Trump: 85 përqind e atyre që mbajnë maska, infektohen nga virusi

308
Sigal

Presidenti amerikan Donald Trump dhe rivali i tij, Joe Biden u përballën me votuesit e pavendosur në dy skena të ndryshme të enjten në mbrëmje.

Trump, i cili është infektuar dhe shëruar nga koronavirusi i ri, deklaroi sërish se maska nuk është efektive.

“Një ditë më parë dolën me një deklaratë se 85 përqind e atyre që mbajnë maskë, infektohen,” tha presidenti në Majemi.

Ai e ka bërë edhe më herët këtë deklaratë, duke theksuar se studimi vjen nga Qendra për Parandalimin e Sëmundjeve.

Një ditë më parë, presidenti Donald Trump deklaroi se djali i tij, Barron, po e merr veten mirë nga koronavirusi. Ai shtoi se nuk priste që 14-vjeçari të merrte veten kaq shpejt, duke insistuar se fëmijët duhet të kthehen nëpër shkolla.

Gjatë një tubimi elektoral, ai tha: “Barron Trump është infektuar me virusin kinez”. “Kina është Kina dhe ky virus erdhi nga Kina, ndaj është virusi kinez”, tha ai.

“Ai u prek për një periudhë shumë të shkurtër, madje mendoj se as e dinte që ishte prekur”. “Për shkak se janë të rinj, sistemi i tyre imunitar është i fortë dhe e mposht virusin”.

Trump tha se Barron e kishte virusin për dy sekonda, përpara se të rezultonte negativ.

“Për shkak se kalon kaq shpejt, unë them që të hapim shkollat. Ktheni fëmijët në shkolla,” tha Trump.