Deputeti i VV: Një polic më kafshoi në krah kur tentova të mbroj Albin Kurtin

522
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi në një intervistë për Telegrafin, ka folur rreth ngjarjeve të sotme që ndodhën para Kuvendit të Kosovës, ku u arrestuan tre deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu.
Ai ka theksuar se në Kosovë nuk ka gjykata të pavarura. “Po flasim për të njëjtin gjykatës i cili ka dhënë dënim skandaloz ndaj 4 aktivistëve të VV-së. Synimi i tyre është tensionimi i situatës, dhe krejt ajo çfarë ne bëmë është përpjekja për të parandaluar një gjë të tillë”, ka thënë Çaushi.
Caushi shtoi se kur aktivistët e tyre dënohen me 21 vite burg pa asnjë provë, gjithçka tani është e pritshme, duke shtuar se kjo është luftë e hapur e të gjithëve ndaj Vetëvendosjes.
“Ajo çfarë nuk prita sot ishte dhuna nga policët, pamjet e tregojnë këtë shumë mirë. Ne me një rezistencë pasive tentuam ta ndalojmë arrestimin e Albin Kurtit”, u shpreh Çaushi.
Duke folur rreth ngjarjeve të sotme, Çaushi shtoi se policia ka ushtruar dhunë duke i kapur për fyti, duke hedhur spraj e madje duke i kafshuar.
“Një polic më ka kafshuar në krah në momentin kur kam tentuar ta mbroj Kurtin”, tha Çaushi, duke shtuar se një pjesë prej deputetëve të tyre janë dhunuar nga ndërhyrja e policisë.
Sigal