Prof. Dr.Lilia Shevcova/ Ukraina, shuplakë për elitën politike ruse

484
Sigal

Lilia Shevcova, e lindur në vitin 1949, është politologe ruse, doktor i shkencave historike, profesore e Katedrës së Politologjisë Krahasuese të Institutit Shtetëror Rus të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, bashkëpunëtore shkencore përgjegjëse e Qendrës Karnegi të Moskës. Analizën e saj e përktheu dhe e përgatiti për gazetën “Telegraf” Prof. Dr. Eshref Ymeri.

             Në jetën e disa kombeve dhe popujve nganjëherë ndodhin momente të një vullneti, të një kënaqësie me shpërthime maksimale. Këto momente quhen pasionare dhe me to nënkuptohet gatishmëria për sakrifica për arritjen e një objektivi të caktuar. Ka kombe, të cilëve nuk u është taksur të përjetojnë momente të tilla. Ato jetojnë, ekzistojnë dhe zhduken pa përjetime të tilla.

            Ukraina, qoftë edhe jo të gjithë anëtarët e shoqërisë, gjatë dhjetë viteve, arriti të përjetojë dy momente të tilla, për të cilët kombe të tjera vetëm mund të ëndërrojnë.

            Rusinë e ditëve tona unë do ta përcaktoja si më poshtë:

            Ndiqni cilindo kanal televiziv të Ukrainës ose filma dokumentarë me metrazh të shkurtër ku transportuesit e blinduar pa shenja dalluese dhe ushtarakë me shirita të shqyer patrullojnë Sevastopolin dhe Simferopolin. Kjo është pikërisht Rusia. Një gjë të tillë ju mund ta prisni nga Rusia e ditëve tona.

            Po e filloj me një thirrje. Hajde t’i hedhim sytë matanë gardhit ukrainorus, përtej të cilit ndodhet bota globale. Jo vetëm Evropa dhe Amerika, por përgjithësisht ajo që quhet rend botëror. Dhe do të vëmë re se kjo botë, besoj, nuk është nga më dashamirëset as me ju, as me ne gjatë më shumë se 50 viteve që kanë kaluar, ose, së paku, gjatë tërë kohës që ka kaluar pas Luftës së Dytë Botërore.

            Pse? Sepse bota ka përfunduar në një gropë të zezë. Cila është arsyeja? Sepse demokracitë liberale, edhe Europa, edhe Amerika, edhe gjithçka tjetër që mbështetet mbi parimet e shtetit të së drejtës, e kanë humbur orientimin dhe trajektoren, kanë humbur rrugën. Në këtë mes kemi të bëjmë ose me një gropë të zezë, ose me një zonë gri, kush e merr vesh. Dhe tani e vetmja gjë që i bashkon demokracitë liberale, është pikësynimi i udhëheqësve politikë në kryeqytetet perëndimore për ta ruajtur gjithçka me çdo kusht në gjendjen që është, duke i hedhur pas krahëve vlerat, parimet, idetë. Ukraina, bota arabe, Rusia nuk i hyjnë në punë demokracisë liberale, e cila ka humbur orientimin, është përqendruar në problemet e veta se atë e ka pllakosur kriza. Rezulton se Perëndimi, për të satën herë, është bërë i vetëdijshëm për një gjë: ai nuk mund të zhvillohet ndryshe, përveçse përmes krizave. Por ama kjo krizë që ka filluar nga ajo financiare dhe që po vazhdon edhe sot e gjithë ditën, është më e thella gjatë tërë kohës që ka kaluar që prej viteve ’30 të shek, XX. Ajo nuk është vetëm krizë ekonomike. Ajo është krizë e vetë parimeve dhe e formave të ekzistencës së tyre, është krizë e partive, e parlamentit, e presidentit.

            Fukujama thotë:

            “O Perëndi, Amerika në një të tillë krizë, si të dilet prej saj?”.

