Frank SHKRELI/ Teqeja Bektashiane në Amerikë-Nderi i Kombit, feston 60-vjetorin e themelimit

612
Sigal

“Dyert e Teqeve Bektashiane janë gjithmonë të hapura për të gjithë njerëzit, shqiptarë dhe të huaj, pa marrë parasysh fenë, origjinën, ngjyrën, racën ose klasën shoqërore të tyre.  ‘Shtëpia e Haxhi Bektashit’ është shtëpia e të gjithëve’, ka thënë Naim Frashëri.  Kjo është tradita që ndiqet nga Teqeja jonë, e cila i mban dyert e hapura për të gjithë.  Dhe duke ndjekur rrugën e Haxhi Bektashit, ajo gjithmonë predikon paqen, dashurinë dhe vëllazërimin midis të gjithë Shqiptarëve dhe me të gjithë njerëzit.”  

Baba Rexhebi

 Testament ky shumë domethënës fetar, atdhetar dhe njerëzor, sidomos për botën e sotme të ndarë dhe të përçarë nga pikëpamjet e ndryshme politike dhe fetare.  Këtë mesazh, Teqeja Bektashiane në shtetin Miçigan të Shteteve të Bashkuara e ka jetuar dhe zbatuar për të gjithë ata që kanë dashur dhe duan ta shohin.  Ky mesazh, në të vërtetë, nuk nevojit ndonjë koment shtesë pasi është i mjaftueshëm dhe flet vet edhe në këtë 60-vjetor, shpreh filozofinë  dhe nënvizon veprat e Bektashizmit bazuar në paqe e dashuri, në radhë të parë midis të gjithë shqiptarëve pa dallim, por edhe midis njerëzve kudo në botë.  Për 60 vjet tani, Teqeja Bektashiane – e themeluar nga i mirënjohuri për komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe më gjerë nga i përndershmi Baba Rexhebi, ka shndritë si një yll drite e pajtimi midis shqiptarëve dhe ka qenë kurdoherë e hapur për të gjithë shqiptarët pa dallim.  Kjo nuk ishte  një qendër vetëm për Bektashinjtë ose për Myslimanët, por ajo si një Qendër e jetës fetare dhe kulturore të të gjithë shqiptarëve në Amerikë, frekuentohet nga shqiptarët e të gjitha besimeve, nga individë si dhe udhëheqës fetarë të Kishave Katolike dhe Ortodokse shqiptare, të cilët priten dhe përcillen si mysafirë nderi dhe si vëllezër të një gjaku.  Veprimtaria dhe bashkëpunimi prej dekadash, midis qendrave fetare shqiptare dhe udhëheqësve të tyre në Amerikë, përfshirë edhe Teqenë Bektashiane, kanë qenë një frymëzim për të gjithë, duke treguar se feja dhe kultura vetëm mund të fisnikërojnë shoqërinë dhe jo ta dëmtojnë.

Në këtë frymë, Teqeja Bektashiane Shqiptare e Miçiganit fton të gjithë besimtarët dhe dashamirësit e saj, që të marrin pjesë për të festuar së bashku, me solemnitetin që meriton, 60-vjetorin e themelimit të Teqesë, të dielën më 18 Maj, 2014 në sallën e madhe të Qendrës, ndonëse Teqeja hapi dyert e saj, për herë të parë këtu në Shtetet e Bashkuara, më 15 Maj, 1964.

Baba Rexhebi, themeluesi, frymëzuesi dhe shtylla e kësaj qendre për dekada, i cili ndërroi jetë më 1995, për fat jetoi për të parë rivendosjen e Bektashizmit në Shqipëri, që së bashku me besimet e tjera, ishte zhdukur me ligjet absurde të regjimit të Enver Hoxhës, që kishte shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë.   Si rrjedhim, klerikët e të gjitha feve e pësuan shumë keq nga regjimi i Enver Hoxhës, përfshirë klerikët bektashianë. Ai mbante lidhje vëllazërore me klerikët shqiptarë të të gjitha feve që vepronin në Shtetet e Bashkuara. I Përndershmi Baba Rexhebi, i ndjente thellë vrasjet dhe persekutimet në radhët e të gjithë klerikëve shqiptarë të të tre besimeve të shqiptarëve, nga regjimi komunist.  Në lidhje me këtë, ai qe shprehur me rastin e një akademie përkujtimore të martirëve të fesë dhe të Atdheut më 1985-n në Kaliforni, duke u shprehur se: “Me këtë rast dëshiroj të përshëndes klerin katolik shqiptar, për të cilin kam respektin dhe admirimin më të madh. Ata pësuan vuajtjet më të mëdha nën persekutimin komunist për arsye të rezistencës së tyre të fortë. Shumë ipeshkvinj, priftërinj murgesha dhe laikë katolikë u ekzekutuan ose vdiqën në burgje dhe kampet e përqendrimit. Ndër ta kishte patriotë, shkrimtarë e poetë të dalluar, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të vlefshëm në rilindjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare”. I Përndershmi Baba Rexhebi ka thënë gjithashtu, me atë rast se: “Edhe kleri ortodoks dhe mysliman shqiptar u persekutua, sidomos pjesëtarë të sektit mysliman Bektashi.  Së bashku me katolikët, klerikët e sektit Bektashian u persekutuan ashpër”, ka thënë Baba Rexhebi i Teqesë Bektashiane në Detroit të Shteteve të Bashkuara.  Aq keq e kishte pësuar kleri bektashian nën komunizmin enverist, saqë sipas të dhënave të Teqesë Bektashiane në Miçigan, kur më 1991 u rivendos liria e fesë, në Shqipëri kishin mbetur gjallë vetëm pesë baba dhe një dervish, prej rreth 100 që jetonin në vitin 1967, kur Shqipëria vendosi të ndalonte fenë me ligj dhe të burgoste ose të zhdukte klerikët.

