SHBA, publikohen emailet, tregojnë ndërhyrje të Rusisë

488
Djali i madh i presidentit Donald Trump publikoi të martën një shkëmbim e-mailesh, nga të cilët del se ai kishte biseduar rreth planeve për të dëgjuar informacione që dëmtonin kandidaten demokrate Hillary Clinton gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

Në e-maile, dhënia e këtyre informacioneve përshkruhet si pjesë e mbështetjes së “Rusisë dhe të qeverisë së saj për zotin Trump”.

Këto e-maile janë prova e parë dokumentare që tregojnë se një bashkëpunëtor i lartë i zotit Trump ishte angazhuar me vetëdije, në atë që besohej se ishte një përpjekje e qeverisë ruse për të ndihmuar kandidatin Trump në zgjedhje.

Në njërin nga e-mailet dërguar djalit të zotit Trump, Don Trump Jr., një publicist me emrin Rob Goldstone përpiqet të rregullojë një takim me një avokate, të cilën ai e përshkruan si “avokate të qeverisë ruse”.

Zoti Trump Jr. ishte mjaft i angazhuar në fushatën presidenciale të babait të tij.

Ai i publikoi e-mailet të martën në Twitter dhe lëshoi një deklaratë, ku thoshte se po e bënte këtë për të qenë “tërësisht transparent”. E-mailet me publicistin Rob Goldstone tregojnë se zotit Trump Jr. i ishte thënë se qeveria ruse kishte informacione që mund të “inkriminonin” zonjën Clinton dhe marrëdhëniet e saj me Rusinë.

Goldstone i shkruante zotit Trump Jr. se informacioni që do të merrte “do të ishte shumë i dobishëm” për të atin e tij, kandidatin Trump. Goldstone po punonte për ta lidhur zotin Trump Jr. me avokatin rus Natalia Veselnitskaya, e cila më vonë u takua me zotin Trump Jr. në Nju Jork, në Kullën Trump. Veselnitskaya mohon se ka punuar ndonjëherë për qeverinë ruse.

“Nëse kjo është e vërtetë, e dua këtë informacion, sidomos më vonë gjatë verës,” iu përgjigj publicistit Goldstone zoti Trump Jr. në një nga emailet, që zoti Trump postoi të martën në Twitter. Mesazhet datojnë në fillim të qershorit 2016.

Të shtunën, Trump Jr e përshkroi takimin me avokaten si një “takim të shkurtër fillestar”, i përqendruar te birësimet amerikane të fëmijëve rusë.

Një ditë më vonë, Trump Jr e ndryshoi versionin e tij, duke pranuar se i ishte thënë paraprakisht se Veselnitskaja mund të kishte informacion “të dobishëm” për fushatën Trump dhe gjatë takimit iu tha se ajo kishte diçka për kandidaten Clinton.


Sigal