Disa këshilla për diabetikët në kohë pushimesh

520
Shëndet – Diabeti “foshnjor” prek kryesisht të rinjtë. Duket se nga ai vuan 3% e popullsisë së botës. Në ndryshim nga diabeti i tipit 2, ai është një sëmundje autoimune
Diabeti “foshnjor”, i njohur edhe me emrin diabeti insulinë-vartës ose i tipit 1, është një patologji që godet kryesisht të rinjtë. Sipas statistikave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ata të cilët vuajnë prej saj janë rreth 3% e popullsisë botërore. Në ndryshim nga diabeti i tipit 2, i përhapur dhe i lidhur me një stil jo të duhur jetese, ai “foshnjori” i përket kategorisë së sëmundjeve autoimune.Personat që vuajnë prej tij i nënshtrohen një shkatërrimi progresiv të sistemit imun dhe veçanërisht të qelizave të pankreasit që prodhojnë insulinën. Ja pse të sëmurët janë të detyruar që të marrin gjatë gjithë jetës këtë lloj hormoni, për të ulur nivelet e glukozës në gjak. Ja disa këshilla për të udhëtuar të sigurt gjatë pushimeve
1) Mos harroni të merrni me vete ilaçet që ju nevojiten për problemin shëndetësor që keni. Për sa i përket sasisë, merrni aq sa ju nevojiten gjatë periudhës së pushimeve, në mënyrë që të jeni të përgatitur përballë çdo të papriture.
2) Është e rëndësishme që të mos harroni glikogjenin dhe të merrni gjithmonë me vete glukozën me veprim të shpejtë, për të qenë gati në rast të ndonjë krize hipoglicemike, më e shpeshtë në sezonin e verës.
3) Mbajini ilaçet gjithmonë pranë vetes dhe shmangni ekspozimin e tyre në temperatura të larta; nëse për shembull, udhëtoni me avion, është mirë që insulinën ta mbani te çanta e dorës dhe jo te valixhja, e cila me siguri do të lihet stivë mes shumë të tjerave.
4) Kujdes të veçantë duhet të tregoni në rast se përdorni një pompë insuline dhe akoma më shumë nëse brenda saj ka insulinë: mos e mbani pas vetes, sepse në kontakt me trupin ajo mund të ngrohet akoma edhe më shumë nga temperaturat e verës. Për këtë arsye merrni në konsideratë ndërrimin e grupit të pompës së insulinës, më shpesh se zakonisht.
5) Informimi i përhershëm mbi strukturat mjekësore ose shëndetësore në lokalitetin ku do të bëni pushimet mund të jetë një strategji e mirë për të mos humbur kohë në rast nevoje. Ndër të tjera, është gjithmonë e këshillueshme të aktivizoni sigurimin shëndetësor, për të pasur maksimumin e qetësisë gjatë udhëtimit, në rast të të papriturave ose të emergjencave.
6) Nëse do të udhëtoni me avion dhe do të merrni me vete ilaçe për t’i pirë në formë të ngurtë apo të lëngshme, është e rëndësishme të njiheni me rregullat e kompanisë ajrore, me të cilën do të udhëtoni: për shembull te check-ini mund t’ju kërkohet një certifikatë mjekësore ose një vërtetim nga mjeku specialist. Nëse do të udhëtoni jashtë vendit e mira është që këto dokumente t’i keni në gjuhën angleze.
7) Mundohuni gjithmonë të respektoni rutinën e përditshme, si për shembull orarin e vakteve, edhe gjatë udhëtimeve të gjata. Për sa i përket përdorimit të pompës, mos harroni ta rregulloni me orarin e ri, duke ndjekur këshillat e dietologut tuaj.
8) Informoni personat me të cilët do të udhëtoni mbi modalitetet e përdorimit të ilaçeve tuaja, derisa të jenë informuar dhe përgatitur mirë në rast emergjence. E këshillueshme është që në vendin ku do të akomodoheni të kërkoni numrin e urgjencës ose të lini numrin e një të afërmi, miku apo mjekut që ju ka nën vëzhgim.
9) Qëndrimi ulur për një kohë të gjatë, gjatë udhëtimit, mund të provokojë një rritje të glicemisë. Për këtë arsye, është e dobishme të lëvizni sa më shumë të mundni, si me tren apo makinë (bëni ndalesa për të qëndruar në këmbë apo për të bërë disa hapa).
10) Mos harroni se gjëja më e rëndësishme është që të relaksoheni gjatë pushimeve dhe të mos lejoni që diabeti t’ju kushtëzojë. Mos kini frikë, çelësi i suksesit të udhëtimit qëndron kryesisht në përgatitjen e tij.
Sigal