            Fjala është për parimet themelore. Prandaj nëse demokracitë liberale dhe rendi botëror global kanë përfunduar ose në qorrsokak, ose në gjendje pa rrugëdalje, ose në gropë, ose në një zonë gri, atëherë çfarë mund të presin më prej tyre? Në situatën kur Perëndimi po mbyllet në guaskën e vet, shtetet e tjera i ngacmon josha për ta mbushur këtë vakum, qoftë edhe sikur këto shtete t’i përkisnin shekullit të kaluar apo edhe shek. XVI.

            Prandaj janë duke lindur tre shtete në botë, të cilat megjithatë, pavarësisht se e kanë ngrënë krejtësisht çairin e vet, pavarësisht se nuk i kanë mundësitë për të mbijetuar në shek. XXI, janë duke luajtur një rol pseudopasionar nga më aktivët. Është fjala për Rusinë, për Kinën dhe për Iranin.

            Këto shtete janë aktivizuar, ato e ndiejnë veten si pole antiperëndimore, antieuropiane, si pole antivlerash. Ato janë duke luajtur. Më me agresivitet sigurisht që është duke luajtur Rusia, por edhe këto dy të tjerat, po ashtu, nuk mbeten prapa. Prandaj, duke folur për Rusinë dhe për Ukrainën, ju jeni duke i hedhur një sy mbarë botës dhe po e kuptoni se nuk mund të prisni kushedi se çë nga fakti se kush nuk ka dalë nga kriza. Ju duhet të mbështeteni mbi forcat e veta.

            Momenti i dytë. Për Rusinë. Rusia është edhe s’është Rusi. Ajo është më shumë kontradiktore, qoftë edhe për shkak të një faktori të vetëm. Putini është po aty, të njëjtat fytyra janë po aty, Moska s’ka lëvizur nga vendi, Kremlini po ashtu, kurse regjimi është ndryshe.

            Gjatë dy viteve të fundit, për fatkeqësinë e Ukrainës, të Moldavisë, të Bjellorusisë dhe të shteteve të tjera, të cilat mundohen të shpëtojnë nga përqafimet tona ngulmuese, Kremlini arriti të krijojë një regjim cilësisht të ri. Deri në vitin 2011, filozofia e pushtetit rus në Kremlin ishte e këtillë:

“Ne jemi po ashtu, si edhe Europa, ne po imitojmë Europën, ne jemi demokraci”.

            Putini po e strukturonte pushtetin e vet mbi bazën e faktit që ai i drejtohej mbarë shoqërisë: edhe liberalëve, edhe nacionalistëve, edhe të majtëve. Në parim, ky ishte një autoritarizëm i butë, mjaft pluralist, i cili e lejonte shoqërinë të jetonte sipas qejfit. Ky ishte një regjim plastik që nuk ekziston më.

            Tani në Rusi ka lindur një i tillë regjim, të cilin nuk mund ta quash të egër. Ky është një regjim krejtësisht i ri, një regjim jo fort i kuptueshëm për ne. Po, kjo është autokraci, por e një tipi të ri, me një tjetër cilësi. Kjo është një autokraci që u kthye përsëri në vitin 1991, para momentit të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Dhe kjo autokraci mbështetet tani mbi parimin: ne jemi ndryshe, ne nuk jemi Perëndim dhe ne do t’i vëmë fre Perëndimit.

            Rusia, në thelb, është kthyer në rolin e Bashkimit Sovjetik. Dhe Rusia e Putinit tani ka pretendime shumë më tepër sesa thjesht t’i vërë fre Perëndimit në Ukrainë: në Krime, në Donjeck ose në Lvov. Rusia putiniste ka shumë më tepër ambicie. Rusia putiniste e shikon se fusha ka mbetur bosh. Në stadium nuk ka këmbë njeriu. Duhet hyrë në lojë, duhet sjellë topi me vete, duhet dalë me propozime, duhet diktuar, duhen shtruar kërkesa dhe duhen shtuar rregullat e veta të lojës: si kundërpërgjigje – asnjeri s’bëhet i gjallë. Dhe askush s’e hap gojën.

            Koncepti i Putinit sot nuk ka si synim që thjesht t’i dalë ballazi Perëndimit kudo ku është e mundur, me të gjitha forcat. Ai ka si qëllim t’i propozojë Perëndimit konceptin e vet, vlerat e veta tradicionale, t’i mbushë mendjen papës së Romës që t’i miratojë parimet tona. Dhe, natyrisht, të rivendos galaktikën, të rivendosë Aleancën Euroaziatike. Kjo ide ka qenë gjithmonë antiperëndimore. Kjo ka qenë gjithmonë një ftohje e Rusisë me Perëndimin. Ukraina në këtë koncept antiperëndimor ka luajtur gjithmonë një rol kyç. Pse? Ka shumë shpjegime në këtë mes. Po përmend disa prej tyre.

            Ukraina është, para së gjithash, një projekt personal i Putinit, duke filluar që prej vitit 2004. Udhëheqja politike e Rusisë e konsideron Ukrainën si një vend që s’ka arritur të bëhet shtet, si dikë që s’ka arritur  të bëhet njeri, si një bashkësi që nuk ka komb, që nuk ka identitet. Prandaj jo më kot Putini i deklaroi Bushit në vitin 2008:

“Xhorxh,  çfarë po thua për Ukrainën, se ajo, përgjithësisht, nuk është shtet dhe i tillë s’ka për t’u bërë kurrë”.

Përveç  gjithë të tjerave, Ukraina, për shumë njerëz në Rusi, konsiderohet si kryenëna e shtetit rus, pikërisht si puna e Kosovës për serbët. Dhe madje më shumë. Ukraina është një shuplakë që Majdani i dha elitës politike ruse.

Fjala është jo për natyrën perandorake të Rusisë, kur Rusia ndërhyn në Krime dhe në Ukrainë. Fjala është për shumë më tepër sesa për natyrën perandorake. Është fjala për faktin se ukrainasit, me shembullin e tyre prej budallenjsh, po tregojnë rrugën, të cilën mund ta shfrytëzojnë rusët. Prandaj Ukraina nuk mund të jetë një shtet i suksesshëm, ajo nuk mund të shërbejë si shembull. Aq më tepër kur ukrainasit që, sipas udhëheqjes ruse, nuk janë komb, por janë degë e vetes sonë. Nëse dora apo këmba jonë u distancua nga ne në njëfarë mënyre dhe sakaq përftoi logjikën e vet, kësaj i thonë goditje për trupin. Prandaj Ukraina është një gjë e qytetëruar dhe një faktor ekzistues për pushtetarët e Kremlinit. Kjo shpjegon shumë gjëra nga ato që neve do të na duhet të përjetojmë.

Dy momente të tjera. Ku është opozita ruse? Mos vallë vetëm pushteti paska dalë të vallëzojë në Moskë, në fushë ruse? Aha, opozita ruse është shpartalluar. Liberalët praktikisht janë kooptuar. Të tjerët kanë mbetur brenda getos, së cilës së shpejti do t’ia ndërpresin oksigjenin. Kush mund të jetë forcë aktive? Ne nuk e dimë.

Por në Rusi ka ndodhur diçka e habitshme për ne, e habitshme për mua, si liberale. Unë vura re se e vetmja arritje, së paku, e viteve të fundit që bie në sy, është fakti që nacionalizmi rus në Rusi është kundër Putinit, është kundër Kremlinit, është kundër sistemit. Është interesante se në këtë mes askush nuk e di se ku do të çojë një gjë e tillë. Të majtët janë pasionarë kudo, të majtët janë gati për shpërthime. Por në kushtet e Rusisë, kur vidat janë duke u shtrënguar, kur po mbyllen dritaret, kur shoqëria ndodhet në situatën “me lakun në qafë”, çdo forcë e ka shumë të vështirë të marrë frymë.

