Mustafa: Asociacioni i komunave më shumicë serbe nuk do jetë pushtet i tretë

451
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa siguron se Asociacioni i komunave më shumicë serbe nuk do jetë pushtet i tretë dhe nuk ka asnjë arsye për frikë nga marrëveshja në Bruksel, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd për normalizimin e marrëdhënieve. “Unë nuk shoh asnjë arsye që të frikësohemi nga marrëveshja për Asociacionin. Unë ju garantoj se asnjë element i kësaj marrëveshje nuk i jep fuqi ekzekutive Asociacionit, nuk e bën pushtet të tretë edhe nuk krijon asimetri në realizimin e pushtetit”, theksoi ai në një konferencë shtypi të mbajtur sot pasdite, duke iu përgjigjur interesimeve të gazetarëve. Kreu i qeverisë kosovare, Mustafa tha se në çdo marrëveshje do të zbatohen ligjet e Kosovës në çdo pikë dhe kjo do bëhet edhe me mendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pas vizitës në Nju Jork u kthye në Prishtinë dhe mbajti konferencë shtypi në ambientet e qeverisë. I ftuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, kryeministri i Kosovës, Mustafa mori pjesë në Samitin Global të Liderëve Kundër ISIS-it dhe Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
“E veçanta e kësaj vizite ka qenë pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në Samitin Global të Liderëve në Luftën Kundër ISIS-it dhe kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, me ftesën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. Në këtë samit, i cili ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimet ndërkombëtare, Republika e Kosovës është trajtuar me kapacitet të plotë shtetëror, si të gjitha vendet e tjera të botës. Ne kemi qenë pjesë e barabartë e këtij Samiti, i cili është mbajtur në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ndaj i jemi mirënjohës SHBA-së dhe presidentit Obama për përkrahjen ndaj Republikës së Kosovës dhe mund të them se pjesëmarrja e Kosovës në këtë Samit, ka dëshmuar faktin se Republika e Kosovës po bëhet faktor i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare”, theksoi kryeministri Mustafa. 

Sa i përket takimeve me zyrtarë të lartë të Administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mustafa veçoi takimin me zv/sekretarin amerikan të Shtetit, Antony J. Blinken. “Kemi marrë përkrahje të plotë për themelimin e Gjykatës Speciale, për procesin e dialogut dhe katër marrëveshjet e arritura në Bruksel, si dhe për nënshkrimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi”, theksoi kreu i qeverisë kosovare. “Kemi marrë po ashtu përkrahjen e plotë të SHBA-së, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, angazhimit dhe anëtarësimit të saj në Interpol dhe nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim. Po ashtu kemi marrë përkrahje edhe në proceset e tjera integruese në strukturat euroatlantike, që kanë të bëjë edhe me transformimin e Forcës së Sigurisë në Forcat e Armatosura të Kosovës, por gjithherë duke i respektuar procedurat dhe duke marrë një vendim të tillë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, shtoi Mustafa.
“Zyrtarët e SHBA-së e kanë përgëzuar Republikën e Kosovës për hapat që ka marrë në luftën kundër radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, duke e konsideruar Kosovën si shembull të veçantë edhe sa i përket Strategjisë që ne kemi aprovuar kundër terrorizmit, dhe po ashtu Ligjit që Kuvendi i Republikës së Kosovës ka aprovuar me të cilin është ndaluar bashkimi i qytetarëve tanë në konfliktet e jashtme”, tha kreyministri kosovar. “Gjatë këtyre 5 ditëve kemi zhvilluar dhjetëra takime dhe aktivitete të nivelit të lartë, të cilat besoj se kanë dhënë fryte të rëndësishme për Kosovën, veçanërisht në raport me rolin e saj në bashkësinë ndërkombëtare”, vlerësoi Mustafa. Ai njoftoi edhe mbi takimet e tjera me përfaqësues shtetesh e organizatash nga bota. “Gjatë këtyre takimeve ne kemi lobuar për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe fuqizimin e marrëdhënieve me këto shtete, gjithmonë duke pasur parasysh edhe nevojën që ne të kemi marrëdhënie ekonomike me të gjitha vendet, të tërheqim investime të huaja, dhe që perspektiva e Kosovës të jetë perspektivë e përbashkët në rajon edhe në Evropë, dhe perspektivë botërore”, u shpreh Mustafa.
Sigal