Një lajm i mirëpritur me interesin të madh për Francën dhe Europën erdhi nga zgjedhjet presidenciale, që përfunduan me sukses mbrëmjen e së djelës, në 24 prill 2022. Liberali Emmanuel Macron u rizgjodh President i Francës me 58.2 për qind të votave, Le Peni mori 42 për qind. Rezultati goditi dhe i vuri kufirin revanshit të nacionalistëve të djathtë. Është hera e parë që nga rizgjedhja e Zhak Shirakut në vitin 2002 që një president francez rizgjidhet.
Zgjedhjet treguan se populli votoi për të ardhmen e sigurtë dhe ruan orientimin europian. Njëkohësisht u thellua përçarja e thellë afro në dy pjesë. Ka ende një përpjekje të fuqishme midis votuesve francezë për të bllokuar të djathtën ekstreme nga pushteti në një “front republikan”.Fitorja e Macronit mbi të gjitha duhet kuptuar si një humbje për Le Penin. Pas raundit të parë, shumë parti kërkuan ngritjen e një muri kundër së djathtës dhe që me votën për Macronin të pengohej Le Peni. Megjithë shfaqjen e theksuar të moderuar në fushatë, Le Peni vazhdon të mbrojë pozicione të ekstremit të djathtë.

Macron pranoi të dielën se shumë francezë votuan për të vetëm për të bllokuar të djathtën ekstreme nga qeverisja e vendit dhe jo në mbështetje të programit të tij.“E di që shumë bashkatdhetarë votuan për të bllokuar idetë e ekstremit të djathtë, dua t’i falënderoj dhe t’u them se jam i vetëdijshëm se kjo votë më detyron për vitet në vijim. Ne duhet që miqtë e mi të jenë dashamirës dhe të respektueshëm, sepse vendi ynë është i zhytur në kaq shumë dyshime dhe kaq shumë ndarje.” Ai u shpreh se e dinte që ishte përgjegjësia e tij të gjente përgjigje për “zemërimin” që bëri që miliona francezë të votonin për Le Pen.
Rezultatet në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale para dy javësh ku një e treta e votave për të djathtën ekstreme dhe rreth 20% të votave për populistin e majtë, Jean-Luc Mélenchon e bëjnë të qartë se francezët duan që diçka të ndryshojë me rrënjë. Parisi, kryeqyteti dhe klasa politike e tij janë prej kohësh shumë të papëlqyer në rajonet franceze. Por tani ndjenja e zhgënjimit “ata atje lart, ne këtu poshtë” manifestohet në kritikën ndaj demokracisë si e tëra. Ky është më shumë se një sinjal paralajmërimi dhe përgjegjësi për reforma dhe ndryshime të ndjeshme.
Macroni fitoi me qëndrimin e drejtë ndaj luftës së Ukrainës dhe nga nevoja për stabilitet politik dhe ekonomik, mbrojtjen e mjedisit, identitetit kombëtar e kulturor francez dhe europian. Megjithatë, shumë francezë janë të pakënaqur me mandatin e parë të Macronit dhe mendojnë se stili i tij politik është arrogant. Duhet mbajtur parasysh se afo 20 përqind e zgjedhësve, që votuan në favor të Le Pen ishin nga radhët e punonjësve me paga të ulta, që u ishte dëmtuar gjendja ekonomike. Pakënaqësia ishte shtuar edhe me sjelljet e presidentit. Prandaj mbetet për detyrë që ai të mbajë premtimet për të ruajtur ritmet e zhvillimit ekonomik e të punësimit, pagat, frenimin e inflacionit nga rritja e pajustifikuar e çmimeve, qirave të banesave, naftës e gazit, etj. Në fushatën dy javore, Macron tregoi respektin e merituar për zgjedhësit dhe përmirësoi edhe besimin për sjelljet e tij.
Francezët trasmetuan vullnetin e tyre me një deklaratë të fortë në mbështetje të sovranitetit dhe forcimit të mëtejshëm të Evropës për të garantuar më mirë sigurinë e paqen. Ekstremistët e djathtë dhe miqtë e Putinit të mos vinë në pushtet, të ndalet lufta e padrejtë në Ukrainë dhe të mos shtrihet në vende të tjera. Fitorja e Emmanuel Macron është shans për forcimin e mëtejshëm të Europës. Rizgjedhja e Emmanuel Macron duhet kuptuar edhe si një përgjigje e demokracisë perëndimore ndaj sulmit të Rusisë kundër Europës dhe porosi për zhvillimin e mëtejshëm të projektit europian. Le Pen do të mbetet në politikë, por nuk do të ketë mundësi të realizojë idetë nacionaliste kundër aleancës euroatllantike, që Franca të dalë nga NATO dhe Bashkimi Europian të bllokohet.
