Uragani Hilary/ SHBA-ja dhe Meksika goditen nga erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm

42
Sigal

Një uragan i quajtur “Hilary” ka vënë në alarm brigjet perëndimore të Shteteve të Bashkuara dhe të Meksikës. Kalifornia është shteti më i rrezikuar.

Ekspertët thonë se uragani ka pësuar një zbutje sapo preku brigjet gjatë natës, por sërish konsiderohet kërcënues për jetët e njerëzve pasi shpejtësia e erërave ka arritur në 140 km në orë.

Një person humbi jetën duke kaluar një përrua në Baja California të Meksikës, thanë zyrtarët. Ai po udhëtonte në një makinë me 3 fëmijët e tij dhe bashkëshorten, por të gjithë të tjerët mundën të shpëtojnë.

Kjo  është stuhia e parë tropikale që godet shtetin amerikan në më shumë se 80 vjet.

“Hilary duket se po dobësohet shpejt”, tha një specialist i uraganeve për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Megjithatë ai nënvizoi se Kalifornia dhe Nevada rrezikohen nga përmbytje të rrezikshme deri katastrofike. Gati 26 milionë njerëz në jugperëndim të SHBA janë vënë paralajmëruar të bëjnë kujdes nga një valë përmbytjesh.

Edhe vetë Presidenti amerikan Joe Biden kërkoi angazhim maksimal të strukturave shtetërore ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të përgatiten për stuhinë.

Autoritetet lokale po ofrojnë thasë me rërë për banorët që kërkojnë të mbrojnë pronat e tyre kundër përmbytjeve.

Uraganet dhe stuhitë tropikale janë të zakonshme në Meksikë. Por hera e fundit që një stuhi tropikale përfshiu shkretëtirën e Kaliforninë jugore ishte në vitin 1939.