Reportazh:Në pritje të një dite pune te “Ushtari i Panjohur

454
Sigal

 

Qentë si pushtetarë të rrugëve kanë filluar të imitojnë korbat

Në pritje të një dite pune te “Ushtarit të panjohur”

Vladimir Muça

Në këtë funddhjetori, rreth “Ushtarit të panjohur”, nën akuarelin e lakuriqtë të pemëve, është ulur këmbëkryq acari. Në llohën e imët që zbret nga Dajti pikturon portretin e një ekzistencializmi të pritshëm dimëror.  Gjethet e verdha, me shpirtin ndër dhëmbë derdhin pusetave durimin e fundit vjeshtor. Hapat e plumbtë të  të papunëve dhe zëri i zvargët “ a keni punë zotni” godet si në humbëtirë kambanën e durimit, që sot  e njëzet e pesë vite u kalit në zjarrin e tubimeve; ku gumëzhitja e njerëzve dhe e mushkonjave anafel u bënë një në portat e fshehura të qeverive.  Nën harkun prej bryme të ushtarit çlirimtar, hera-herës shkrepandrisin rrezet e një ylberi, trallisen me ngjyrat e mendjes, molisur nga një pritje e zvetënueme,  e marrin rrokopujën gjirizeve të metropolit me gjethet e zverdhura. Në pritje të ditë – punës, zemra vdes ngadalë, shuan shpresat si gjethet vjeshtake të një peme. Keqardhja për një ditë të humbur, në boshësi, si ujëvarë e turbullt, rrjedhë nëpër travertin e gurtë të fytyrave.   Nga pusetat e hapura, avujt e kalbësirave shtëllungohen në dritën e mekur të syve, ulen këmbëkryq në zërin e fjetur të mendjes, nën peshën e thirrmës:  “ A keni punë zotni? “ A ke punë zotni?”… Një thirrmë e kahershme migjeniane, që s’na u nda shekujve, si kjo krakëllimë e korbit të zi.  Mbi supet e luftëtarit gugat një pëllumb i bardhë dhe kraket një korb i zi. Shiu i zi përzierë me llohën e cingërt dhe glasat e zhgjyera rrëshqet  nëpër bronz  në pafundësi shpirtrash. Në dritaren e kujtesës, zogjtë e shpresave bisedojnë me cicërima si në një pus-humbëtirë. Korbi i zi shikon pendët e bardha të pëllumbit, që zbardhëllejnë mes kësaj zhulësi ngjyrash, të cilat pastelohen si mendimet e të papunëve mbi një çati të vjetër hartosathyer, në baladat e vjetra të kujtimeve.   I kraket kërcënueshëm korbi pëllumbit: “Koha  jote perëndoi…Ç’më rri akoma përkarshi?” Fraqi, që zbret vrullshëm nga murranat e “Daj Cenit” tutje mbi Qafë Priskë ia shkundte bronz mendimet e trishta korbit xheloz, duke e lëne të këndellet me një nostalgji të papeshë, në gjithë këtë tollovi.   Qentë si pushtetarë të rrugëve kanë filluar të imitojnë korbat.

  I papuni në mëdyshje nuk po di çfarë me bërë këtë fund dhjetori

Të rropatet rreth “Ushtarit të panjohur” me atë shikimin e damllosur të korbit të zi, apo të shkojë e të ushqejë me shpresën e hidhur fëmijët në shtëpi..?    Të vendnumërojë këmbësoren në pafundësi gjer sa gjymtyrët e shpirtit të groposen bashkë me gjethet shpirtvdekura, në kërkim të së pamundurës në këto qeveri,korb të zi..?   Duke shikuar pëllumbin dhe  “Ushtarin e panjohur” në dritësy, ai arrin të kontrollojë shqisat e shpirtit, mundohet të kuptojë se e keqja nuk qëndron vetëm te ai korb i zi apo tek ato tufa qensh lukuni, por thellë – thellë në veten e tij. Ajo e keqe rrinë kulaç si një gjarpër i zi, që sa herë ka uri, na gërryen përbrenda me helm e dredhi. E ahere, mbi supet e luftëtarit, korbi i zi nga degët e lakuriqta të kujtesës, i krekoset,pëllumbit stoik, me bardhësi shpresash, mes shakullimeve, hipur në arkën e legjendës së Noes. Korbi i zi trandet, joshet nga urtësia e pëllumbit, mendon të ndërrojë rrolet se edhe Noeja për një qëllim i lëshoi, të zbulonte tokën shpëtimtare.  Sheston i papuni ndër vete mendimet. E bardha është e bardhë e zeza mbetet gjithnjë e zezë. Korbi fluturoi një grimë herë në ujin e pafund dhe u kthye pendëlodhur në arkën galerë, ndërsa pëllumbi s’e ndali kërkimin gjer në tokën e shpresave, gjer në fundjetë.  Ju shtetarë të paudhë, në shpirt dogmatë, me një paudhësi, që mund të lind një buzëqeshje, apo një të vërtetë, që mund të mëkëmbë një tragji- komedi në familjet tona, të zhytemi në varfëri; gjykojeni, gjykojeni zotërinj tani

” Ja na erdhi Viti i Ri”

Cicërimat e tyre dhe cicërima e fëmijëve me këngën ” Ja na erdhi viti i ri” kryqëzohen e përplasen në muzgun e zemrës të fundvitit, si grahma e fundit e të shkuarës dhe si një frymëmarrje e parë për të ardhmen. Djepi i ninullave ndër piskama protestash e demonstratash vazhdon si njëzet e pesë vjet më parë e në vazhdim me këngën e vjetër. Mbështetur në bishtin e lopatës,  i papuni, me sytë ndër yjet e parë, një lutje për bukën përditshme thërret.