Putini paralajmëron përgjigje të mundshme ushtarake ndaj NATO-s

178
Sigal

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se do ta shqyrtojë përgjigjen ushtarake, nëse vendi i tij ndihet i kërcënuar nga NATO-ja. Kjo është shenjë se ai nuk është i gatshëm që t’i ulë tensionet rreth pushtimit të mundshëm të Ukrainës.

Me një ton luftarak, presidenti rus, i cilia ka kërkuar “garanci të sigurisë” nga NATO-ja, tha para komandantëve më të lartë se Perëndimi e ka fajin për rritjen e tensioneve, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.

“Nëse homologët tanë perëndimorë vazhdojnë një linjë qartazi agresive, ne do të ndërmarrim kundërmasa ushtarako-teknike proporcionale dhe do të përgjigjemi vendosmërisht ndaj hapave jomiqësorë”, tha Putini në komentet e transmetuara në televizion.

“Ajo që Shtetet e Bashkuara janë duke bërë në Ukrainë është në pragun tonë dhe ata duhet të kuptojnë që nuk kemi askund tjetër ku të shkojmë. Nën mbrojtjen e tyre, ata janë duke armatosur dhe duke u bërë thirrje ekstremistëve nga një vend fqinj drejt Rusisë. Në Krime, për shembull. A mendoni se ne thjesht do të shikojmë kot”, shtoi ai.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, pretendoi se një kompani private ushtarake amerikane ka siguruar armë kimike dhe është duke planifikuar një “provokim” në qytetet lindore ukrainase të Avdeevka-s dhe Krasny Liman-it. Ushtria ruse kishte bërë pretendime të ngjashme në të kaluarën në Siri, ndonëse sulmet e parashikuara nuk kishin ndodhur.