Zëdhënësi i DASH: Nuk mund ta vërtetojmë se Serbia i ka tërhequr trupat nga kufiri me Kosovën

46
Sigal

Shtetet e Bashkuara nuk kanë mundur ta vërtetojnë se Serbia i ka tërhequr trupat dhe mjetet ushtarake nga kufiri me Kosovën, tha të hënën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Ai theksoi se Uashingtoni vazhdon të jetë i shqetësuar për rritjen e vazhdueshme të tensioneve dhe dhunës së herëpashershme në veri të Kosovës.

Të hënën më herët, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, tha se Serbia i ka tërhequr disa prej trupave të ushtrisë së vet të vendosura pranë kufirit me Kosovën, pasi e kishte rritur numrin e trupave atje pas sulmit të një grupi të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë Afrim Bunjaku.

“I kemi parë lajmet se Serbia i ka tërhequr trupat, por ne nuk kemi mundur ta vërtetojmë ende në mënyrë të pavarur këtë”, tha Miller gjatë një konference për media të hënën.

Ai tha se SHBA-ja do të kërkojë ta vërtetojë këtë dhe se “nëse kjo është e vërtetë, atëherë ky është hap i mirëseardhur, diçka për të cilën bëmë thirrje të ndodhte javën e kaluar”.

“Dua t’ju informoj se nuk ka pasur ngritje të gatishmërisë së plotë luftarake të Forcave të Armatosura të Serbisë, por vetëm prani dhe angazhim të shtuar të njësive”, tha ai.

Mojsilloviq tha gjatë një konference për media në Beograd të hënën se “pas shpërthimit të krizës së sigurisë”, më 24 shtator, Ushtria serbe e rriti praninë e saj në “zonën e sigurisë tokësore dhe në perimetrin rreth vijës administrative”, ku më 25 shtator “ishin 8.350 pjesëtarë të ushtrisë”.

Sot në këtë linjë, tha Mojsilloviq, janë “më shumë se dyfish më pak ushtarë”.

Më 29 shtator, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë që t’i tërheqë trupat e saj nga kufiri me Kosovën, duke e cilësuar këtë veprim si “një zhvillim shumë destabilizues“.

BE-ja ia dërgoi të njëjtën thirrje Serbisë një ditë më vonë, përmes shefit të diplomacisë, Josep Borrell./ REL