Samiti i Kryeministrave – Darka në Sarajevë, Vuçiç dhe Mustafa sherr në sy të Ramës

506
Samiti i kryeministrave të Ballkanit ka mbledhur në një tryezë kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë darkuar mbrëmjen e sotme në restorantin “Libertas” të Sarajevës.

Sikundër shihet në foto, kryeministri Rama është ulur përkrah homologut serb Vuçiç, ndërsa kanë përballë kryeministrin e Kosovës Mustafa.

Media serbe shkruajnë se situata nuk ka kaluar aspak e qetë. Kryeministri Vuçiç ka pasur një përplasje verbale me Mustafën lidhur me vendimin e nënshkruar këtë të mërkurë nga ky i fundit për shtetëzimin e të gjitha pronave të ish-Jugosllavisë.

Siç mëson se ‘Blic’, që në fillim të darkës Vuçiç i është drejtuar Mustafës: “Të lutem më thuaj çfarë po ndodh me grabitjen e pronës serbe në Kosovë? Ti ke ardhur vetëm apo me ndihmën e dikujt tjetër?”

Sërish sipas një burimi të “Blic” atmosfera në mesin e mysafirëve ishte “e tensionuar, dhe në disa raste e pakëndshme” për shkak të konflikteve mes Mustafës dhe Vuçiç.

Megjithatë askush nuk ka braktisur darkën, “edhe pse për një moment u duk se kjo mund të ndodhte”, shkruan Blic.

Të pranishëm në darkë ishin edhe Ministri për Tregtinë e Jashtme dhe Marrëdhëniet Ekonomike të Bosnje Hercegovinës Mirko Saroviç, si dhe Ambasadorët e Serbisë dhe Shqipërisë.

Vuçiç: Ja çfarë do ti kerkoj Mustafes
Më herët, Vuçiç tha se do ti thotë kryeministrit Mustafa se ajo çfarë po bën me çështjen e pronësisë së Jugosllavisë dhe Serbisë është e “pakuptimtë”.

Sipas tij, Prishtina “gjithmonë u ka ikur bisedimeve lidhur me çështjen e pronësisë”.

“Asgjë nga kjo nuk mund të merrni. Në asgjë çfarë keni planifikuar nuk mund të hyni. Çfarë po bëni me këtë?” ka thënë Vuçiç.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha pasuritë paluajtshme në Kosovë të regjistruara në emër të RSFJ-së dhe Serbisë të regjistrohen në emër të Republikës së Kosovës si pronare e kësaj prone.

Vuçiç u tha gazetarëve se bisedimet në Sarajevë nuk do të jenë të lehta, sidomos për shkak të propozimit të Prishtinës, të cilin Serbia e konsideron të keq për çështjen e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Puna jonë është të mbrojmë interesat tona, të luftojmë në bisedime dhe dialog, dhe të provojmë të tentojmë që të zgjidhim problemet dhe të ulim tensionet”.
Sigal