Spanja përvëlohet nga zjarret, mbyllen rrugë e hekurudha në Galicia, 7 persona humbin jetën

Spanja po kalon një nga verat më të rënda të dy dekadave të fundit, teksa 14 vatra zjarri vijojnë të përpijnë mijëra hektarë tokë. Autoritetet paralajmërojnë se kushtet e pafavorshme, të shkaktuara nga vala e të nxehtit që ka hyrë në ditën e saj të 12-të dhe erërat e forta nga jugu, po e bëjnë betejën me flakët edhe më të pamëshirshme. Deri më tani, nga zjarret janë shënuar 7 viktima, duke e rënduar edhe më tej bilancin tragjik të situatës.

Në rajonin e Galicias, disa vatra u bashkuan duke formuar një front zjarri gjigant, i cili bllokoi rrugë e linja hekurudhore, ndërsa flakët nga provinca Ourense u përhapën deri në Zamora. Banorët u detyruan të braktisin shtëpitë, por pati edhe nga ata që vendosën të qëndrojnë për t’i mbrojtur me çdo kusht. Paralajmërimi nga shërbimi kombëtar i motit AEMET është i qartë: rreziku ekstrem i zjarreve në veri dhe perëndim mbetet në nivele alarmante, me temperatura që në brigjet veriore pritet të arrijnë deri në 40°C.

NOA

“Një tjetër ditë kritike përpara, me rrezik ekstrem për vatra të reja,” paralajmëroi kryeministri Pedro Sanchez. Në Castile dhe Leon, pranë Molezuelas de la Carballeda, zjarrfikësit po përballen me një nga zjarret më të mëdhenj në historinë e Spanjës, i cili për momentin nuk ka avancuar, por rreziku mbetet i lartë. Situata është aq e paqëndrueshme, sa flakët mund të shpërthejnë jashtë kontrollit brenda pak minutash.

Dy persona u arrestuan në Costa da Morte të Galicias, pasi dyshohet se ndezën zjarre ndërsa digjnin ilegalisht kabllo bakri për të nxjerrë metalin. Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, që nga fillimi i vitit, Spanja ka humbur mbi 157 mijë hektarë pyje e toka, gati dyfishin e mesatares vjetore që nga 2006-a — një bilanc që e bën këtë vit një nga më shkatërrimtarët në historinë e fundit të vendit.