U gjet e pajetë në Trikala, dyshohet se 16-vjeçarja shqiptare të ketë kryer vetëvrasje. Shkoi tek kisha dhe…

263
Sigal

Detaje të reja dalin në dritë në lidhje me tragjedinë e ndodhur në Trikala me një vajzë 16-vjecare shqiptare, që është gjetur sot e vdekur. Sipas burimeve policore, nga hetimet e para dyshohet për vetëvrasje. Sipas oficerëve, që janë në dijeni të hetimeve për rastin e 16-vjeçares në Trikala, skenari më i mundshëm është që vajza të jetë ngjitur në kishë në një lartësi të konsiderueshme dhe më pas të ketë rënë në mënyrë të pavullnetshme. Në kishën, nga ku dyshohet të ketë rënë edhe vajza aktualisht kryhen punime dhe skela është e ngritur. Vendi ku u gjet trupi (shumë afër skelave) bëri që policia të ketë si dyshim të parë atë të vetëvrasjes, pa përjashtuar veprën penale të vrasjes.

Në të njëjtin informacion thuhet se ekzaminimi mjekoligjor tregon përputhshmërinë e dëmtimeve të 16-vjeçares me një rënie nga një lartësi e madhe. Në të njëjtën kohë, hetimi i policisë deri më tani nuk zbulon praninë e një personi të dytë në zonën ku vajza 16-vjeçare u gjet e vdekur. Sidoqoftë, hetimet e deritanishme po lëvizin në mjedisin familjar të të miturës. Vajza u gjet e vdekur këtë mëngjes nga punëtorët e pastrimit të komunës së Trikalës në zonën e kodrës së Profit Ilias .

16-vjeçarja ishte larguar nga shtëpia e saj për shëtitje të martën në mbrëmje dhe nuk u kthye më. Ndërsa u gjet e vdekur në pyllin pranë kishës dhe sipas informacioneve, ajo ka, lëndime në fytyrë dhe në pjesë të ndryshme të trupit të saj. Familja ka qenë duke kërkuar për vajzën që nga dita e djeshme. Motra e saj binjake madje bëri edhe një denoncim në polici, duke deklaruar se për shumë orë nuk mundet dot të komunikojë me motrën.

Shqiptarja 16-vjeçare jetonte me familjen e saj në qendër të Trikalës. Sipas informacioneve, ajo ka një motër binjake dhe dy vëllezër të moshës 27 dhe 30 vjeç. Babai i saj ka qenë këto ditë në Shqipëri për shkak të detyrimeve të punës. Prindërit dhe ata të mjedisit miqësor dhe familjar janë thirrur në Shtabin e Policisë në Trikala për të dhënë dëshminë e tyre. Policia vazhdon ta mbajë të bllokuar ende zonën ku ka ndodhur ngjarja me qëllim mbledhjen e të dhënave, dhe të elementëve që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes.