Nëndetësja e zhdukur kishte marrë paralajmërime për probleme të mundshme të sigurisë, por…

86
Sigal

Një ish-punonjës i “OceanGate” – kompania që operon me nëndetësen e zhdukur Titan – paralajmëroi për probleme të mundshme të sigurisë me anijen që në vitin 2018.

Dokumentet e gjykatës amerikane tregojnë se David Lochridge, Drejtori i Operacioneve Detare të kompanisë, kishte ngritur shqetësime në një raport inspektimi. Sipas dokumenteve, raporti identifikoi “çështje të shumta që përbënin shqetësime serioze për sigurinë”, duke përfshirë mënyrën se si ishte testuar trupi i anijes.

Lochridge “theksoi rrezikun e mundshëm për pasagjerët e Titanit pasi nëndetësja arriti në thellësi ekstreme”. Ai tha se paralajmërimet e tij u injoruan dhe thirri një takim me shefat e “OceanGate”, por u pushua nga puna, sipas dokumenteve. Kompania e paditi atë për zbulimin e informacionit konfidencial dhe ai e kundërshtoi për shkarkim të padrejtë nga puna. Padia u zgjidh më vonë, por nuk janë të qarta detajet e zgjidhjes.

Më vete, një letër dërguar “OceanGate” nga Shoqëria e Teknologjisë Detare (MTS) në mars 2018 dhe e siguruar nga New York Times, thoshte se “qasja aktuale eksperimentale e miratuar nga OceanGate… mund të çojë në rezultate negative (nga të vogla, në katastrofike)”.

Një zëdhënës i “OceanGate” nuk pranoi të komentojë mbi çështjet e sigurisë të ngritura nga Lochridge dhe MTS.

Nëndetësja Titan, e përshkruar si “eksperimentale” nga kompania, u ndërtua nga një material i pazakontë për një anije në det të thellë. Trupi i saj – që rrethon pjesën e zbrazët ku ulen pasagjerët – ishte bërë nga fibra karboni, me pllaka titani dhe një dritare të vogël në njërin skaj.