Por ishte Baba Rexhebi ai që e mbajti gjallë Bektashizmin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rrjedhimisht edhe në Shqipëri. Ai ishte motori shtytës i veprimtarisë i jetës fetaro-shpirtërore si dhe i rolit dhe i veprimtarisë patriotike dhe shoqërore të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara.  Ai kishte vendosur që përveç hapësirës për shërbime fetare,  brenda Teqesë të ndërtonte një bibliotekë ku janë të depozituara libra shqipe të vjetra e të reja, por edhe në gjuhë të huaja mbi Shqipërinë dhe shqiptarët,  si dhe gazeta e revista, duke e kthyer qendrën edhe në një burim kërkimesh dhe leximesh për të gjithë ata që janë të interesuar për kulturën dhe historinë e shqiptarëve.  Ishte kjo një veprimtari e skalitur në përvojën personale të Baba Rexhebit, të një atdhetari dhe fetari të shquar dhe të vendosur, i cili krahas dhe në bashkëpunim me  udhëheqësit e qendrave të tjera fetare shqiptare në Amerikë, e bëri Teqenë një qendër fetare, atdhetare dhe shoqërore, ku të gjithë shqiptarët vazhdojnë të mblidhen pa dallim feje e krahine për të festuar e për të qarë hallet — në paqe, pajtim e vëllazërim me njëri-tjetrin, ashtu siç i do Perëndia.

Në njohje dhe vlerësim të këtij angazhimi fetar dhe patriotik, vitin që kaloi Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani i dorëzoi (së bashku me qendrat tjera fetare shqiptare në Detroit), Teqesë Bektashiane, dekoratën e lartë kombëtare, “Nderi i Kombit”.  Gjatë asaj vizite vitin që kaloi në Miçigan, Presidenti Nishani  theksoi,  në fjalimin e tij, vlerat që Teqeja Bektashiane, për gjashtë dekada ka jetuar dhe predikuar, d.m.th paqen dhe tolerancën, si pasurinë më të çmueshme  të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, por që duhej të ishin shembull edhe për harmoninë politike dhe shoqërore në të gjitha nivelet e jetës ndër shqiptarët.

“Institucionet fetare në Detroit”, -ka thënë Presidenti Nishani- janë, gjithashtu, kolona institucionale të shqiptarizmit, vatra të ruajtjes dhe trashëgimisë së gjuhës, kulturës dhe traditave kombëtare te shqiptarët”. “Shqiptarët gjejnë në këto vatra edhe aromë e shpirt shqiptarie, mikpritje dhe bujari. Ne nuk duhet vetëm të konstatojmë, por edhe të përulemi me respekt, të shprehim mirënjohje”, është shprehur Presidenti i Shqipërisë, z. Nishani.

Uroj që klerikët pasardhës të Baba Rexhebit, besimtarët bektashianë si dhe mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan të festojë me respekt 60-vjetorin e themelimit të Teqesë Bektashiane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në frymën fetare dhe atdhetare që ka lënë pas, si trashëgimi Baba Rexhebi. Në kujtim të këtij burri të madh, jam i sigurt se edhe në 60 vitet e ardhshme, Teqeja Bektashiane në shtetin Miçigan të Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të jetë një qendër, ku si deri tashti, do të mbizotërojë- për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët kudo – një frymë dhe atmosferë paqeje, tolerance dhe vëllazërimi, pa ngatërresa, pa  konflikte dhe pa plagë ndasish, të reja e të vjetra.