Orë dramatike në Britani, BE pranon shtyrjen e Brexit, Johnson drejt zgjedhjeve të parakohshme

474
Sigal

Bashkimi Europian ka rënë dakord që të lejojë shtyrjen e Brexit deri në 31 Janar 2020. Kështu ka deklaruar Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.

Ai tha se unioni do të lejojë shtyrjen e Brexit, por Mbretëria e Bashkuar mund të dalë edhe përpara kësaj date, nëse një marrëveshje arrihet në parlamentin britanik.

Parlamenti britanik po përgatitet të votojë, për mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme në 12 dhjetor, pasi ende nuk është pranuar të votohet në unanimitet për një marrëveshje për daljen nga Bashkimi Europian.

BBC raporton se drafti i miratuar nga 27 ambasadorët e BE-së, përmban një zotim, se marrëveshja për largimin e Mbretërisë së Bashkuar, nuk mund të negociohet më në të ardhmen.

Mbretëria e Bashkuar duhet të dilte nga Bashkimi Europian zyrtarisht në datën 31 Tetor, por kryeministri Johnson u detyrua nga parlamenti të kërkojë sërish shtyrje të datës, në pamundësi të arritjes së një marrëveshje.

Orët në vazhdim do të jenë përcaktuese për fatin e Brexit dhe pritet të merret një vendim, lidhur me datën e re të propozuar nga BE, por edhe mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme.