Presidentja dekoron Xhim Xhemën me “Urdhrin e Lirisë”

101
Sigal

Presidentja e Republikës se Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur delegacionin shqiptaro-amerikan, të kryesuar nga veprimtari i njohur i diasporës shqiptare të Amerikës, Xhim Xhema.

Presidentja ia ka dorëzuar atij medaljen “Urdhri i Lirisë, të dhënë me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Osmani ka theksuar se mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është urë e fortë lidhëse ndërmjet Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar në Ballkan me aleatin strategjik,  Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Ndërkaq,  veprimtari Xhim Xhema shprehu mirënjohjen e thellë për mikpritjen dhe respektin. Ai tha se liria dhe pavarësia e Kosovës ka qenë beteja jetësore e tij dhe e të gjithë shqiptaro-amerikanëve.

Xhema tha se dekorimi me medaljen “Urdhri i Lirisë”, është respekt dhe mirënjohje jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj veprimtarëve shqiptaro-amerikanë, të cilët për dekada kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës.