Menaxhimi i integruar i kufirit Kosovë-Serbi, sot nis zbatimi

714
Sigal

Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë-Serbi, e arritur në fillimin e dhjetorit të para një viti, sipas paralajmërimeve të qeverisë kosovare, do të fillojë të zbatohet sot në orën tetë të mëngjesit, në Jarinjë dhe në Merdar, ndërsa në dy pikat e tjera kufitare, në Bërnjak dhe te Dheu i Bardhë, do të fillojë deri në 31 dhjetor 2012. Marrëveshja nis të materializohet pas takimit të tretë, të 4 dhjetorit, në Bruksel, të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçic, në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Pas kthimit nga Brukseli, kryeministri Thaçi në një mbledhje të posaçme të qeverisë, bëri të ditur se “edhe në takimin e tretë, çështja e parë e diskutuar ishte zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit”, ndërsa theksoi se “kjo çështje e përkufizon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”. Ai u ka bërë ftesë të gjithë kosovarëve, në veçanti atyre të komunitetit serb, që të kuptojnë drejt procesin, duke u shprehur se kjo marrëveshje është në interesin e të gjithë qytetarëve, në interesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Zv/kryeministri Hajredin Kuçi, të premten, pas mbledhjes së qeverisë deklaroi se “pikat e kufirit dhe çështjet që kanë të bëjnë me menaxhimin e integruar të kufijve janë pika fillestare e vënies së asaj që quhet kufiri në mes të dy shteteve, por mbi të gjitha të perceptimit se atje ka kufi”. Burimet në Prishtinë dhe në Beograd kanë bërë të ditur se pikat e përbashkëta doganore në Merdar dhe Bërnjak ndërtohen nga pala kosovare, ndërsa pikat në Dheun e Bardhë dhe Jarinjë nga pala serbe. Në Jarinë, punimet për infrastrukturën e vendkalimeve, të ndërprera nga protestat e grupeve të serbëve, kanë rifilluar dje herët në mëngjes dhe po vazhdojnë edhe sot intensivisht përkundër dëborës dhe të ftohtit.