Po shoqëria? Ajo doli në protesta në vitet 2011-2012, por atë e rrasën përsëri në ilegalitet. Sot, që të jemi konkret, shoqërinë po e betonojnë. Betoni është një gjë e brishtë, nëpër të çan dhe rritet bari. Atëherë çfarë duhet të bëjmë ne kur e kemi humbur orientimin, në këtë situatë kur po na zë frymën dhoma e gazit, kur jemi zhveshur nga pikësynimi për arritjen e qëllimit, kur janë shuar dëshirat, ambiciet?

Natyrisht që regjimi i tanishëm do të shembet në një mënyrë të pashmangshme. Kjo është punë çmimi që duhet të paguhet dhe thjesht punë kohe. Por është interesante se ky regjim gjen mbështetje te vetëm 5-10% e popullsisë.

Rusët e urrejnë Putinin. Rusët e urrejnë pushtetin. Nëse ju do të vinit në Moskë, ju nuk do të takonit asnjë njeri në rrugët e Moskës që do të votonte për Putinin, që do të votonte për partinë “Rusia e Bashkuar”. Por ama kjo është një qetësi e çuditshme. Njerëzit e urrejnë njeriun në Kremlin, e përbuzin, njerëzit i përbuzin të gjithë rreth e rrotull tij. Por njerëzit tani nuk dalin në rrugë sepse ata nuk shikojnë ndonjë alternativë. Por edhe sepse nuk e ndiejnë veten dhe aq keq. Është renta shumë e lartë e gazit për gjithsecilin, ka shumë mundësi për të mbijetuar. Por kjo qetësi është shumë e brishtë, shumë e rreme. Në analizë të fundit, së paku, në vitet më të afërta, ja se çfarë kërcënimi na pret: njerëzit do të dalin në rrugë. Por kur popullsia që ka duruar gjatë do të dyndet sakaq nëpër rrugët e qyteteve ruse dhe nuk ka kurrfarë kanalesh komunikimi – as parti “Grusht”, as parti “Batkivshina” (Bashkimi Mbarukrainas – partia e Julia Timoshenkos – përkthyesi), as shtyp të lirë, as internet, atëherë kjo do të bëjë që në rrugë do të fillojnë të dalin edhe më shumë njerëz dhe do të nisin të thyejnë xhamat. Dhe kjo ka shumë mundësi të ndodhë. Ky është një shpërthim i fuqishëm me fuqi kinetike që do të ketë mbështetjen e provincës, e cila e urren pushtetin, pasurimin e bosëve të tanishëm dhe të së shkuarës. Kjo ngjall edhe më shumë urrejtje, ngjall më shumë etje për revansh. Dhe në të njëjtën kohë, mungon opozita politike, e cila këtë energji do të mund ta grumbullonte në një drejtim më të qytetëruar, më pluralist, më demokratik dhe më liberal. Këtu kemi të bëjmë vërtetë me kërcënim.

Së dyti, shëmtirën Putin, nuk ka rëndësi se në çfarë gjendjeje, kanë për ta flakur nga Kremlini vetë bashkëluftëtarët e tij. Dhe sistemi i autokracisë, për të cilin fola, do të vazhdojë të mbetet në fuqi, por për llogari të zëvendësimit të regjimit. Dhe përsëri për një kohë të gjatë.

Dhe aspekti i fundit. Për Ukrainën. Botën nuk e shqetëson aspak fakti që në pjesën europiane të kontinentit është kryer një agresion. Ukraina është Europë, është komb europian, është shtet europian. Në Ukrainë kryhet okupimi i një pjese të Ukrainës nga një shtet fqinj. Kjo është një situatë krejtësisht e re pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe bota vazhdon të heshtë. Për më tepër, bota parapëlqen të mos i quajë gjërat me emrin e vet. Këshilli i Sigurimit që u mblodh para pak kohësh, presidenti Obama, si edhe kryeministrat e vendeve evropiane thonë si më poshtë:

“Sikur në Ukrainë të kishte ndodhur një acarim, sikur të ishte kryer ndonjë agresion, – thotë Obama, – kjo do të kishte pasur pasoja shumë serioze”.

Sikur nuk po ndodh asgjë.

Unë nuk dua të përdor fjalën “i bashkuan”, por, së paku, tri fuqi të mëdha – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca – së bashku me Rusinë, në vitin 1994 ishin nënshkrueset e së ashtuquajturës marrëveshje të Memorandumit të Bukureshtit dhe garantonin tërësinë territoriale të Ukrainës.

Po mirë, po e hedhim prapa krahëve këtë marrëveshje. Në mbarë botën janë shkelur sa e sa marrëveshje. Por le të sjellim ndër mend faktin që Ukraina dhe NATO-ja patën nënshkruar një marrëveshje, në të cilën, po ashtu, jepen garanci për një stabilitet të caktuar në Ukrainë. Po edhe NATO-ja, po ashtu, në takimin e vet të ministrave të punëve të jashtme, deklaroi:

“Sikur në Ukrainë të kishte gjëra serioze, atëherë, ndoshta, diçka…”

Dhe bëri thirrje për paqe, për rend e kështu me radhë. Ç’është e vërteta, NATO-ja e ka një shkak për të kthyer krahët. Ukraina nuk iu drejtua NATO-s. Dhe kur Turçinovi ngrihet e flet dhe flet drejt për punën e agresionit, nuk dihet se cila është arsyeja që ai i drejtohet presidentit Putin:

 “Ndoshta, do të merremi vesh në ndonjë farë mënyre”.

Kurse Putini thotë:

“Po ne jemi duke vepruar në kuadrin e marrëveshjes me Janukoviçin për gjendjen e Flotës së Detit të Zi në gadishullin e Krimesë”.

Dhe Perëndimi e mbylli gojën.

Ju po mendoni për një gjë: vendin tuaj e okupuan, te ju po kryhet një agresion nga ana e një vendi fqinj, pushteti juaj nuk mund të gjejë rrugëdalje nga kjo situatë, nuk mund t’i drejtohet askujt, në përputhje me ca norma të caktuara. Iu drejtuat Këshillit të Sigurimit. A e dini se pse? Sepse Këshilli i Sigurimit është një mbeturinë e paralizuar e Luftës së Dytë Botërore. Të gjithë ata që i drejtohen Këshillit të Sigurimit, nuk marrin asnjë përgjigje prej tij, sepse t’i drejtohesh Këshillit të Sigurimit, është njëlloj sikur t’i drejtohesh ndonjë shtëpie pleqsh, duke e ditur se atje nuk do të merret kurrfarë vendimi. Atje janë dy fuqi të mëdha, Rusia dhe Kina, të cilat do ta bllokojnë çdo gjë dhe gjithmonë

Ukrainasit nuk i drejtohen NATO-s, sepse Turçinovit dhe qeverisë së re të Ukrainës, vendet e NATO-s dhe kryeqytetet evropiane, u thanë:

“Dëgjoni, djema, nga ne mos kërkoni gjë, ne në këtë mes nuk do të përzihemi. Ne do t’ju dërgojmë një komision, atë, ndoshta, do ta lejojnë të hyjë në Krime. Domethënë, ju, ore djema, nga Krimeja i latë duart. Nuk e dimë se në ç’masë e përjeton një gjë të tillë vetëvetësia juaj kombëtare, por është e nevojshme të jetoni tashmë me ca skenarë të tjerë”.

