100 vjetori i Kongresit Kombëtar të Lushnjës/ Kozma Gjini: Cilët ishin delegatët, familjet mikpritëse të Myzeqesë, vendimet, rëndësia historike për Shqipërisë dhe jehona e tij në botë.

2560
Sigal

 Tentativat e para për një Kuvend Kombëtar u bënë në dhjetor të vitit 1919

 100-vjetori i Kongresit Kombëtar të Lushnjës dhe Rëndësia

  Mikpritësit e Myzeqesë kishin caktuar edhe familjet, se ku do të bujtnin delegatët e Kongresit

-Çfarë solli ky Kongres në historinë e Shqipërisë dhe jehona e tij në botë

 Nga Kozma GJINI

…Kishte kaluar një shekull nga koha kur “kancelari i hekurt” gjerman, Bismarku, e cilësonte Shqipërinë thjesht si një “shprehje gjeografike”. Por kjo kohë kishte perënduar. Edhe pse Fuqitë e Mëdha, me “Paktin e Fshehtë të Londrës, 1915”, ligjëruan copëtimin e trojeve shqiptare. Ndërkohë që edhe Qeveria e Durrësit u tregua e paaftë për mbrojtjen e çështjes shqiptare, fatin e kombit e morën në dorë patriotët e vërtetë dhe vetë populli shqiptar. Në Lushnjë kishin spikatur trimat që u dhimbej kombi dhe ishin gati të sakrifikonin për të. “Liria e Shqypnisë”, 7 korrik 1911 shkruante: “… Llazar Bozo, Ikonom Dhima, Taullah Sinani, Besim Nuri, Jovan Ndreko etj, hartuan e realizuan planin e kryengritjes së armatosur kundër garnizonit turk me qendër në Lushnjë”. Kurse shovinistët fqinjë i kishin shtrirë tentakulat mbi truallin shqiptar. Në këtë situatë u mblodh Kongresi Kombëtar i Lushnjes. Qëllimi ishte vetëqeverisja e vendit, bashkimi i kombit në luftë kundër fuqive të huaja dhe krijimi i shtetit demokratik.

Kongresi i Lushnjes (21-31 janar 1920) është ngjarja më e rëndësishme e kombit, pas Shpalljes së Pavarësisë. Madhështia qëndron në faktin se ky Kongres hodhi themelet e shtetit demokratik shqiptar. Burrat e mençur të këtij vendi, të ndjeshëm ndaj copëtimit të trojeve, guxuan të merrnin përgjegjësinë për organizimin e rezistencës popullore, për t’i thënë: “Ndal!” synimeve ekspansioniste koloniale.

Tentativat e para për një Kuvend Kombëtar u bënë në dhjetor të vitit 1919, në teqenë e Karbunarës, nën kujdesin e vet Sheh Ibrahim Karbunarës. Duke qenë se mjediset e teqesë ishin të pamjaftueshme, Komisioni organizator hodhi mendimin që të bisedohej me familjen “Fuga” dhe pa asnjë hezitim, z. Kaso Fuga ua liroi kongresistëve shtëpinë. Në Komisionin Organizator të Kongresit ishin: B. Nuri, F. Vokopola, I. Karbunara, T. Sinani, E. Vokopola, Ll. Bozo, M. Vokopola, Q. Mullaj, Z. Mullaj, J. Bozo, E. Frashëri, N. Sefa, J. Sefa, B. Haxhiu, H. Xheka, A. Kurti… etj. Ardhja e delegatëve nisi që më 15 janar. Kështu nga Berati do të vinin 8 delegatë: (Ilia Vrioni, Ll. Goxhomani, Hysein Nikolica, Bektash Cakrani, Kamber Belishova, Spiro Papa, Sheh Ibrahim Karbunara, Llazar Bozo); Durrësi 5 delegatë: (Xhaferr Ypi, Irfan Ohri, Shezivar Alltuni, Mutesim Këlliçi, Abdi Toptani); Vlora 4 delegatë: (Qazim Kokoshi, Ymer Radhima, M. Hamzaraj, Dhimitër Qypi); Korça 8 delegatë: (E. Frashëri, Kostaq Kota, S. Blloshmi, Gjokë Dinka, I. Kosteni, Sali Butka, F. Frashëri, Beqir Rusi); Dibra 4 delegatë: (Dine Nasuh, Ramiz Daci, Dine Demo, Ahmet Zogu); Elbasani 7 delegatë: (Kasem Sejdini, Filip Papajani, Aqif Elbasani, Adem Gjinishi, Qazim Durmishi, Asllan Shahini, Sali Ceka); Gjirokastër 10 delegatë: (Kiço Koçi, Veli Hashorva, Ali Kumbaro, Sezai Çomo, K. Radovicka, A. Këlcyra, Spiro Kosova, R. Babameto, Dervish Seiti, Arshi Shehu); Shkodra 6 delegatë: (Xhemal Naibi, M. Logoreci, Hoxha Kadri, Ndoc Çoba, Rexhep Shala, Ejub Çobri) dhe Malësia e Gjakovës 2 delegatë: (Hasan Batusha e Xhemal Beu).

