Një jetë e re për librat e flakur në koshat e Ankarasë, punonjësit e pastrimit krijojnë një bibliotekë

156
Sigal

Një bibliotekë e veçantë me 50 mijë libra është hapur nga punonjësit e pastrimit të qytetit të Ankarasë.

E veçanta e saj është fakti se librat janë mbledhur në koshat e mbeturinave apo në rrugë nga punonjësit e pastrimit të qytetit.

Ajo u themelua në vitin 2017 kur punonjësit filluan të mblidhnin libra të braktisur ndërsa koleksioni i bibliotekës vazhdon të rritet nga dita në ditë, nga vetëm 500 libra në fillimet e saj.

Ibrahimi, një punonjës pastrimi në Ankara tregoi se bibliotekën e shfrytëzojnë dhe ata vetë gjatë kohës së pushimit ndërsa theksoi se vazhdimisht mbledhin libra të hedhur për t’i shtuar në rafte.

Biblioteka ka nisur të presë edhe më shumë vizitorë falë mbulimit të gjerë mediatik. Për ata që nuk kanë mundësi të vijnë fizikisht në bibliotekë, ndërtuesit e saj shndërruan një kamion plehrash në një bibliotekë të lëvizshme shumëngjyrëshe.

Biblioteka ka larmi të gjerë librash, historie, për fëmijë, në gjuhë të huaj, romane dhe enciklopedi.

Ajo që filloi si një akt i vogël bamirësie nga punëtorët ka shërbyer për një komunitet të tërë.

Gjithashtu, ata u kanë dërguar libra 22 shkollave për t’i ndihmuar të ndërtojnë biblioteka dhe kanë dhuruar libra për dy baza ushtarake dhe katër burgje.

Dhurimet e librave tani nuk vijnë më vetëm nga plehrat, por nga vetë qytetarët të cilët zgjedhin të mos i flakin por t’i bëjnë pjesë të bibliotekës.