Tragjedia e rrëzimit të avionit në Indi, motorët ishin pa probleme! Çfarë e shkaktoi përplasjen fatale?!

7
Sigal

Kryetari i Air India, N Chandrasekaran, deklaroi se njëri prej motorëve të avionit që u rrëzua javën e kaluar ishte i ri, ndërsa motori tjetër nuk ishte planifikuar për mirëmbajtje deri në dhjetor të vitit 2025. Ai theksoi se të dy motorët kishin “historik të pastër”.

Në një intervistë për kanalin indian ‘Times Now’, Chandrasekaran tha se motori i djathtë ishte instaluar në mars të vitit 2025, ndërsa motori i majtë ishte mirëmbajtur për herë të fundit në vitin 2023 dhe do të kalonte kontrollin tjetër në fund të këtij viti.

Më 7 qershor, të paktën 270 persona, shumica pasagjerë, humbën jetën kur avioni Boeing 787-8 Dreamliner me numër fluturimi AI171, që po udhëtonte drejt Londrës, u rrëzua pak më shumë se një minutë pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit në Indi. Hetuesit po punojnë për të analizuar mbetjet dhe për të dekoduar të dhënat nga kutitë e zeza të avionit për të zbardhur shkakun e aksidentit.

“Në media po qarkullojnë shumë spekulime dhe teori, por ajo që di unë është se ky avion konkret ka një histori të pastër,” tha Chandrasekaran duke paralajmëruar kundër nxjerrjes së përfundimeve të parakohshme. Ai shtoi se ekspertët janë optimistë se kutitë e zeza do të tregojnë historinë e plotë dhe se duhet vetëm të presim rezultatet.

Eksperti i hetimeve ajrore Kishore Chinta, i cili ka punuar me Autoritetin Indian të Hetimit të Aksidenteve Ajrore, tha  se gjendja e motorit nuk lidhet domosdoshmërisht me moshën e tij, veçanërisht për motorët Genx-1B të përdorur në Boeing 787-8.

Këta motorë, prodhim i GE Aerospace, nuk ndjekin një plan fikse mirëmbajtjeje, por monitorohen vazhdimisht nga një sistem digjital i quajtur FADEC, i cili bazon vendimet për mirëmbajtje në të dhënat e performancës. Megjithatë, disa pjesë të motorit, të quajtura pjesë me jetë të kufizuar (LLP), kanë një jetëgjatësi të përcaktuar që zakonisht është midis 15,000 dhe 20,000 cikleve pune, ku çdo ndezje dhe fikje e motorit përbën një cikël.

Ndërkohë, Air India njoftoi një ulje prej 15% të fluturimeve ndërkombëtare me avionë me trup të gjerë deri në mes të korrikut, për shkak të ndikimit të aksidentit. Në një deklaratë të mërkurën, kompania përmendi se ky vendim është marrë për shkak të rrethanave të përziera, përfshirë kontrolle më të rrepta sigurie, kujdes më të madh nga ekuipazhi dhe stafi tokësor, si dhe tensionet në Lindjen e Mesme.

Inspektimet janë kryer tashmë në 26 prej 33 avionëve Boeing 787-8 dhe 787-9 të Air India, të cilët janë “lejuar për fluturim”. Inspektimet për avionët e mbetur pritet të përfundojnë në ditët në vijim, ndërsa edhe flota e Boeing 777 do të kalojë kontrolle shtesë sigurie.

Rregullatori indian i aviacionit kërkoi këto masa parandaluese pas aksidentit fatal.