupin e Kryeministrit e hipën në një “Zuk” të zi, ndërsa pjesëmarrës në ceremoninë e përmortshme ishin vetëm familjarët. Ish-komandanti i Gardës shton se me ndihmën e Kiço Kasapit ai vuri në dispozicion dhjetë nga ushtarët e Gardës me qëllim për ta ndihmuar në problemet e varrimit. Në këtë mënyrë Mehmet Shehu, i cilësuar si “armik i popullit”, nuk kishte vend në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, por në varrezat publike të Sharrës. Por duket se, strukturat e larta të partisë-shtet, të cilës vetë Mehmeti i kishte shërbyer për shumë vite, nuk e miratoi as një gjë të tillë. Në këto raste, për “armiqtë” nuk duhet të kishte as varr. Nuk ishte rasti i parë. Tashmë njihet fakti që vetëm pak ditë më pas, ish-kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë (për 27 vjet rresht) u zhvarros nga varrezat e Sharrës. Eshtrat e tij u futën në një varr anonim, diku në afërsi të fshatit Ndroq të Tiranës, buzë lumit të Erzenit. “Rreziku më i madh ishte që ndërsa lumi i Erzenit dilte nga shtrati, mund të rrëmbente dhe eshtrat e tij. Por kjo, për fat, nuk ndodhi në 20 vjet. Vetëm pas 20 vjetësh, me ndihmën e banorëve të Ndroqit dhe të dy djemve të fshatit Sharrë, Kadri e Bujar Muçaj, u bë e mundur që të gjendej vendi, ku ishte varrosur Mehmet Shehu. Këtë herë eshtrat e tij u rivarrosën po në Sharrë, pranë bashkëshortes Fiqerete”, rrëfen ish-komandanti i Gardës, i cili ka marrë pjesë në ceremoninë e rivarrimit. Në këtë ceremoni, ku merrnin pjesë dy djemtë e ish-kryeministrit, të afërm të tjerë dhe ish-bashkëluftëtarë të tij, edhe Xhafer Peçi ka mbajtur një fjalë, ku ka vlerësuar lart kontributin e atij që ai e cilëson: “Komandanti i Brigadës së Parë e luftëtar i Spanjës”.

Lëvizjet

Kadri Hazbiu ndiqte lëvizjet e Enverit dhe të Mehmetit

Në të gjitha rastet, kur dy figurat më të larta të drejtimit të shtetit komunist shqiptar, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu dilnin jashtë Tiranës, për të mbajtur nën kontroll gjendjen krijuar në shtab, i cili kryesohej nga një zëvendësministër i Brendshëm. Komandanti i Gardës ishte anëtar i këtij shtabi dhe detyra e tij kryesore ishte të shoqëronte gjithmonë krerët e shtetit në të gjitha lëvizjet që bënin. “Për çdo lëvizje e dy të mëdhenjve, në fillim njoftohej ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, duke iu bërë e qartë edhe plani i detajuar i lëvizjes. Ai duhet të kishte informacion të vazhdueshëm për çdo gjë”, rrëfen për “Telegraf”, ish-komandanti i Gardës. Gjëja e parë që bëhej, ishte sigurimi i plotë i rrugëve, urave dhe shesheve ku do të kalohej. Pas kësaj, komandanti i Gardës thërriste të gjithë kryetarët e Degëve të Brendshme nga do të lëviznin dy udhëheqësit kryesorë dhe i pyeste se, cilat ishin pikat delikate që do të ruheshin, duke u mbuluar me shërbim. Kishte shumë raste, kur shumë nga njerëzit që konsideroheshin si të dyshimtë dhe me probleme biografike, për të mos i lënë të shkonin në mitingjet e Enver Hoxhës apo Mehmet Shehut, izoloheshin, duke iu caktuar punë të ndryshme, ku mbaheshin nën kontroll të plotë. Por në raste të tjera kur të dyshuarit cilësoheshin më të rrezikshëm, mbaheshin në qelitë e paraburgimit të Degës së Brendshme.

 

 

Kjo intervistë është zhvilluar në vitin 2011