Ilmi S.Qazimi: Gjaku i dëshmorëve rrezaton dritë për kombin

27
Sigal

Me rastin e 80 vjetorit të Br.7-Sulmuese

Trimave që vdesin për liri, lindja ua shoqëron tërë ditët e më pastajme,ndaj është përgjegjësi dhe respekt nderimi i luftëtarëve, partizanëve  dhe të gjithë paraardhësve që gjakun e tyre e vunë në themelin  e lirisë  së Shqipërisë. Me 17 mars mbushen 80 vjet nga dita kur u krijua Brigada e Shtatë Sulmuese Partizane, njëra nga tri njësitë e mëdha që u krijuan gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në rrethin vullkanik të Skraparit.

Aktiviteti luftarak i Brigades së 7-të Sulmuese është i mbushur me plot heroizma si brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Ajo përshkoi një rrugëkalim luftarak prej 3200 km. në kushte shumë të vështira moti e terreni. Kreu më shumë se 120 luftime të përgjakshme siç mund të përmendim; luftimet për mbrojtjen e Kongresit të Përmetit, luftimet për përballimin dhe shpartallimin e mësymjes së nazistëve gjermanë gjatë operacionit të qershorit 1944; luftimet për çlirimin e qytetit të Beratit; të Shupalit;të Lezhës; të Shkodrës; luftimet në Malin e Zi; të Vishegradit dhe të viseve të tjera të Jugosllavisë.

Disa nga kuadrot komanduese e drejtuese të brigadës kanë qenë: Gjin Marku (komandant), KadriHoxha(komisar), Adil Çarçani(zv/komisar), Neshat Hysi (zv/komandant), Bahri Zaimi (komandant artilerie), Izet Hysi (intedent), Irfan Peshtani (shef operativ) etj.Kjo Brigadë i dha lirisë së atdheut 302 dëshmorë. Njëri prej tyre është edhe Hysen Dilaver Zyka.Kishte lindur më  katër mars të vitit 1923 në Çepan dhe kishte shkuar në Vlushë më 17 mars 1944  për  t’u shkruar partizan në Brigadën e Shtatë Sulmuese. Pikërisht në atë  brigadë që i këndohet kënga:“Ç’po lufton Brigada e Shtatë,/Qafë e Shkozës ulërin,/ Partizanët si petrita/,Mbi gjermanët bëjnë kërdinë,/Buçet topi e mortaja,/Therepel e gjer te Vala,/Burra, gra gjithë kanë dalë,/Që t’i bëjnë armikut ballë”.

Dëshmori Hysen D.Zyka

Kush ishte Hysen Dilaver Zyka

Ja se si e kujtojnë Hysenin, vëllain e tyre të ndjerët Nezir e Sadik Dilaver Zyka, në Tiranë më 24.05.2012: “Kur ishte 19 vjeç, në janar 1942 bashkë më vëllanë e vet më të vogël, Dajlanin, shkuan në Tiranë mos gjenin punë e të fitonin ndonjë para për t’ia dalë mbanë. Me ta ishte edhe bashkëfshatari ynë i nderuar Rustem Veiz Basho. Në Tiranë qendruan bashkë rreth gjashtë muaj. Rustemit i bënte përshtypje që Hyseni natën delte dhe nuk tregonte ku vinte, ndaj i dërgon haber të atit, Dilaver Zykës. Ky, i merakosur për djemtë se mos merrnin rrugë të keqe a mos i gjente gjë, i thotë Rustemit që t’ia kthejë fëmijët në fshat. Dajlani u kthye kurse Hyseni u vonua deri në korrik. Ai në Tiranë, siç tregonte më pas, ishte lidhur me grupet komuniste e më tej u lidh edhe me Grupin e komunistëve të Skraparit.Tregonte me pasion rinor për komunistët, idealet e tyre, partizanët e brigadës së shtatë sulmuese etj.

Dhe shkoi në Vlushë për t’u regjistruar partizan. Tok me të shkuan edhe babai, Dilaveri, dhe bashkëfshatari tjetër Demir Laman Musaj, të cilët, të caktuar nga këshilli antifashist nacional çlirimtar i fshatit, morën pjesë në si të pranishëm në krijimin e brigadës dhe u kthyen përsëri në shtëpi në Çepan.Hyseni kish bërë pesë klasë shkollë në Çepan. Në formacionin luftarak të brigadës ai ka qenë komandant i skuadrës automatikse sulmuese, sepse vetëm ata mbanin një kapele me ngjyrë të bardhë. Herën e fundit që ka ardhur në Çepan Hyseni, i gjithë fshati ishte boshatisur sepse po vinin gjermanët në dy kolona nga Sevrani drejt Çepanit…” Kështu tregonin vëllezërit e tij.

Është vrarë më 10 gusht 1944 në luftimet që kanë zhvilluar forcat e brigadës shtatë sulmuese partizane me forcat naziste gjermane pushtuese, në afërsi të Qafës së Sqepurit.Kur më vonë u ndërtua një lapidar kushtuar të rënëve të atij luftimi, ishte edhe emri i Hysen Dilaver Zykës.

Në historikun e Br. 7-të S, botim i vitit 2003, faqe 73 thuhet: “…në afërsi të fshatit Poshnjë…ra heroikisht në fushën e betejës edhe partizani trim Hysen Dilaveri nga Çepani”. Trimi legjendar Vaip L. Gogo, kur ra një herë fjala për djalin e Dilaverit, thoshte, me sa kujtoj, “Hysenji …, ishte trim ai !” dhe tundte kokën siç e kish zakon. Kjo na bën të mendojmë thellë sepse është Vaipi, sinonimi i fjalës trimëri, që e bën këtë vlerësim për Hysen D. Zykën.S’kaluan shumë ditë nga rënia e tij, kur lotët e nënë Rrahimes ende nuk ishin tharë, duke kthyer dhimbjen në forcë, çepanlliu Njazi Q. Laço ngriti këngën të cilën e këndonte me Halim V. Abazin:

“Mu tek ura për matanë/bir Hysen, bir o djalë,(refren )/bëre luftë me gjermanë,/pa hapur mëngjesi mirë/përgatite ushtërinë,more shokë edhe shkove,/mbi gjermanët sulmove./U godite me dyfek të parë,/shokëve u le një fjalë,/i thoni nënes të mos qajë,/rashë dëshmor për vatanë”.

Kjo këngë është kënduar dhe do të këndohet. Për Hysenin janë bërë shkrime në organe të ndryshmetë shtypit periodik, u thurën vargje dhe poezi. Një “kompani e tërë “nipërish e mbesash e kujtojnë atë jo vetëm ditën e rënies, por edhe ditën kombëtare të dëshmorëve, ndaj ai mbetet i pavdekshëm.Me vendim nr.17 datë 27.02.1979 është cilësuar dëshmor i atdheut dhe eshtrat e tij prehen në varrezat e dëshmorëve të rrethit të Skraparit.Emri i tij ishte ringjallur në djalin e parë të Nezir D. Zykës. Fotografia e tij është në stendën e dëshmorëve të kombit shqiptar dhe në librin serial të ‘Yjeve të pashuar’ të këtij populli.Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Skraparit, shkollës tetëvjeçare,më vonë edhe të mesme, të fshatit Çepan iu dha emri “Hysen Zyka”. Emri i dëshmorit, djalit zemërzjarr të Çepanit mbetet jo vetëm në kujtesën e të gjithë banorëve të zonës por edhe të gjithë Shqipërisë.Por në vitin e zi 1997, forca të errta e prishën lapidarin kushtuar këtij dëshmori.  Përse vallë kjo vepër makabre?

Nga e djathta intelektuali Petraq Toli dhe majtas Nefail Zyka, nip i dëshmorit

Akt i rrallë atdhetar i qytetarit Petraq Toli

Çepani, si zonë ka 57 dëshmorë  dhe si fshat me histori disa shekullore të dokumentuar, ka në altarin e të rënëve të tij  gjashtë dëshmorë.Më i riu ndër ta ishte dhe mbeti Hyseni, moshatarë të gjallë  të të cilit sot në fshat është vetëm një burrë.Ky burrë, Qemal H.Bego,Hero i Punës Socialiste, ish-partizan i Br10S, që koha e pati caktuar të punonte 14 vjet në Kutalli e 12 vjet në Uravajgurore(sot Dimal) ishte mësuar që sa herë të kalonte aty në kryqëzimin e rrugëve të Poshnjës,ashtu si dhe familjarëve e shumë prej nesh më të rinjve, të krenohej kur lexohej emri i bashkëfshatarit  të vet dëshmor. I pikoi në zemër atij dhe mjaft të tjerëve kur dikur, dikush, nuk e dimë pse, (po e themi të zbutur paksa) e shkatërroi dhe pastaj e hoqi lapidarin !?U shqetësuan edhe dy vëllezërit e moshuar e të sëmurë të dëshmorit, edhe disa prej nipërve të tij.  Por rregullat e sotme janë të tilla që duhen shumë pará e shumë kohë për të bërë një dava të tillë. Burri çepanlli, tashmë pensionist veteran me banim në Tiranë, por i lidhur me luftën si partizan aq sa edhe me vendlindjen, qysh para pesë vitesh këtë shqetësim e pati biseduar me disa shokë të tij të shoqatës, por edhe me disa të tjerë vendas dikur vartës të tij. Këtë ‘vrerosje’ e vuri vëth në vesh   njeriu i rrallë, qytetari nga Kozara, zoti Petraq Toli, zemra e të cilit mori një vendim: ‘ta ndërtoj të ri atë lapidar!’