Po cili është qëndrimi i rusëve ndaj Ukrainës? Ka të dhëna që “Qendra-Levada” i ka vjelë në mesin e muajit shkurt. Nga ato të dhëna duket se deri në ç’shkallë është e demokratizuar shoqëria ruse. Por ajo nuk është fajtore, sepse asaj i drejtohet vetëm pushteti përmes kanaleve televizive mbarëkombëtare. Vetëm pushteti, orë e çast, çdo javë, çdo orë i detyron njerëzit të veprojnë në mënyrë të verbër. Njerëzit nuk marrin informacion, jo të gjithë e ndjekin internetin.

Çfarë ndjenjash u ngjalli rusëve sheshi Majdan më 20 shkurt?

“Admirim” – 1%, “Miratim” – 3%, “Simpati” – 16%, “Acarim” – 12%, “Neveri” – 36%, “Frikë dhe Tmerr” – 15%, “Kurrfarë ndjenjash nuk përjetojnë dhe nuk kanë për të përjetuar” – 14%.

Dhe e fundit. Cila është ndjesia ekzistenciale e Rusisë nga vetë rusët. Kjo ka rëndësi sepse Rusia ka qenë dhe vazhdon të mbetet për Ukrainën një lojtar kryesor gjeopolitik dhe brendapolitik, përderisa ju vazhdoni të ndodheni në një zonë gri. Dhe madje kur t’i jepni karar të dilni nga kjo zonë gri, Rusia, paçka se në të ardhmen e afërt ajo do të jetë një vend jomiqësor, do të vazhdojë të mbetet një lojtar kryesor dominues. Kjo edhe për faktin se në Ukrainë ekziston Juglindja dhe një lob i fuqishëm prorus.

Gjendja jonë e tanishme është pasqyrë e një anekdote të vjetër:

Një i sëmurë thërret “ndihmën e shpejtë”. Kur ajo erdhi dhe e mori, i sëmuri pyet doktorin:

– Ku po më çoni?”

– Në morg.

– Por unë ende nuk kam vdekur.

– Por ne ende nuk kemi arritur.

Ja kjo është gjendja e kombit rus

A kemi ne të ardhme, e keni ju vallë një të ardhme më për së mbari? Sigurisht. Me sa duket, kjo do të na kërkojë më shumë se pesë apo, besoj, më shumë se dhjetë vjet. Stabiliteti i tanishëm neve na mjafton për nja tre vjet. Pas këtij afati askush nuk garanton ndonjë stabilitet. Dhe as vetë nuk e dimë nëse kjo valë do të na përfshijë vetëm ne, apo mbarë hapësirën që na rrethon.

Por ama ekziston një siguri absolutisht e qartë për diçka tjetër:

Faktori rus jo vetëm që është shkatërrimtar, por edhe për Ukrainën normale, konstruktive, për Ukrainën e vlerave, është duke luajtur disa role. Unë mendoj se Putini lau duart nga Ukraina normale. Faktori rus, në të gjitha rrethanat, edhe sikur Ukrainës t’i merret ndonjë pjesë, përfshirë edhe Krimenë, ka për të luajtur rolin e konsoliduesit të identitetit të ri ukrainas, ka për ta shtytur Ukrainën drejt Europës.

Tashmë nuk ka dyshim se Ukraina ka për të dalë nga kjo zonë gri në një drejtim, në drejtimin evropian. Pikërisht për faktin se ju keni Majdanin, i cili nuk është ndonjë vis i caktuar, nuk është ndonjë pikë gjeografike, Majdanin ju e keni në kokë. Dhe kjo është shumë më e rëndësishme.

Për sa i përket çmimit që duhet paguar për një gjë të tillë, nuk dihet se kush duhet të hedhë fall. Ashtu siç dihet se askush nuk do të hedhë fall për kohën dhe për horizontin kohor. Por ama gjithçka brenda kuadrit të brezit të tanishëm (Citohet sias: Lilia Shevcova. “Ukraina, një shuplakë për elitën politike ruse”. Marrë nga faqja e internetit “LB.ua”. 02 mars 2014).