Fitorja e Macronit në zgjedhje pritet të jetë lehtësim i madh për Gjermaninë dhe Evropën, edhe nëse liberali karizmatik është larg të qenit partneri ideal kudo. Kundërshtarja e tij donte të distancohej nga bashkëpunimi i ngushtë me Gjermaninë, që vazhdon prej dekadash. Nacionalistja euroskeptike Le Pen synonte gjithashtu të pakësonte ndikimin e Bashkimit Europian në Francë. Ajo mund të kishte frenuar, për interesa personale, shumë projekte në Bruksel. Së fundi, afërsia e saj me Vladimir Putinin, kreun e Kremlinit, ngjalli frikën se fronti i fortë proukrainas i Perëndimit mund të shpërbëhej nën Le Penin.
Për francezët dhe gjithë evropianët mbetet e rëndësishme vlerësimi i bashkësisë evropiane që garanton sigurinë e mirëqënien për të sotmen dhe të ardhmen. Për këtë qëllim kërkohet të forcohet demokracia funksionale në shtetet anëtare dhe të mënjanohet frenimi i reformave dhe marrja e vendimeve nga interesa të njëanshme.
Për të arritur këto qëllime është e nevojshme që Macron dhe partia e tij “La République en Marche” të përmirësojë demokracinë funksionale pasi janë nxjerrë jashtë loje kampet politike të njohura si socialistët e majtë nga njëra anë dhe konservatorët nga ana tjetër. Forcimi i demokracisë mbetet përparësi, në mënyrë që Franca të mos zhytet në nacionalizmin e ekstremeve politike.
Francezët është e nevojshme të rrisin më tej besimin tek Bashkimi Europian, pasi një pjesë me rëndësi mendojnë se bashkësia europiane si një klub për koncernet e mëdha dhe jo si komunitet në interes të mbrojtjes brenda vendit dhe jashtë. Që prej dy muajsh sulmi rus ndaj Ukrainës tregon se shumë vetë kanë të drejtë me këtë vlerësim. Sulmi i rusëve është edhe një sulm kundër Europës së lirë dhe demokratike.
Para pesë vjetësh Macron u zgjodh me një program të qartë politik për Europën. Por nuk ka akoma rezultate për një integrim më të thelluar të BE dhe demokratizim të saj. Deri tani Brukseli ende nuk ia ka dalë të marrë vendime mbi bazën e shumicës në çështje të politikës së jashtme të BE. Në qendër të kritikave vihet miku i Putinit dhe kryeministri jo liberal hungarez, Viktor Orban, i cili mund të bllokojë vendime të rëndësishme me veto, në një kohë që Rusia sulmon me armë demokracinë në Europë.
Rezultati zgjedhor në Francë mund të thuhet se është edhe një referendum për mbështetjen e të ardhmes europiane. Për këtë arsye meriton të vlerësohet se është një shans i dytë për Europën e bashkuar. Tani Franca duhet të kontribuojë për qartësimin e politikës së zgjerimit dhe të integrimit të Ballkanit Perëndimor, për të hapur bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Është e domosdoshme që Bashkimi Europian të fuqizohet, të veprojë dhe të arrijë të bëhet si bllok i fuqishëm në botë mes dy fuqive SHBA dhe Kinës, me një element të fuqishëm gjermano-francez. Këtë propozim të Macronit thuhet nga ndonjë analist se nuk donte ta ndiqte ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Ajo kritikohet për një trashëgimi politike europiane me një bilanc të pakët të integrimit të BE, krahasuar me kancelarët si Helmut Kohl dhe Helmut Schmidt. Disa nga idetë e Macronit për thellim të mëtejshëm të integrimit mes të dyja vendeve, nuk arritën të futeshin në ripërtëritjen e marrëveshjes gjemano-franceze. Mendoj se kritika e njëanshme e mbivlerëson rolin e Makronit duke mos vlerësuar objektivisht atë të Merkel. E vërteta është se Macron donte që Franca të merrte një rol parësor, ndërsa Merkel donte që të dy shtetet Franca dhe Gjermania të kishin rol të barabartë drejtues gjermano-francez. Kujtojmë se është me rëndësi të theksohet se Merkel dhe Qeveria e Bundestagu u përkushtuan për reformimin e BE dhe federalizimin me Kushtetutën, që arriti të miratohej pasi dy shtete nuk e miratuan me referendum dhe më pas u miratua Marrëveshja e Lisbonës, që vuri bazat kushtetuese, unifikimin e politikës së jashtme, institucionet e drejtësisë e policisë, etj.
Me rëndësi është edhe mirëkuptimi dhe mënjanimi i qëndrimeve të ndryshme të Parisit dhe Berlinit për politikën e përbashkët ekonomike, që mund të jetë si një mekanizëm qëndror. “Qeveria Ekonomike”, nivelin e borxhit shtetëror deri në 3 për qind që kërkon të ruajnë gjermanët, ndërsa francezët duan ta heqin këtë kufizim, etj. Bashkëpunimi kërkohet të forcohet me propozime konkrete që do të jetë një hap i madh drejt kthimit të Europës në një bashkësi të shteteve të bashkuara me federalizimin e BE, krijimin e Forcave të Armatosura, etj. Mirëkuptimi dhe vendosmëria gjermano-franceze do të ishte edhe nxitje për mbështetje edhe nga shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Europian.




