Mikpritësit e Myzeqesë kishin caktuar edhe familjet, se ku do të bujtnin delegatët e Kongresit, njerëzit që do të siguronin mbrojtjen e jetës së delegatëve, qetësinë e punimeve. Kryetar i komisionit për mbrojtjen e Kongresit u caktua Llazar Bozo. Disa nga familjet që strehuan kongresistë ishin: Fugët, Topulli, Libohova, Besim Nuri, Emin Vokopola, Ibrahim Karbunara, Hasan Islami, Nebi Sefa, Mustafa Bani, Taullah Sinani, Murat Delvina, Petro Muzaka, Andon Gjini, Taq Kondakçiu, Kosta Robo, Cen Cani, Harallamb Pambuku, Ymer Korreshi etj… Mbarë vendi e përshëndeti faktin që asnjë incident nuk ndodhi me delegatët në trojet e Myzeqesë.

…Ja çfarë shkruan në ditarin e tij ish-mësuesi, atë kohë nxënës në Plotoren e qytetit të Lushnjës, z. Koli Allkanjari, “Qytetar nderi”:

 “…E shkruar ditën e mërkurë, 21 janar 1920. Sot është një ditë e shënuar. Mësonjësit na kishin porositur se në qytetin tonë të vogël, do të mblidhet një kuvend i madh, me delegatë nga tërë krahinat e vendit. Ne shkuam tek Bashkia, ku na priti një burrë që merrej me shpërndarjen e materialeve për zbukurimin e qytetit. Ai na dha disa flamuj të vegjël. Në bashki njerëzit hynin e dilnin me nxitim. Disa delegatë të Kongresit kishin ardhur gjatë javës dhe rrinin nëpër baza tek njerëzit e besuar në qytet e në fshatra të Lushnjës. Njerëzit mbanin lule e flamuj nëpër duar. Ne u dhamë flamurë delegatëve, kur na drejtonte mësuesi, sepse ne nuk i njihnim delegatët me përjashtim të ndonjërit që dukej kur zbriste nga kali apo karroca. Më e bukur me flamuj ndriçonte rruga e Fugëve… Disa njerëz bisedonin me zë të ultë se në Durrës, ata që nuk e donin Kongresin, kishin vrarë prapa shpinës delegatin Abdyl Ypi.”

