Kryeministri spanjoll refuzon bisedimet me udhëheqësit katalonas pas zgjedhjeve

627
Udhëheqësit katalanas bënë sërish thirrje për shkëputjen e këtij rajoni nga Spanja, pasi zgjedhjet rajonale të së enjtes i dhanë një shumicë të ngushtë partive pro pavarësisë. Zgjedhjet u organizuan pasi Madridi shkarkoi qeverinë e Katalonias pas një referendumi të debatueshëm që u mbajt në muajin tetor. Siç njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Henry Ridgwell, rezultati i votimit të ditës së enjte nuk tregon se si do t’i jepet fund ngërçit politik.
Rezultati i votimeve ishte një dhuratë Krishtlindjesh për katalonasit pro pavarësisë. Por, pas euforisë së fillimit, njerëzit po kuptojnë se shumë pak gjëra kanë ndryshuar.
“Katalonia po jeton në një ngërç pa fund. Megjithëse pati rritje të konsiderueshme të pjesëmarrjes në zgjedhje, rezultati është i njëjti si në vitin 2015. Si atëherë, edhe tani, zgjidhja duhet të jepet nëpërmjet një referendumi të ligjshëm”, thotë analisti politik Xavier Barrena.
Ish-presidenti i rajonit Katalonia, tashmë azilant në Belgjikë, bëri thirrje për bisedime jashtë territorit të Spanjës, me Kryeministrin Mariano Rajoy.
“Katalonia dëshiron të jetë shtet i pavarur. Është vullneti i popullit katalonas”, deklaroi zoti Puidgemont, i cili mund të arrestohet nëse kthehet në Spanjë.
Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy tha se rezultati i votimeve nuk ndryshon akuzat e ngritura.
“Shpresoj të krijohet një qeverisje që nuk do të marrë vendime unilaterale dhe që nuk do ta vërë veten mbi ligjin”, tha Kryeministri Rajoy.
Kryeministri Rajoy tha se fillimisht do të kontaktojë udhëheqësin e partisë pro bashkimit, e cila fitoi shumicën e votave, por jo mjaftueshëm për të krijuar një qeveri lokale. Duket se më shumë gjasa do të ketë krijimi i një koalicioni qeverisës mes tre partive pro pavarësisë.
“Një shpallje unilaterale e pavarësisë do të merrte një përgjigje të dhunshme nga shteti. Mendoj se do ta shmangin këtë veprim”, thotë zoti Barrena.
Shumë votues nuk besojnë se Katalonia dhe Spanja mund të arrijnë një kompromis.
“Rezultati është i keq. Nuk mendoj se mund të bien dakort për të zgjidhur ndonjë gjë”, thotë Lucia, banore e Barcelonës.
“Duhet të kërkojmë kushte më të mira për Katalonian, dhe jo pavarësinë, e cila është e vështirë të arrihet”, thotë Antonio Martin.
Po shtohet ndërkohë frika rreth pasigurisë së ekonomisë së Katalonias.
Barcelona u vizitua nga mbi 34 milionë njerëz vitin e kaluar. Por, udhëheqës të biznesit kanë frikë se referendumi për pavarësi ka dëmtuar tashmë imazhin e qytetit.
Tensionet shtohen ndërsa ekipi i futbollit të Barcelonës përballet me Real Madridin, në një rivalitet edhe më të fortë se në politikë.
Stina e Krishtlindjes ofron një pushim disa ditor, përpara se beteja politike të ndizet sërish.
Sigal