Një grua në krye të Bundestagut, ja kush do të jetë kryeparlamentarja e Gjermanisë

214
Sigal

Sipas televizionit ARD, kreu i grupit parlamentar socialdemokrat Mützenich do t’i rekomandojë ekzekutivit të partisë që të propozojë deputeten e SPD-së Bärbel Bas si Presidente të Bundestagut.

Në debatin për pasardhësin e Wolfgang Schäuble-s (CDU) në postin e presidentit të Bundestagut, kreu aktual i grupit parlamentar socialdemokrat (SPD), Rolf Mützenich, dëshiron të rekomandojë deputeten e SPD-së Bärbel Bas tek ekzekutivi i grupit të tij parlamentar këtë mbrëmje, sipas informacioneve nga studioja e ARD në kryeqytet. E ngarkuara e mëparshme e Qeverisë Federale për Integrimin, Aydan Özoguz, do të bëhet zëvendëspresidente e Bundestagut.

Presidenti i Bundestagut është një nga postet më të larta në shtetin gjerman, pas Presidentit Federal dhe para Kancelarit. Presidenti zgjidhet nga Bundestagu dhe detyra më e rëndësishme është të kryesojë seancat plenare. Posti zakonisht mbahet nga grupi më i madh parlamentar, d.m.th. nga ai i SPD pas zgjedhjeve të Bundestagut.

Debate për postin

Në fillim, dukej se këtë post do ta merrte vetë Mützenich-u. Tani duket se ka pasur një ndryshim mendimi brenda partisë. Ndoshta, kundërshtimet gjithashtu luajtën një rol. Po të ishte bërë Mützenich-u president i parlamentit, tre postet më të larta shtetërore do të ziheshin në të ardhmen nga politikanë të vjetër të SPD-përveç Mützenich-ut, me Frank-Walter-Steinmeier-in si President Federal dhe Olaf Scholz-in si Kancelar Federal.

Femrat në SPD kohët e fundit i kishin bërë presion grupit të tyre parlamentar që postin e Presidentes ta marrë me çdo kusht një grua. Po të mos kishte emëruar SPD një presidente femër të Bundestagut, mandati i dytë i dëshiruar nga Presidentit Federal Steinmeier do të ishte në rrezik, sepse atëherë duhet të bëhej një grua Presidente Federale, u argumentua.

Në Bundestag që nga viti 2009

Bas ka qenë deputete e Bundestagut për SPD që nga viti 2009. 53-vjeçarja përfaqëson qytetin e saj të lindjes, Duisburg. Që nga viti 2019, Bas ka qenë një nga shtatë nënkryetaret e grupit parlamentar të SPD. Menaxherja e burimeve njerëzore është anëtare e së majtës parlamentare në grupin parlamentar. Fokusi i saj kryesor janë shëndetësia, pensionet, politika sociale dhe tregu i punës. Në faqen e internetit të grupit parlamentar, Bas përmend objektivat më të rëndësishme të punës së saj politike si p.sh. mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët, sigurimin e shtetit të mirëqenies përmes një sigurimi të qytetarëve të bazuar në solidaritet dhe pensione të sigurta.

Zëvendëspresidentja e mundshme e ardhshme e Bundestagut Özoguz ka qenë gjithashtu deputete e Bundestagut që nga viti 2009. Nga viti 2013 deri në vitin 2018, deputetja nga Hamburgu ishte E Ngarkuar e Qeverisë Federale për Migrimin, Refugjatët dhe Integrimin.

Deri tani, presidente të Bundestagut kanë qenë dy gra: socialdemokratja Annemarie Renger (1972-1976) dhe politikania e CDU-së, Rita Süssmuth (1988-1998).