Përfaqësuesi i BE Zhbogar mbështet Prokurorin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit

445
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim pune përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar. Ai e uroi kryeprokurorin Lumezi, për dekretimin e tij në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit. Në këtë takim u diskutua për sfidat me të cilat ballafaqohet Prokuroi i Shtetit, për luftimin e korrupsionit, për luftimin e krimeve ekonomike dhe kriminalitetit në përgjithësi.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e njoftoi z. Zhbogar se sfidë kryesore e Prokurorit të Shtetit mbetet luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar dhe sigurimi i kushteve adekuate për funksionimin sa më të mirë të këtij sistemi. Gjithashtu, kryeprokurori Lumezi njoftoi se nga 1 qershori ka hyrë në fuqi edhe strategjia për reduktimin e lëndëve në prokurori, e cila do t’i ndihmojë jo vetëm prokuroritë në reduktimin e numrit të lëndëve, por edhe gjykatat, pasi që shumë lëndë do të mund të përfundojnë shpejtë me aplikimin e procedurave alternative, si me ndërmjetësim, me pezullim të procedurës ose me negocim të marrëveshjes së fajësisë.
Ndër të tjera në këtë takim u diskutua edhe për projektet lidhur me krimet ekonomike, reformën mbi arsimimin ligjor dhe projekte tjera të binjakëzimit për luftimin e krimit të organizuar, përmes së cilave BE-ja do t’i ofrojë mbështetje sistemit prokurorial në vend.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lartë bashkëpunimin që ekziston në mes Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke shprehur gatishmërinë për thellin të këtij bashkëpunimi, përmes projekteve për ndihmë sistemit prokurorial.
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar e përgëzoi kryeprokurorin Lumezi, për angazhimin dhe punën e tij për rritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial, si dhe e inkurajoi që të vazhdoj punën me këtë vullnet dhe angazhim të treguar, duke theksuar se hapat e parë të ndërmarrë nga kryeprokurori Lumezi janë mjaftë premtues.
Sigal