Sulm kamikaz në Damask, viktima e të plagosur

431
Një kamikaz hodhi vetën në erë në kryeqytetin sirian duke vrarë të paktën 9 persona. Më shumë se 10 të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e shpërthimit që ndodhi në sheshin Tahrir, një nga pikat e referimit të Damaskut.
Mediat lokale raportojnë për të paktën 19 viktima, po kjo s’është konfirmuar nga autoritetet. Këto të fundit thanë se policia diktoi dhe u vu në ndjekje të tre kamikazëve që ishin nisur në një mision vetëvrasës në kryeqytet.
Mësohet se dy prej tyre u ndaluan nga policia dhe mjetet që ata drejtonin u shpërthyen në mënyrë kontrolluar. Por kamikazi i tretë mundi që të futet në sheshin Tahrir dhe hodhi veten në erë pasi u rrethua nga policia.
Autoritetet në Damask thanë se kamikazët kishin planifikuar që të sulmonin disa zona të populluara të kryeqytetit në ditën e parë të punës pas muajit të shenjtë mysliman të ramazanit, por organet e sigurisë nuk e lejuan këtë.
Kryeqyteti Damask është kryesisht nën kontrollin e qeverisë edhe pas 6 vitesh lufte civile që vazhdon, por sulmet aty nuk kanë munguar kurrë. Më i fundit ishte ai i marsit kur 40 persona, shumica e të cilëve pelegrinë irakianë, u vranë si pasojë e dy autobombave që shpërthyen ën qytet.
Sigal