Në një klimë të tensionuar nga dhuna dhe prania gjithnjë e më kërcënuese e mafias ndërkombëtare përfshirë grupet shqiptare Daniel Noboa është shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale në Ekuador, me 55.8% të votave.
Presidentja e Këshillit Kombëtar Zgjedhor, Diana Atamaint, deklaroi se me mbi 90% të votave të numëruara, rezultati në favor të Noboas ishte i pakthyeshëm.
Por, për qytetarët ekuadorianë, zgjedhjet ishin më shumë një referendum për mbijetesën sesa një garë politike tradicionale. Dhuna e karteleve të drogës, ku grupet shqiptare kanë ndërtuar aleanca të fuqishme me kartelët meksikanë ka përshkallëzuar ndjeshëm situatën e brendshme. Trafikimi i kokainës nga Kolumbia dhe Peruja, vrasjet, kontrabanda e armëve dhe zhvatjet janë bërë pjesë e përditshmërisë në qytetet ekuadoriane.
Në janar 2024, Noboa shpalli një “konflikt të brendshëm të armatosur”, duke i dhënë vetes autorizime për të vendosur mijëra ushtarë në rrugë. Çdo lidhje me organizatat e krimit të organizuar, përfshirë edhe rrjetet shqiptare, është trajtuar si akt terrorizmi, një masë që, edhe pse e diskutueshme, tregon përmasat e frikshme që ka marrë situata.
Më shumë se 13 milionë qytetarë ishin të thirrur të votonin një detyrim për të gjithë të rriturit deri në moshën 65 vjeç, me një gjobë prej 46 dollarësh për mosvotuesit ndërkohë që frika e dhunës kriminale dhe dëshira për rikthimin e rendit ishin faktorët kryesorë që ndikuan votën.
Noboa, 37 vjeç, trashëgimtar i një pasurie miliardere, dhe kundërshtarja e tij Gonzalez, 47 vjeç, avokate dhe ish-ligjvënëse, kishin të dy një mesazh të përbashkët luftë pa kompromis ndaj krimit. Por, për presidentin e ri, sfida nuk do të jetë thjesht të forcojë zbatimin e ligjit, por të përballet me një krim të organizuar që tashmë është i rrënjosur thellë, i globalizuar dhe gjithnjë e më brutal ku mafia shqiptare ka një rol kryesor.