Ju lutem më kupto mirë i nderuar lexues se ç’po them: një intelektual me shpirt të thekur atdhetar, një dashamirës i shoqatës atdhetare kulturore “Çepani”, një ish-kuadër  i lartë i mekanikës bujqësore e atëkohë diku në një punë shteti si aksekush, merr një vendim që të rindërtojë një lapidar për një dëshmor  të një fshati të thellë të Skraparit, të vrarë treçerek shekulli më parë në një llogore partizane në një fshat të qarkut të Beratit! Ai nuk mendoi e as nuk përfitoi, asnjë interes material, asnjë shpërblim, asnjë tender, asnjë honorar, asnjë ‘drekë’! Vetëm se tregoi thjeshtazi, pa bujë e pa lavde,shpirt atdhetar dhe ndjenjë  përgjegjësie shumë të lartë prej shqiptari të vërtetë. Ju lutem a ia gjeni dot shoku në këto vite, njeriut të tejrespektuar Petraq Toli?

Pionierë dhe vëllai i Dëshmorit, Muharrem Zyka pranë lapidarit

Ishte pikërisht ky qytetar patriot, që me inisjativën e tij, me shpenzimet e tij dhe me miratim të organeve përkatëse të Kuçovës e ringriti të veçantë dhe madhështor lapidarin e dëshmorit Hysen Zyka. U bë edhe një përurim dinjitoz i atij objekti të bukur më më 28 shtator 2017, në Poshnjë  pranë shkollës nëntëvjeçare me përkujdesjen dhe organizimin e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Çepani”. Aty morën pjesë edhe prefektja e qarkut të Beratit Znj.Valbona Zylyftari,e cila  foli me respekt të veçantë për këtë veprimtari dhe  i mëshoi shumë mendimit se  për dëshmorët e atdheut duhet të mos rreshtim duke punuar që emri i tyre të shkëlqejë,  sepse ata janë  krenaria e vendit dhe lavdia e kombit.Foli pak edhe veterani z.Gaqi Ziu, pjesëtari i familjes poshnjake ku dëshmori kish kaluar natën e fundit të jetës së tij. Ishin14 pionierë që kishin orën e edukimit qytetar bashkë me mësuesin përkatës dhe drejtorin e shkollës. Tregon Riza Njazi Laço,anëtar i kryesisë së Shoqatës Atdhetare Kulturore “Çepani” dhe i biri i këngëthurësit për dëshmorin : ‘fëmijët ishin shumë të emocionuar sepse nuk kishin parë kurrë një lloj aktiviteti të tillë, dhe më luteshin kur u jepia një portret adeziv të dëshmorit  secilit,”dua edhe një  për motrën” e dhe “për vëllain e vogël”.

Morën pjesë dhe folën ish-Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Kombëtare  për familjet e  Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare  dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut  i ndjeri Dalan Buxheli,  kryetari i O.K.D.A. të qarkut Berat z.Skënder Mustafaraj, anëtari i K.P.të OKDA përgjithshme koloneli në pension Rushit Kuçi, Mihal Bardhi, Naim Kaleci, Skënder Mustafaraj, nënkryetari Bashkisë Shpëtim Vrapi. Ishin aty mjaft pasardhës veteranësh të komunës e tre nipër të dëshmorit. Vëllai i dëshmorit Muharrem Zyka që ndonëse në një gjëndje të rënduar shëndetësore  erdhi, dhe ndër të tjera tha: ”Më duket sikur po e shikoj të gjallë tim vëlla, ju faleminderit shumë. Jetë të gjatë e punë të mira, siç ke bërë deri tani, bëfsh gjithë kohën i nderuar Petraq!” Dhe e veçanta tjetër më e fuqishme që duam ta ritheksojmë: lapidarin e ideoi, ndërtoi së bashku me shokët Nuri Zhivini, Robert Zyka, Andrea Goga dhe financoi vetëm dashamirësi i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Çepani” z. Petraq Toli.Ka qenë 28 shtator 2017, në Poshnjë pranë shkollës nëntëvjeçare kur u përurua lapidari i ri kushtuar dëshmorit Hysen Dilaver Zyka dhe kanë kaluar shtatë vjet nga ajo datë, por vepra e Peraq Tolit mbetet po aq heroike thuajse sa ajo e partizanëve trima. Është mishërim i një realiteti të pakundërshtueshëm: që dëshmorët e atdheut i respekton vetë shpirti dhe zemra e kombit shqiptar.

Vetranet Qemal Bego, Gaqi Zi, prefektja Valbona Zylyftari, Vullnet Zylyftari, etj

Me modestinë që e karakterizon foli edhe z.Petraq Toli, të cilit Kryesia e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Çepani” i dha çertifikatën e mirënjohjes me  motivacionin: “Nismëtar, organizator dhe realizues i objektit përkujtimor kushtuar dëshmorit Hysen Dilaver Zyka, lindur në Çepan dhe rënë në Poshnjë, si dhe për ndihmesë të veçantë që ka dhënë e jep  në veprimtaritë atdhetare kulturore të shoqatës”Çepani”. Tani e tutje të gjithë kalimtarët midis tyre edhe çepanllinjtë sa herë që do të ndodhën pranë lapidarit me mermer të bardhë ku shkruhet “Këtu ra dëshmor Hysen Dilaver Zyka, nga Çepani, 10.8.1944” do të vendosin lule të freskëta në nderim të dëshmorit, birit të fshatit dhe tërë Shqipërisë, Hysen D.Zyka ish-partizan i Brigadës së Shtatë Sulmuese.