Koronavirusi, ky është shteti ku mund të përfundosh në burg nëse rri afër me persona të tjerë

341
Sigal

Njerëzit në Singapor mund të përfundojnë në burg për gjashtë muaj nëse qëndrojnë afër me persona të tjerë.

Rregullat e reja strikte vinë në kuadër të përpjekjeve të vendit për të mbajtur nën kontroll epideminë e shkaktuar nga koronavirusi.

Singapori ka njoftuar një seri masash të reja shtrënguese për të luftuar virusin, përfshirë këtu mbylljen e bareve dhe kinemave si dhe pezullimin e eventeve që kërkojnë pjesëmarrje të madhe njerëzish.

Kështu, në kuadër të distancimit social, tashmë mund të përfundosh në burg nëse qëndron më pak se një metër afër me persona të tjerë.

Njerëzit e kanë të ndaluar që të qëndrojnë qëllimisht shumë afër dikujt tjetër në radhë, ose të ulen në një vend më pak se një metër nga një individ tjetër në një vend publik, sipas rregullave.

Ata që gjenden fajtorë për thyerjen e rregullave përballen me burg deri në gjashtë muaj dhe me gjobë maksimale prej 7,000 dollarësh.

Sipas të dhënave në “worldmeters”, numri i personave të infektuar me koronavirus në Singapor është 683, ndërsa deri më tani kanë humbur jetën dy persona.