Trump emëron Sekretarin e ri të Mbrojtjes

450
Sigal

Zv/sekretari i Mbrojtjes, Patrick Shanahan, është emëruar shef i ri Pentagonit, njoftoi Presidenti Donald Trump.

Shanahan është emëruar pas dorëheqjes së James Mattis i cili tha në letrën e dorëheqjes se pikëpamjet e tij nuk janë plotësisht “të përafërta” me ato të presidentit Donald Trump.

“Meqë keni të drejtë të keni një sekretar të Mbrojtjes, pikëpamjet e të cilit janë më të harmonizuara me të tuat mbi këto dhe çështje të tjera, besoj se është e drejtë që unë të jap dorëheqje”, shkroi gjenerali Mattis në letrën e tij.

Letra e tij u bë publike shumë shpejt pasi Trump shkroi në Twitter se Mattis do të pensionohet në fund të muajit shkurt. Ndërsa Shanahan do ta marrë rolin e tij më 1 janar.

Presidenti amerikan, Donald Trump, përmes rrjetit social Twitter tha se “Patrick ka një listë të gjatë të arritjeve”.

“Është kënaqësi për mua të njoftoj se zëvendësministri i Mbrojtjes, Patrick Shanahan, do të shërbejë si ministër i Mbrojtjes prej 1 janar 2019. Patrick ka një listë të gjatë të arritjeve gjatë shërbimit si zëvendësministër i Mbrojtjes dhe më parë në ‘Boeing’. Ai do të jetë i shkëlqyeshëm,” tha Trump.