Propozimi jugosllav i Vuçiçit dhe Shqipëria

489
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi në 7 gusht se do të paraqesë në Konferencën e Vjenës të samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në datën 27 gusht, propozimin që të gjitha shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, të caktojnë një ditë të përbashkët përkujtimi të viktimave të luftërave në ish-Jugosllavi. Në Konferencën e Vjenës, e cila është vazhdimi i Konferencës së Berlinit të gushtit të vitit të kaluar, do të marrin pjesë Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, gjashtë shtete që përbëjnë grupimin e emërtuar “Ballkan Perëndimor”. Në planin etiko-juridik, propozimi i kryeministrit serb kërkon të barazojë agresorët me viktimat dhe të shkrijë kufijtë midis padrejtësisë dhe drejtësisë. Është njësoj sikur ditën e 9 majit të fitores mbi fashizmin të nderoheshin së bashku, viktimat që u vranë nga nazistët, me nazistët, që u vranë duke pushtuar popujt e tjerë. Është njësoj sikur të nderoheshin së bashku në të njëjtën ditë viktimat e holokaustit dhe ata, që i ngritën kampet e vdekjes dhe u vranë duke mbrojtur ato kampe shfarosjeje. Është njësoj sikur në 11 korrik, dita ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave boshnjake të gjenocidit serb në Srebrenicë, të nderoheshin edhe ata kriminelë serbë, që realizuan masakrën masive të Srebrenicës.

Është e shpjegueshme përpjekja e Kryeministrit të Serbisë, i cili bashkë me presidentin aktual të Serbisë, bashkë me ministrin e Jashtëm aktual të Serbisë dhe bashkë me kryetaren e parlamentit aktual të Serbisë, kanë qenë që të katër anëtarë të kabinetit qeveritar të Sllobodan Millosheviçit, presidentit të Serbisë që organizoi katër luftëra të përgjakshme kundër popujve jo serbë të ish-federatës jugosllave. Është e shpjegueshme përpjekja e tanishme e diplomacisë serbe për të ringritur teorinë fatkeqe të “simetrisë së fajit” në Jugosllavi, e nxjerrë në qarkullim nga lobi proserb në diplomacinë europiane për të shfajësuar Serbinë nga krimet e luftës në ish- Jugosllavi. Qeveria aktuale e Serbisë merr guximin t’ua propozojë popujve dhe shteteve që u masakruan nga ushtritë serbe, që të përkujtojnë së bashku vrasësit dhe viktimat.
Me të drejtë Kroacia, nëpërmjet kryeministrit të saj, Kosova nëpërmjet ministrit të saj të Jashtëm dhe Bosnjë-Hercegovina nëpërmjet anëtarit boshnjak të presidencës së shtetit, e hodhën poshtë menjëherë këtë propozim bizantin të Kryeministrit të Serbisë. E hodhën poshtë, sepse Aleksandër Vuçiç do të ishte disi i besueshëm, nëse do të kishte shkuar dhe do të ishte ulur në gjunjë në Zagreb, në Sarajevë dhe në Prishtinë, dhe të kishte kërkuar falje për krimet e masakrat e Serbisë mbi ata popuj. Të bënte, pas 45 vjetësh, aktin historik të ish-kancelarit gjerman Vili Brandt në vitin 1970 në Varshavë, kur kërkoi falje në gjunjë për krimet e nazistëve. Do të ishte i besueshëm, nëse do të kishte dënuar publikisht dhe me emër politikën kriminale të Sllobodan Millosheviçit dhe nëse Serbia do të kishte paguar reparacionet për dëmet, masakrat dhe shkatërrimet, që u shkaktoi popujve joserbë në ish- Jugosllavi.

Por përtej aspektit etiko-juridik, ajo që na intereson në mënyrë të veçantë si Shqipëri, është aspekti diplomatik i propozimit të Kryeministrit të Serbisë. Nuk mund të mos lindë pyetja se përse Kryeministri i Serbisë do ta paraqesë atë propozim diplomatik në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Vjenë në 27 gusht, si vazhdim i Konferencës së Berlinit, të iniciuar nga Kancelarja gjermane Angela Merkel në 28 gusht të vitit 2014 dhe që ka marrë emrin “Procesi i Berlinit”. Kryeministri i Serbisë e bëri publikisht propozimin e tij dhe nuk shpjegoi motivet se përse ai do të shkojë me këtë propozim në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë. Ky është një propozim jugosllav, për një situatë marrëdhëniesh të trashëguara nga luftërat e Serbisë në ish-Jugosllavi, dhe shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia e kanë marrë mesazhin e propozimit. Është një propozim jugosllav me qëllim jugosllav. Gjysma e të adresuarve e kanë shprehur refuzimin ndaj propozimit të Vuçiçit dhe vetëm presidenti separatist i së ashtuquajturës “Serpska Republika”, Milorad Dodiç, e ka përkrahur, gjë që është e kuptueshme, sepse forcat e “Serpska Republikës” dhe forcat speciale të ushtrisë së Serbisë janë autorët e gjenocidit të Srebrenicës. Nuk e europianizojnë përmbajtjen jugosllave të propozimit të Vuçiçit as elozhet, që i thuri në 12 gusht ish- nënpresidenti i Komisionit Europian, Franko Fratini, i cili aktualisht është këshilltar i Kryeministrit të Serbisë. Kryeministri serb këmbëngul ta përsërisë dhe ta paraqesë propozimin e tij në samitin diplomatik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë samit, përveç pesë shteteve që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, merr pjesë edhe Shqipëria, gjë që nuk mund të mos ngacmojë të kërkosh konkretisht se përse Beogradi ka zgjedhur këtë forum ballkaniko-perëndimor për të paraqitur propozimin jugosllav të Kryeministrit të Serbisë. Është një situatë diplomatike, e cila e kërkon paraprakisht një përgjigje nga ana e Shqipërisë.

Përgjigjja gjendet duke kuptuar dhe analizuar strategjinë e diplomacisë dhe të shtetit serb për të identifikuar Ballkanin Perëndimor me ish- Jugosllavinë. Burime diplomatike nga Beogradi bëjnë të ditur se autorësia e formulimit të propozimit jugosllav të kryeministrit është Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë. Nuk është e rastit që Vuçiç këmbëngul se do ta paraqesë propozimin në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe në faqen zyrtare të qeverisë së Serbisë theksohet se “kryeministri serb beson se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të ripajtohet ndoshta për dy ose tre vjet”. Serbia ka një strategji konstante të identifikimit të Ballkanit Perëndimor me ish-Jugosllavinë, sepse përputhet me ëndrrën obsesionuese të saj për të qenë drejtuese e një grupi të ri të shteteve ish-jugosllave, ku aspiron edhe Shqipërinë. Këtë e evidentoi në datën 8 gusht edhe ministri serb i Drejtësisë, Nikolla Selakoviç, i cili deklaroi se “nisma e Vuçiçit u drejtohet gjithë udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor dhe duhet të kontribuojë për ripajtim themelor”. Referimi dhe qëllimi për t’iu adresuar edhe Shqipërisë është tepër i qartë.

