Turqia “merr në dorë” tregun bankar në Shqipëri, BSH licencon ‘Ziraat Bank’

Banka shtetërore turke merr miratimin përfundimtar nga Banka e Shqipërisë, duke forcuar praninë financiare të Ankarasë në sektorin bankar shqiptar

Tregut bankar shqiptar pritet t’i shtohet një tjetër aktor me kapital turk. Banka e Shqipërisë ka miratuar licencimin e degës së bankës shtetërore turke “Turkiye Cumhuriyeti Ziraat Bankasi A.S., Albania”, duke i hapur rrugë nisjes së aktivitetit të saj në vend.

NOA

Vendimi është marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e datës 6 maj 2026, ndërsa u bë publik dje. Më herët, në gusht të vitit 2025, institucioni kishte dhënë miratimin paraprak për licencim.Ziraat Bank do të bëhet banka e dytë me kapital tërësisht turk që operon në Shqipëri, pas Bankës Kombëtare Tregtare (BKT).Hyrja e Ziraat shihet si një tjetër hap në zgjerimin e ndikimit ekonomik dhe financiar të Turqisë në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përmes dy institucioneve të mëdha bankare me kapital turk, Ankaraja konsolidon praninë e saj në një sektor strategjik si ai bankar, me ndikim të drejtpërdrejtë në kreditim, depozita dhe financimin e biznesit.Ziraat Bank është banka më e madhe shtetërore në Turqi dhe një nga institucionet financiare më të mëdha në rajon. E themeluar në vitin 1863, fillimisht si fond për financimin e bujqësisë gjatë periudhës osmane, ajo operon sot në dhjetëra shtete dhe zotëron asete që tejkalojnë 200 miliardë dollarë në nivel grupi.

Sipas të dhënave zyrtare, 100% e aksioneve të bankës zotërohen nga Fondi Turk i Pasurisë, një fond publik në pronësi të shtetit turk. Në tregun vendas turk, Ziraat ka një rol dominant në kreditë për strehim dhe në financimin e tregtisë së jashtme.

Aktualisht, banka operon në 22 vende të botës, përfshirë Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, Gjermaninë, Greqinë dhe Britaninë e Madhe, ndërsa ka zgjeruar vazhdimisht aktivitetin e saj në Ballkan.Sipas legjislacionit shqiptar, licencimi i një banke të huaj kalon në dy faza: miratimin paraprak dhe licencën përfundimtare. Gjatë periudhës 12-mujore pas miratimit paraprak, subjekti duhet të plotësojë kushtet teknike, organizative dhe financiare për nisjen e aktivitetit, përfshirë kapitalin, stafin dhe infrastrukturën operative.Banka e Shqipërisë bëri të ditur se dega shqiptare e Ziraat do të ushtrojë veprimtari bankare dhe financiare në përputhje me kushtet e licencës së miratuar.Licencimi i Ziraat Bank vjen vetëm pak muaj pas hyrjes së “Bankës Jet” në tregun shqiptar, duke sinjalizuar një fazë të re lëvizjesh në sektorin bankar, i cili vitet e fundit ka njohur konsolidim, por edhe interes të shtuar nga kapitali i huaj.