Dodona Qose: Qepja pantallona kauboj, duke kthyer kokëposhtë xhinset e minatorëve

2167
Sigal

INTERVISTA/ Flet stilistja Dodona Qose: Të jesh stiliste duhet një rrugë e gjatë dhe e vështirë

 Stiliste që koha por e vlerëson çdo ditë e më shumë. Ka një eksperiencë 30-vjeçare si rrobaqepëse, por që ende vazhdon të bëjë kurse specializimi. Në Greqi sfilatat e saj janë komentuar gjatë, eksperiencë të cilën ajo do që ta përhapë dhe në Shqipëri.

  Si lindi dëshira për t’u bërë modeliste?

 Është një histori shumë e gjatë. Por di mirë që kam 35 vjet që punoj në këtë profesion. Kur e kujtoj qaj dhe qesh. Isha e re, shumë e re, mund të them 21 vjeç. Kam qenë dy muaj e fejuar, dy muaj e martuar, kur befas pa shijuar asgjë u ndava nga burri. Një ditë të martë vjen një telegram dhe ai telegram vendosi që unë të ndahesha. Isha e re shumë e re dhe nuk mund ta kapërdija dot ndarjen. Ashtu ishte koha atëhere. Kjo bëri që unë të rrija mbyllur në shtëpi dhe të mos dilja, pro vetëm qaja. Pra për mua mbaroi gjithçka (qesh). Nuk haja, nuk pija, mu ngjit lëkura pas kockës, dhe kështu im  atë vendosi të bëj diçka. Ai kishte blerë një makinë qepëse dhe më tha, ja ku e ke makinën dhe merru me diçka. Makina fringo e re s’ishte hapur kurrë dhe ne kishim frikë ta preknim.

 Atëherë ishte e vështirë të siguroje një makinë qepëse, si munde ta siguroje?

Unë jam nga Selenica e Kolonjës. Në fshatin tonë shitëse ka qenë kunata e Petrit Dumes, pra gruaja e vëllait. Ajo ishte një grua zonjë dhe shumë korrekte. Duke pasur respekt për babanë ajo i thotë një ditë babait që së shpejti do vijë një makinë qepëse pa autorizim në fshat, ndaj hajde zë radhë që të justifikohesh, që ke qenë i pari. Kështu bëri babai për dy muaj sa erdhi makina. Zuri radhë dhe mori makinën. Babai ja diti shumë për nder. Kur Petrit Dumja u dënua asaj nuk i shkonte askush në derë veç familjes time. Pra këtë makinë më dhuroi babai duke më thënë, merre, mos rri duke qarë. Nuk humbi dynjaja për burra. Këto fjalë sikur më dhanë forcë. Ajo makinë u bë vetë jeta ime, e ardhmja ime. Sot nuk mund të besohet se kishte ardhur për makinë qepëse.

 Çfarë marke ishte makina?

“Flutur” prodhim kinez shumë i mirë. Një makinë e bukur e thjeshtë.

Kush ta mëzoi zanatin e makinës qepëse?

Vetë e kam mësuar. Kishim aty një rrobaqepëse, por që asnjëherë nuk më tha hajde të ta mësoj dhe pse i kisha thënë. Pra këtë zanat unë e kam mësuar vetë.

Në ç’mënyrë e mësove vetë?

Atëherë ishte një lëndë në shkollë, Ekonomia e klasës së tetë.  Në të në një kapitull kishte “Bazat e prerjes holandeze”. Nëpërmjet këtij libri unë brenda një kohe shumë të shkurtër e njoha makinën në perfeksion. Brenda një viti unë bëra shumë emër në Kolonjë.

 Nëpërmjet kësaj Ekonomie shtëpiake, çfarë ke prerë dhe ke qepur me duart e tua?

Ah, sigurisht duhet të prisja diçka të veçantë por që të mos ishte me zarar të mos kishte kosto dhe të ishte njeri i njohur, sepse mbase dështoja. Dhe mora iniciativën dhe preva dhe qepa një palë pantallona për vëllanë tim të vogël. I mora masat, por nuk i bëra diferencën e qepjes. Më shkau. Kështu që dolën pak të ngushta. Unë e kuptova menjëherë gabimin, por vëllait tim i pëlqyen shumë. Ai ato pantallona si ndriçonte me asgjë. Ashtu ishte moda atëherë të ngushta. Lart. Por gabimin e kapa dhe se bëra më atë gabim.

Pas atij momenti fitove emër në fshat?

Fill pas vëllait u qepa disa ët afërmve dhe mora famë. Tërë të rinjtë dhe të rejat tashmë vinin tek unë dhe jo tek ajo që nuk më mësoi.

 Nga qepjet e veçanta të kohës çfarë do të veçoje?

Në atë kohë në fshatin ngjitur kishte një minierë. Të gjithë minatorët kishin pantallona xhins që kërkoheshin shumë nga të rinjtë. Filluan të gjithë të rinjtë të më sillnin pantallonat xhinse të minatorëve, të cilat unë i ktheja kokë poshtë. Pra pjesën e sipërme që ishin të gjera i çoja poshtë dhe anasjelltas. Atëherë ishte moda kauboj, pra të gjera poshtë.  Sa nam mora atë kohë. Filluan të vinin nga gjithë fshatrat. Kjo vazhdoi disa vjet deri sa u martova.

 Ku u martuat dhe si vazhdove profesionin e rrobaqepëses?

Po e vazhdova. Madje, kur vija për pushime në verë nuk kishin të mbaruar njerëzit që kërkonin t’u qepja, aq shumë kërkesa kisha.

Po në Tiranë çfarë pune bëtë?

Po këtë punë në NPV export biankeri në fillim. Krahas kësaj punoja dhe në shtëpi pasi vjehrra kishte një makinë dore. Kunatin e kisha magazinier aty. Më detyruan të shkoja në shkollë nate, në shkollën “ 8 Nëntori” në konfesione. Shkolla ishte e detyrueshme pasi nuk mund të merrje kategori. Unë isha më e mira, punoja më shumë, bëja dy norma por me kategori të ulët merrja më pak. Në vizatim teknik kam qenë më e mira. Kjo lëndë ishte baza për të qenë stiliste e mirë.  Një mësues nga Shkodra mësues Izeti na jepte lëndën se nga se përbëhej fija. Në ditën e fundit ai pyet se kush di të thotë pjesët më të rëndësishme të lëndës. Vetëm unë ngre dorën. Ai pastaj duke dëgjuar përgjigjet e mia më tha, t’i vajzë mos jep provim fare, ke notën maksimale. Gjatë kësaj kohe punoja sërishmi në atë repart, atë Ndërmarrje. Pas biankerisë më çuan në eksport, pra në repartin, ku prodhoheshin konfeksione për eksport. Aty më çuan për dënim, pasi isha kryeneçe. Në këtë repart do prodhoheshin veshje të ndryshme vetëm për Gjermani. Madje, dhe specialistët që kontrollonin mallin ishin gjermane. Sapo kishin ardhur. Njëra prej tyre na dha letër me brima gjatë qepjes, që të mos kaloje nga brimat. Pra vetëm kur ecje në to cilësia quhej e mrekullueshme.

Kishte shumë kërkesa specialistja gjermane?

Shumë. Nuk falte gramin. Pra një vrimë po të shkelje ta quante mall skarco. Pra pas një muaj kualifikim filluam punën për prodhime eksporti për Gjermaninë. Ajo rrinte me orë ën dorë shikonte dhe sasinë dhe cilësinë. U habit nga puna ime. Prodhonim këmisha, xhupa, bluza, fustane.  Cilësia ishte elitare.

 Deri kur vazhdove në këtë punë?