Këmbëngulja diplomatike serbe për të përfshirë edhe Shqipërinë në adresën e propozimit të kryeministrit serb dhe përpjekja për të përzier Shqipërinë me luftërat në ish-Jugosllavi, paraqet interes t’i kushtohet vëmendje nga shteti shqiptar. Këtu dalim te problemi i mprehtë dhe strategjia e vjetër dinake e diplomacisë së Serbisë për të grupuar edhe Shqipërinë në formulimet e reja ish-jugosllave. Unë kam analizuar disa herë përpjekjet e diplomacisë dhe të shtetit serb për të rikrijuar në forma të ndryshme në kohërat e reja formacione ish-jugosllave. Në këtë sens kritik kam trajtuar edhe përkufizimin “Ballkan Perëndimor”, që u caktua në samitin “BE-Ballkani Perëndimor” në Zagreb në vjeshtën e vitit 2000, dhe ku u përfshinë të gjitha shtetet që kanë dalë nga ish- Jugosllavia, dhe ku në vend të Sllovenisë u fut Shqipëria. Në librin tim “Serbia kundër Serbisë. Analizë e një gjysëmrevolucioni të lënë përgjysmë”, duke analizuar daljen e termit “Ballkan Perëndimor”, kam shkruar: “Mëdyshjet më të shumta i ngjalli sidomos përfshirja e Shqipërisë në grupin e ‘Ballkanit Perëndimor’. Nuk pati asnjë motivim të bashkëngjitjes së Shqipërisë me shtetet, që dolën nga ish- Jugosllavia. Shqipëria nuk kishte qenë dhe as ishte pjesë e krizës së gjatë dhe e konflikteve jugosllave”. (Tiranë, 2005, fq.31). Diplomacia serbe e ka parë dhe është përpjekur vazhdimisht ta shfrytëzojë formulën e “Ballkanit Perëndimor” si një platformë e rikrijimit të ish- Jugosllavisë nën drejtimin e Serbisë. Në këto ujëra noton edhe nisma diplomatike serbo-malazeze e quajtur “Ballkan 6″.
Prirja dhe objektivi jugosllav e shtyn diplomacinë dhe qeverinë e Serbisë që edhe tani në propozimin e Vuçiçit të fusë në “Ballkanin Perëndimor” Shqipërinë dhe të lërë jashtë Slloveninë. Logjika më e thjeshtë shtron pyetjen se përse Beogradi në adresën e propozimit të vet fut Shqipërinë, e cila s’ka asnjë lidhje me konfliktet në ish- Jugosllavi, dhe nuk fut një shtet ish-jugosllav si Sllovenia. Sllovenia ishte fusha e parë e luftërave të ushtrisë së Millosheviçit kundër popujve joserbë. Pavarësisht se ajo luftë zgjati dhjetë ditë dhe pati, siç thuhet, rreth njëzet sllovenë të vrarë, e vërteta është se lufta e Serbisë kundër pavarësisë së Sllovenisë ishte lufta e parë e madhe e Serbisë kundër popujve joserbë. Aleksandër Vuçiç nuk e përmendi fare Slloveninë në propozimin e tij të përkujtimit të konflikteve në ish- Jugosllavi, dhe iu referua forumit të Ballkanit Perëndimor në samitin e Vjenës, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Në një situatë të tillë të konfuzionit diplomatik, ku Serbia kërkon ta vërë Shqipërinë para një fakti të kryer ish-jugosllav, mendoj se bëhet e domosdoshme që Shqipëria të shprehë publikisht pozicionin e saj lidhur me propozimin jugosllav të kryeministrit serb. Derisa Beogradi nuk priti datën e samitit të Vjenës dhe e hodhi në publik, edhe Tirana ka të drejtën të shprehet, pa pritur samitin e Vjenës, ashtu siç bënë disa kryeqytete të tjera të rajonit. Duhet ta refuzojë në planin etiko-juridik, sepse në mes është Kosova, ku Serbia ka kryer gjenocid dhe spastrim etnik dhe ende nuk ka kërkuar falje asnjë udhëheqës serb për ato krime. Nëse Kryeministri i Serbisë do të ishte i sinqertë edhe me Shqipërinë, ai do të duhej të kishte kërkuar falje dhe të kishte paguar reparacione për minat, që ka mbjellë ushtria e Millosheviçit në Shqipërinë Veriore gjatë luftës në Kosovë dhe nga të cilat janë vrarë dhjetëra vetë dhe janë plagosur e gjymtuar qindra shtetas të Shqipërisë. Unë prej vitesh kam përsëritur në artikujt dhe në librat e mi, se Shqipëria duhet të kishte kërkuar prej kohësh nga Serbia reparacione për ato mina, qysh në kohën kur rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Serbinë në janar të vitit 2001.

Por Shqipëria duhet ta hedhë poshtë propozimin e Serbisë, sidomos në planin diplomatik, sepse Shqipëria nuk mundet kurrsesi të pranojë që Ballkani Perëndimor të trajtohet dhe të identifikohet me ish- Jugosllavinë. Në planin diplomatik, Shqipëria duhet ta konsiderojë të papërshtatshme që propozimi jugosllav i kryeministrit serb të shtrohet për diskutim në një forum të Ballkanit Perëndimor, të cilit nuk i takon ky problem. Do të ishte e nevojshme që Shqipëria të ndërmerrte përçapjet e saj adekuate, për t’ua bërë të ditur qëndrimin organizatorëve të samitit të Vjenës, qoftë diplomacisë gjermane, qoftë diplomacisë austriake, se propozimi jugosllav i Serbisë është kontraproduktiv për Konferencën e Vjenës dhe ai mund të gjenerojë probleme e tensione të reja të panevojshme në marrëdhëniet ndërballkanike.
Propozimi i Kryeministrit të Serbisë e komprometon Procesin e Berlinit, sepse zëvendëson Ballkanin Perëndimor me ish-Jugosllavinë dhe rizgjon ambiciet për një federatë të vdekur, të cilën Serbia kërkon ta ringjallë në forma nga më të ndryshmet. Ndaj Shqipëria duhet ta refuzojë me vendosmëri propozimin jugosllav të kryeministrit serb, si një propozim që nuk ka të bëjë as me Shqipërinë, as me Ballkanin Perëndimor dhe as me pajtimin real midis shteteve që kanë dalë nga ish- Jugosllavia.
Sigal