Rrapo Taho: KATEGORIA E PARË/ Flamurtari skuadër e ndërtuar mirë, do kolaudohet

14

Ish-qendërmbrojtësi i Flamurtarit dhe i Kombëtares,  Rrapo Taho shpreson te ngjitja

Sigal

Agron KAJA

“Skuadra e Flamurtarit duket e ndërtuar mirë dhe me elementë të ndërthurur mes përvojës, talentit e së ardhmes. Ishte një ndeshje e luftuar me Apoloninë, por nuk u shfrytëzuan mirë momentet për golin”

Dje Kategoria e Parë i mbylli të gjitha ndeshjet e javës së gjashtë, ku përveç rezultateve që u shënuan dhe të 13 golave, mes tyre pati edhe surpriza. Fitorja e Vorës në Luz dhe humbja e AF Elbasanit në Peshkopi veçohen si rezultate të pamenduara para tyre, ndërkohë që Flamurtari e Tomori u ndalën në fushat e tyre me barazime 0-0 me Apoloninë e Lushnjen. Për gjithçka që prodhoi kjo javë, gazeta “Telegraf” bisedoi me Mjeshtrin e Madh të futbollit shqiptar, ish-mbrojtësin e Flamurtarit dhe të Kombëtares, Rrapo Taho, i cili nuk e ka me merak se skuadra e tij barazoi dje në Vlorë. “Me sa është parë në fushën e lojës në këto gjashtë javët e para të Kategorisë së Parë, skuadra e Flamurtarit duket e ndërtuar mirë dhe me elementë të ndërthurur mes përvojës, talentit e së ardhmes. Ishte një ndeshje e luftuar me Apoloninë, por nuk u shfrytëzuan mirë momentet për golin, si dhe fati nuk e deshi që të merrnim tri pikët. Gjithsesi, barazimi ishte më shumë një rastësi dhe skuadrën do ta shohim në vazhdimësi, madje që në ndeshjen e radhës me Besën, ku do të jetë një Flamurtar shumë ndryshe nga gjashtë javët e para, sepse ende nuk është kolauduar mirë”, ky ishte meraku i Rrapo Tahos në fillimin e bisedës, ndërkohë që për Kategorinë e Parë në tërësi, ai ka mendimin se duhet të rritet më shumë në nivelin e ndeshjeve. “Natyrisht që duhet të rritet më shumë niveli në këtë kategori, sepse aty janë dhjetë skuadra që kanë luajtur në Superiore dhe kanë dalë kampionë. Flamurtari, Apolonia, Elbasani, Tomori, Besa, Bylis, Lushnja, Kastrioti, Korabi e Burreli kanë përgjegjësinë që këtë kategori ta ngjisin si një Superiore më vehte”. Madje për Mjeshtrin Taho, e gjithë Kategoria e Parë do të ketë një “marsh më të lartë” në vazhdimësinë e saj, dhe këtë ai e mbështet jo vetëm te skuadra e Flamurtarit, por tek të gjitha pa përjashtim. “E shikoni edhe Vorën se ku është në renditje, një skuadër e re dhe debutuese në Kategorinë e Parë. Skuadrat po ndryshojnë, dhe unë kam shumë besim se do të shohim ndeshje më me nivel, pse jo edhe të bukura. Duhet të jemi të ndërgjeshëm të gjithë ne, ashtu edhe drejtuesit e klubeve e trajnerët, se kolaudimi i të gjitha skuadrave do gradualitet, i cili nuk mendoj se do të zgjasë në dy apo tre javët në vazhdim. Gjithsesi, jemi në një kampionat të luftuar dhe me rivalitet, kun ë krye po dallojnë skuadrat e përvojës”, kështu e mbylli bisedën Mjeshtri i Madh, Rrapo Taho, për Flamurtarin në Veçanti, dhe në tërësinë e gjashtë javëve në Kategorinë e Parë.

40 vite “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, dhe … “Linja për ju Shqarri”!

Për gazetarinë sportive në Shqipëri, dje data 2 tetor 2023 ishte një ditë e veçantë, 40 vjetori i themelimit të emisionit radiofonik sportiv “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Në këtë kujtesë vjen natyrshëm Mjeshtri i Madh, gazetari Ahmet Shqarri, themeluesi e drejtuesi i këtij emisioni për 20 vite rresht, i cili me kurajo e profesionalizëm e themeloi dhe drejtoi këtë emision që gjatë rrugës e ktheu në “magji” për shqiptarët e dashuruar pas futbollit. Në këtë 40 vjetor nuk janë disa nga ata që vendosën emrin e tyre në atë start, ndërsa “Ikona” e këtij emisioni, Komentatori Ismet Bellova me gjithë armatën e radiokronistëve të tjerë nga e gjithë Shqipëria, do të mbeten të stampuar në memorrjen e shqiptarëve. “Linja për ju Shqarri”, sot tingëllon si një arritje e paarritshme në radiofoninë tonë sportive!

KATEGORIA E PARË

REZULTATET, JAVA 6 

Të dielën, 1 tetor 2023

Tomori-Lushnja             0-0

Bylis-Kastrioti                3-1

Të hënën, 2 tetor 2023

Luzi2008-Vora               0-1

Burreli-Besa                   4-1

Flamurtari-Apolonia       0-0

Korabi-AF Elbasani        2-1

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Bylis                  6        16

2.AF Elbasani       6        13

3.Vora                  6        12

4.Apolonia            6        11

5.Flamurtari          6        9

6.Tomori              6        9

7.Korabi               6        8

8.Kastrioti            6        6

9.Burreli               6        4

10.Besa                6        4

11.Lushnja            6        4

12.Luzi 2008        6        2

Të shtunën Vora-Bylis, kryendeshja për kreun

Edhe pse java e 6-të i mbylli dje ndeshjet e saj, vëmendje ka marrë gjatë komenteve edhe sfida e javës së 7-të të Kategorisë së Parë, Vora-Bylis. Ballshiotët kryesojnë renditjen me 16 pikë, ndërsa Vora me 12 pikë renditet në vendin e 3-të. Në bisedë telefonike me dy trajnerët e këtyre skuadrave, u mësua se synim kryesor kanë fitoren. Duke qenë një sfidë që përball dy skuadra të kreut të renditjes, ajo mbetet si kryendeshja e javës së 7-të, e cila luhet ditën e shtunë datë 7 tetor 2023, ora 14:00.