Ngjarje e rëndë në Itali, 57-vjeçari vret tri gra dhe plagos katër persona

92
Sigal

Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në mëngjes në një lokal në qytetin e Romës në Itali. Një person u fut brenda lokalit, ku po zhvillohej një takim nga një organizatë, dhe qëlloi me pistoletë mbi qytetarët e pranishëm.

Si pasojë e të shtënave mbetën të vrara tri gra, ndërsa u plagosën katër të tjerë. Sipas dëshmitarëve, autori 57-vjeçar, Claudio Campiti, hyri në lokal dhe qëlloi me pistoletë në drejtim të pranishmëve.

Sipas mediave italiane, Campiti dyshohet se e mori armën nga një poligon qitjeje dhe iu drejtua lokalit.

Pasi hyri në lokal, qëlloi menjëherë në drejtim të bordit të organizatës që drejtonin takimin. Disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë pas ngjarjes, policia bëri të mundur arrestimin e 57-vjeçarit. Deri më tani, mediat italiane nuk kanë zbuluar arsyet e ngjarjes së rëndë.

Ndërkohë një grua e moshuar e cila ishte dëshmitare në vendngjarje, ka përshkruar momentet e tmerrit duke cituar edhe disa nga fjalët e agresorit gjatë momentit të sulmit.

“Ai hyri duke thënë se do t’ju vras ​​të gjithëve, e kishim raportuar tashmë”, u shpreh ajo.

Ndërkohë një tjetër dëshmitar u shpreh se u përpoq ta ndalonte agresorin, por tha se në ato momente pa vrasjen prej tij të një gruaje.

“U përpoqa ta ndaloja, një grua e vdekur ishte pranë meje”, u shpreh ai.

“Ishte anëtar i konsorciumit të njohur për të gjithë dhe në të kaluarën kishte kërcënuar verbalisht”, thotë një tjetër dëshmitar.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.