‘Vdekje Amerikës’, Udhëheqësi Suprem i Iranit: I dhamë shuplakë në fytyrë SHBA, por nuk ishte e mjaftueshme

516
Sigal

I ashpër ka qenë udhëheqësi Suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei, teksa ka reaguar pas sulmeve me raketa balistike ndaj dy bazave ajrore amerikane në Irak.

Në një deklaratë bërë para shumë mbeshtetesve, pak pas sulmeve, ai ka thënë se kjo ishte një përgjigje ndaj sulmit të SHBA-së dhe vrasjes se gjeneralit më të lartë iranian Qasem Soleimani.

“I dhamë një shuplakë në fytyrë. Kur bëhet fjalë për konfrontim, veprimet ushtarake të këtij lloji nuk janë të mjaftueshme.

E rëndësishme është që prezenca e korruptuar e Shteteve të Bashkuara duhet të marrë fund”, deklaroi prere ai.

Komentet u bënë në një fjalim përpara mbështetësve, ku u dëgjuan edhe thirrjet “vdekje Amerikës”, teksa shumë prej të pranishmeve shpërthyen në lot.

Nga sulmi me raketa balistike të nisura nga Irani, u goditën dy baza ajrore amerikane në Irak.

Televizioni iranian ka folur për 80 të vdekur dhe qindra të plagosur, por nuk ka ende nga ana e SHBA të dhëna zyrtare lidhur me pasojat e këtij sulmi.