‘Rusia ka kërcënuar’/ Eurodeputetja shqiptaro-suedeze: NATO do jetë më e fortë me Suedinë e Finlandën

128
Sigal

Deputetja shqiptare për Suedinë në Parlamentin Evropian, Arba Kokalari, thotë se aplikimi i dy vendeve nordike (Suedi-Finlandë) për në NATO ka ardhur pas kërcënimeve nga Vladimir Putin.

Në një interivistë për EuroNews, Kokalari është shprehur se Rusia ‘ka kërcënuar verbalisht dhe ka dërguar dhe avionë ushtarakë që kanë kaluar në kufirin suedez. Ka qenë shumë agresiv’.

Sipas politikanes me origjinë shqiptare, mënyra se si i trajton Rusia vendet fqinje, vë në pah se sa e rëndësishme është një NATO e fortë.

Përpara luftës në Ukrainë opinioni publik në Suedi, tregon Kokalari ishte i ndarë ku shumica ishte kundër hyrjes në NATO.

“Pas luftës opinioni është pro NATO-s dhe shumica e partive politike e mbështesin hyrjen në NATO. 6 nga 8 partitë politike në Suedi janë pro”, tha Kokalari.

Deputetja e Parlamentit Evropian shprehet e bindur se dy vendet do të anëtarësohen në NATO, pasi nga kjo aleanca ushtarake do të jetë më e fortë.

Por, nga ana tjetër Kokalari thotë se procesi mund të marrë pak kohë.