“Liria e Shqypnisë”, e atij viti shkruante: “… Kongresi të mbahej në Lushnje, sepse Lushnja ishte në kërthizë e urë lidhëse mes gegërisë e toskërisë, se “….në Lushnjë… se…si Shqipëria e Veriut, ashtu dhe e Jugut, lehtazi kanë me i bashku zanat e bisedimit”. Kurse “Mbrojtja Kombëtare” e Kosovës”, 7 janar 1920, duke iu drejtuar Komitetit organizator shkruante se “Paria e Lushnjes tregoi në krahasim me vendet e tjera një kurajë civile më të madhe, prandaj duhet me i çue asaj një letër përgëzimi e mirënjohjeje”. Në gojë të popullit adresohet edhe roli i personaliteteve historike të trevës, nga më të dalluarit e vendit, si afrues të sigurisë, garancisë e kushteve që kuvendi të bëhej qetësisht në Lushnjë. Konsulli anglez Iden, i cili bujti në teqenë e Sheh Karbunarës i mbështeti këto ide përparimtare. Ndërkohë, po citoj një dokument autentik arkivor. Në dokumentin origjinal “Rilindja e Shtetit Shqiptar” datë më 26 shkurt 1920 shkruhej: “Çelja e Parë e Mbledhjes Kombëtare, 21.01.1920 p. Dreke. Tue qenë dita e caktueme për çeljen e Mbledhjes Kombëtare, me gjithë vonesën e letërthirrjeve, nuk kanë arritur shumica e delegatëve. Delegatët e arrijtun u mblodhën në Sallën e Mbledhjes në shtëpi të Z. Kaso Fugës, e pasi u bë një lutje prej të përndershmit Sheh Ibrahim Karbunarës, zotni Ferid Bej Vokopola, në emër të Komisionit të Lushnjës, mbajti një ligjëratë për mirëseardhjen e delegatëve. Shkëlqesia e tij z. Aqif Pasha Elbasani (Biçakçiu), iu përgjigj kësaj ligjërate me fjalë patriotike të flakta. Mbas kësaj ceremonie, Komisioni i përmendun u hoq e mbledhja filloi nga punët. Përkohësisht u emnue si sekretar i Kuvendit Z. Ferid Vokopola. Për të kqyrun letërpërfaqësimet e delegatëve u zgjodh një komision i posaçëm prej 5 vetash. Irfan Bej Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kota, Faslli Frashëri dhe Adem Gjinishi. Mbas kësaj zgjedhjeje u vendos që mbledhja t’i pushojë punët përderisa të mbërrijnë shumica e delegatëve”. Organizatorët kishin çuar lajm që çdo nënprefekturë të zgjidhte 2 delegatë për në Kongres. Edhe pse nuk kishin ardhur të gjithë delegatët, Kongresi i filloi punimet në datën 21 janar ora 10:00. Situata e brendshme, ringritja dhe organizimi i shtetit mbi baza ligjore, masat për mbrojtjen nga synimet shoveniste dhe administrimi i vendit, ishin reokupacioni i mbledhjes. Në ballë të faqes së murit të sallës ku u ulën delegatët (në disa banka të nxënësve të shkollës Plotore), ishin vendosur portretet e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, mbishkrimi “RROFTË SHQIPËRIA E LIRË DHE E PAVARUR”, si dhe Flamuri i qendisur i kombit shqiptar, siguruar nga nënprefekti Veli Vasjari. Ora 10 paradite. Delegatët ngjiten në sallë. Në të djathtë të presidiumit të mbledhjes, sipër bankës, ishte vendosur një beze e zezë, homazh për delegatin Abdyl Ypi (dëshmori i parë i Kongresit).

Kongresi i hapi punimet nën tingujt e këngës “Himni i Kongresit” i cili ishte krijuar enkas nga Ferid Vokopola, himn i cili gjallëroi e rriti ndjeshëm frymën e patriotizmit në sallë dhe u bë i njohur shpejt në mbarë vendin. Ja refreni i himnit:

…Shkrepi drita, në Lushnje u lind një diell

Shqipëria lidhi besë.

 Dëshmoi bota, dëshmuan yjet në qiell

 Për ty, o i larti Kongres!….

Aqif Pashë Elbasani u zgjodh kryetar i Kongresit, Sotir Peci nënkryetar dhe dy sekretarë: Koço Kota dhe Ferit Vokopola. Në seancën e parë u mbajtën fjalime të zjarrta, por për shkak se një pjesë e delegatëve lajmërohej se ishin në rrugëtim e sipër, punimet u shtynë. Më 28 janar ora 14:00 rifilluan punimet dhe vijuan normalisht deri më 31 janar.