Deri në fillimet e demokracisë. Kur ishte greva e studentëve pas pune shkoja dhe shihja çfarë bëhej. Një ditë në atë rrugë takova dhe Genc Rulin. Pikërisht në fund të vitit 1990 ky repart u mbyll dhe na kaluam në asistencë. Ato ditë u hap një firmë italiane me administrator një shqiptar që quhej Sajmir. Unë së bashku me 12 shoqet e mia shkuam atje, i cili na priti me shumë kënaqësi. Por pashë që paguheshim pak. Të gjithë iknin në emigracion. Mendova të shkoj në emigracion. Pikërisht në vitin 1994 u nisa me një taksi duke paguar, si paguheshin atëherë kur ishe pa vizë. Ika me atë aktorin që ka luajtur filmin “Beni ecën vetë”. Tashmë po mbush 20 vjet në Greqi.

Ku fillove punë në Greqi?

Fillova në një firmë rrobaqepësie që merrja 400 dhrahmi në orë. Njëkohësisht kërkoja punë tjetër, pasi shikoja që pronari më mbante të veçuar, pasi s’donte të më linte të ikja. Edhe pasdite qepja në shtëpi. Një ditë në një gazetë shikoja se kërkonin rrobaqepëse në një firmë shumë serioze. E sapo hapur, por me shumë kërkesa mode.  Pronar ishte Kastrelos Kristos që u bë më vonë i famshëm. Unë bëja kampionet, të cilat ai i përdorte për modele prerjesh. Këtu ndenja katër vjet, ku unë i mora dorën kampioneve. Ajo ishte puna më e vështirë. Kur arrin këtë thuajse ke arritur të bësh çdo gjë. Kjo firmë u bë firma më prestigjioze në Greqi për stilizimet, prerjet e rrobave. Pas katër vjetësh, ku unë tashmë kisha mësuar në perfeksion të fshehtat e profesionit, u largova dhe hapa dyqan me vete. Edhe sot vazhdoj të ushtroj profesionin e stilistes apo prerje të kampioneve për rroba firmato.

 Ju në një sfilatë të parë në Greqi keni marrë shumë emër, ku shtypi grek e quajti risi. Kur u bë kjo sfilatë mode, me veshje firmato?

Kjo sfilatë u zhvillua në Athinë  në vitin 2004. Midis shumë televizioneve greke ishte dhe televizioni shqiptar pra TVSH, e cila e dha dy ditë këtë sfilitë, që kritika greke e quajti risi. Buja ishte e madhe, fustane nga më të bukurat me një prerje që ndriçonte. Të gjitha femrat ishin zgjedhur nga femrat shqiptare studente në Athinë. Vajza të bukura, të zgjuara, plot finesë dhe inteligjencë. “Ajos Lefteros” quhet lagja që u zhvillua sfilita, ku si organizator ishte Andrea. Mund të them se asnjëherë në Greqi nuk është zhvilluar një sfilatë e tillë. Ishte eksperienca ime 30- vjeçare si rrobaqepëse duke punuar me profesionistë, gjermanë, italianë, grekë.

 Sfilata e dytë në Shqipëri, a tregoi një hap cilësor?

Kjo sfilatë u zhvillua në vitin 2011. Ishte nisma ime personale, ku mund të them se si numër veshjesh ishte më i madh se në Greqi. Por këtu nuk është formuar ende si traditë sfilata me veshje elitare. Zhvillohen shumë pak sfilata. Nuk them se këtu buja s’ishte, por jo aq interes sa në Greqi.

Keni bërë dhe një minisfilatë në pallatin Zapio në Athinë?

Kjo minisfilatë u zhvillua si rregulluese e rrobave, por dhe si indizanj. Për çudi kjo u mbajt  jashtë në ambient të hapur dhe interesimi i ishte jashtë parashikimeve. Aktualisht i gëzoj të dy certifikatat e profesioneve si indizanje, pra si stiliste dhe e dyta rregulluese, përmirësuese e rrobave të veshjeve në sfilata, për ato që kërkojnë ndryshime. Tashmë një atelie të dytë të punës po e hap në Shqipëri.