Suedia, përkrahëse e fuqishme e integrimit të Kosovës në BE

500
Sekretarja e Shtetit për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ulrika Modeer, tha sot në Prishtinë se Kosova dhe Suedia janë partnerë të fortë dhe ka vlerësuar lartë bashkëpunimin në mes të dy vendeve. Po ashtu, ajo ka rikonfirmuar mbështetjen e shtetit të Suedisë ndaj procesit të liberalizimit të vizave si dhe axhendës evropiane të Kosovës në përgjithësi.
Sigal

“Kosova dhe Suedia kanë partneritet për një kohë të gjatë në reforma dhe zhvillim duke pasur fokus klimën dhe mjedisin, qeverisjen demokratike, reformën e administratës publike si dhe zhvillimin ekonomik. Pasi që Kosova është duke lëvizur më pranë BE-së, ne jemi fokusuar në reformat dhe respektimin e të drejtave të njeriut, në mënyrë që të promovohet zhvillimi socio-ekonomik. Në aspektin ekonomik, mbështetja bilaterale e Suedisë në Kosovë arrin në rreth 9 milionë euro në vit”, theksoi Modeer. Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, ka pritur sot në takim një delegacion të shtetit suedez, të kryesuar nga Sekretarja e Shtetit (zëvendësministre) për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ulrika Modeer.

“Suedia është përkrahëse e fuqishme e integrimit të Kosovës në BE”, thekson njoftimi i dërguar nga ministria kosovare. Në takim kanë biseduar për bashkëpunimin bilateral midis të dyja shteteve, axhendën evropiane të Kosovës e me theks të veçantë për procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët si dhe implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asoociimit, të nënshkruar në mes Kosovës dhe BE-së.
Zëvendësministri Ilazi ka falënderuar Modeer për përkrahjen e vazhdueshme që populli dhe qeveria e Suedisë i ka ofruar Republikës së Kosovës, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe integrimit evropian. Vetëm për periudhën 2014-2020, Suedia do ta përkrahë Kosovën me afër 70 milionë euro, në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim të nënshkruar mes të dyja vendeve në tetor të vitit 2015.

Ilazi e ka njoftuar Modeer me punën dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian. Sa i përket MSA-së ka thënë se është miratuar Programi kombëtar për zbatim të MSA-së, ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave ka theksuar se më 15 janar është dorëzuar inputi i fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave nga raporti i 18 dhjetorit 2015 i Komisionit Evorpian. “Tani jemi në pritje të realizohet vizita e paralajmëruar e komisionerit të BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, në Kosovë, në mënyrë që të lëvizim tutje në këtë proces me rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha zëvendësministri Ilazi.