Kongresi mori vendime të rëndësishme për fatet e kombit. Vizioni perëndimor i qeverisjes demokratike bëri që Kongresi të votonte dokumentin më të rëndësishëm: “Bazat e Kanunores”. Kanunorja, (Statuti), përbënin aktin e parë kushtetues që ligjëronte sovranitetin e plotë të Shqipërisë, bazën ligjore të themeleve të shtetit. Kongresi hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes së Parisit që sanksiononte copëtimin e Shqipërisë. Ai dërgoi atje një delegacion që përbëhej nga: S. Delvina, L. Bumçi, M. Turtulli e M. Konica.

Kongresi, (mbështetur në gjeografinë dhe përkatësinë fetare), zgjodhi Këshillin e Lartë të përbërë nga 4 vetë që do të luante rolin e Kryetarit të shtetit. Anëtarë të Këshillit të Lartë u zgjodhën: Aqif Pashë Elbasani, dr. Mihal Turtulli, Luigj Bumçi dhe Abdi Toptani. Paralel me Qeverinë, Këshilli ishte organ ekzekutiv. Si formë e regjimit u parapëlqye mbretëria, por funksionin e saj…do ta kryente Këshilli i Lartë. Këshilli i Lartë kishte këtë formulë betimi: “Betohem në emër të Perëndisë duke dhënë besën shqiptare e fjalën e nderit para mbledhjes së kombit se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht e do të mbroj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë”.

Këshilli i Lartë betohet përpara Kongresit Kombëtar, kurse Kabineti Qeveritar betohet përpara Këshillit të Lartë. Kongresi zgjodhi edhe Këshillin Kombëtar të përbërë nga 37 vetë e që do të luante rolin e parlamentit. Kongresi zgjodhi Qeverinë me Sulejman Delvinën në krye. Përbërja:

Sulejman Delvina kryeministër; Hoxha Kadria ministër i Drejtësisë; Ahmet Zogu ministër i Brendshëm; Sotir Peci ministër i Arsimit; Ndoc Çoba ministër i Financave; Mehmet Konica ministër i Jashtëm; Ali Riza Kolonja ministër i Luftës, Idhomen Kosturi Drejtor i Përgjithshëm i Postave dhe Eshref Frashëri Drejtor i Punëve Botore. Kongresit të Lushnjes i atribuohet edhe caktimi i Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë. Në përfundim të punimeve, Ahmet Zogu u dërgoi një qarkore gjithë prefekturave të vendit për njohjen e Kongresit. Shqipëria e Jugut u ngrit me armë kundër Italisë. Tërheqja e Italisë që nga Vlora ishte rezultat i ngritjes së revoltës popullore, i bërjes së shtetit, i cili po i tregonte botës se ishte formuar dhe po funksiononte. Produkt i këtij bashkimi (Kongresi), ishte një sukses absolut, shprehur me rifitimin e pavarësisë, ruajtjen e tërësisë territoriale, rimëkëmbjen dhe ndërtimin e shtetit demokratik, i cili më pas do të çonte në pranimin në Lidhjen e Kombeve (dhjetor 1920). Fuqitë e Mëdha hoqën dorë nga synimet për copëtimin e Shqipërisë. Në këtë kohë, pas një muaji, Shqipërisë iu gjend një mik siç ishte Amerika. Është meritë që edhe sot ruhet në Shtëpinë e Kongresit vula dhe stilografi me të cilin kanë nënshkruar aktet procedurale delegatët. Kongresi i Lushnjes u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë dhe hodhi poshtë planet e Konferencës së Parisit.

Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes bëri një mbledhje në Lushnjë në shkurt 1920 dhe vendosi që të qëndronte në Kavajë derisa të futeshin paqësisht në Durrës, sepse gjenerali italian Raimondo i ndaloi. Pas një proteste dhe presioni për t’u hapur rrugën dhe gjetja e gjuhës, bëri që qeveria të udhëtonte për në Tiranë. Në mesin e shkurtit 1920, Qeveria e Tiranës i kërkoi gjeneralit italian Orlando që të mos e njihte qeverinë e Durrësit, po atë të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Qeveria e Durrësit ia dorëzoi pushtetin qeverisë së Tiranës, më 22 shkurt 1920. Nisur nga rëndësia e këtij akti patriotik mëmëdhetar, prof. Shaban Sinani do të nxirrte konkluzionin: “…Është pak të thuhet se Kongresi i Lushnjes rikonfirmoi pavarësinë e Shqipërisë. Kongresi i Lushnjes edhe e rishpalli Pavarësinë e Shqipërisë”. Patrioti Avni Rustemi ka deklaruar ligjëratën lapidare në kohën e duhur:Trimërisë klasike i përgjigjet Lushnja dhe Vlora”.

Për festimin e 100-vjetorit të Kongresit Kombëtar, Bashkia e Lushnjes ka kohë që ka filluar përgatitjet për një festë dinjitoze, informuese, kulturore, argëtuese e mbresëlënëse. Rrugët e qytetit janë zbukuruar me flamuj, banderola e portrete të delegatëve e Kongresit. Ka qenë një javë e ngarkuar me aktivitete nëpër shkollat e qytetit. Do të ketë vizita në shtëpinë muze “Kongresi i Lushnjes”, fletëpalosje, përkujtimore e ligjërata, koncert recital nga artistët e qytetit dhe të QKF. Qytetarët dhe miqtë (ku nuk do të mungojnë edhe të ftuarit nga qendra dhe pasardhës të figurave kontribuese të Kongresit) paraditen e datës 21 janar do të ndjekin montazhin muziko-letrar dhe fjalimet e rastit me tematikë mbi rëndësinë historike të Kongresit Kombëtar të Lushnjes, i cili hodhi themelet e shtetit demokratik shqiptar.

(Qeveria duke hyrë në Tiranë)

 

Historiku i Lushnjes

Lushnja është një qytet në Shqipërinë qendrore. Ajo ka 58.200 banorë (2005) dhe është kryeqendra e rrethit së Lushnjes. Qyteti i Lushnjes shtrihet në lindje të fushës së Myzeqesë, buzë kodrave të Darsisë. Territori i tij ze një sipërfaqe prej 37 km². Bashkia Lushnje numëron një popullsi prej rreth 60000 banorë. Qyteti është i ndarë në tetë lagje, të organizuara në pesë rajone.

Objektet e pushtetit vendor janë të vendosura në sheshin qendror, po këtu janë edhe institucionet kulturore artistike, historike, sportive etj. si: Kinoteatri, Muzeu Historik, Biblioteka Publike, Qendra Kulturore e Fëmijëve, Stadiumi etj. Kinoteatri mban emrin e këngëtares së madhe Vaçe ZelaStadiumi i qytetit të Lushnjës mban emrin e legjendës së futbollit lushnjar dhe atij shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu. Në qytetin e Lushnjes ka një rrjet të tërë institucionesh arsimore dhe kërkimore kombëtare. Instituti i Kërkimeve Bujqësore, tashmë me emërtim të ri, zhvillon prej dekadash një veprimtari të gjerë kërkimore-shkencore me dobi kombëtare. Katër vite më parë, aty u çel filiali i Universitetit Bujqësor të Tiranës. Gjithashtu këtu gjendet edhe shkolla e mesme bujqësore profesionale kombëtare, e cila është hapur dekada më parë. Përgjatë bulevardit kryesor, shtrihet lulishtja e madhe e qytetit. Sipërfaqe të gjelbra ka edhe në brendësi të lagjeve. Vitet e fundit, rrugët e qytetit janë më të gjelbëruara me pemë dekorative të llojeve të ndryshme.

Lushnja ka një pozitë të favorshme gjeografike. Këtu kryqëzohen arteriet më të rëndësishme të komunikimit ndërqytetës. Autostrada veri-jug kalon pranë qytetit. Nga këtu nis edhe rruga më e rëndësishme e lindjes, Berat -Skrapar e më tej. Gjithashtu nëpërmjet rrugëve dytësore, Lushnja ka shkurtuar distancën me Elbasanin dhe qytetet e tjera të këtij qarku.