Obama në fjalimin lamtumirës: Amerikanë, mbroni demokracinë

419
Sigal

Në fjalimin e tij të
lamtumirës Presidenti Barack Obama u ka bërë thirrje amerikanëve që të mbrojnë
demokracinë e tyre.

“Me pothuajse çdo masë të marrë, Amerika është një vend më i mirë, e më i
fortë” nga ajo që ishte tetë vjet më parë, kur ai mori detyrën, tha ai para
mbështetësve në Çikago.

Por Presidenti në largim paralajmëroi se “Demokracia është e kërcënuar sa
herë që merret si e mirëqenë”.

Ai iu lut amerikanëve t’i marrin gjerat në konsideratë nga çdo pikëpamje, duke
u shprehur “ne duhet të kushtojmë vëmendje dhe të dëgjojmë”.

Në fjalimin e tij, ai bëri një përmbledhje të shkurtër të arritjeve si
President dhe dha mesazhin se njerëzit duhet të angazhohen dhe të luftojnë për
Demokracinë çdo ditë dhe jo vetëm në zgjedhje.

Ai përshkroi tri kërcënime ndaj demokracisë amerikane – pabarazinë ekonomike,
ndarjet racore dhe tërheqjen e segmenteve të ndryshme të shoqërisë në
“flluska”, ku mendimet nuk janë të bazuara tek faktet.

Në mbyllje të fjalimit ai tha se kishte një kërkesë përfundimtare për
amerikanët si president: “Unë ju kërkoj që ju të besoni. Jo në aftësinë
time për të sjellë ndryshim – por në tuajat”.

Në 20 janar, pas inaugurimit, Donald Trump bëhet zyrtarisht Presidenti i 45-të
i Shteteve të Bashkuara.