Mediat në Kosovë: Kurti i jep tender serbit që sfidon shtetin e Kosovës në veri

164
Sigal

Kompania e Milan Radojiçiç, njohur si “bosi serb i veriut të Kosovës”, i akuzuar për vrasjen e Oliver Ivanoviç dhe i denoncuar nga Albin Kurti në opozitë se po fitonte tendera nga Qeveria e Kosovës, ka fituar një tender edhe tani kur Albin Kurti ka në dorë vetë qeverinë.

Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Liburn Aliu i ka dhënë një tender prej gati 600 mijë euro një bashkimi operatorësh ekonomikë, ku bën pjesë edhe kompania Rad. D.O.O. Mediat në Kosovë thonë se kompania në qendrën e biznesit rezulton e regjistruar në emër tjetër, por realisht dihet se është pronë e MilanRadojiçiçit.

Sipas mediave, kjo kompani këtë të mërkurë mori tender për Mirëmbajtjen Verore dhe Dimërore 2021-2022 të Rrugëve Nacionale dhe Rajonale nga Ministria e Infrastrukturës. Gazeta Infokus ka raportuar edhe muaj më parë se janë dy kompani nga Zveçani, që zakonisht marrin miliona euro nga buxheti i shtetit të Kosovës përmes tenderave publikë.

Mediat kanë gjetur se “P.T.P RAD” dhe “RAD D.O.O” që kanë të njëjtin pronar, në tri vitet e fundit kanë marrë thuajse të gjithë tenderët për kryerjen e punimeve në komunat e Kosovës me shumicë serbe. Radule Steviç është personi që figuron si pronari i këtyre dy bizneseve, sipas të dhënave zyrtare të prezantuara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

“PTP RAD” është e regjistruar në vitin 2013, kurse “RAD D.O.O” në vitin 2018. Këta dy operatorë kanë deklaruar se kryejnë 32 veprimtari ekonomike. Nga ndërtimi i objekteve banesore, rritja e derrave, kultivimi i hardhive e deri tek ueb portalet, janë punët që bëjnë këto biznese.

Por ndonëse numri i punëve që bëjnë është mjaft i madh, këto dy biznese figurojnë vetëm më nga një të punësuar.

Por kush është Milan Radojiçiç?

Milan Radojiçiç është i afërm i Zvonko Veselinoviç, të njohur si ‘babai i urës së Ibrit’. Për Veselinoviçin është raportuar shumë, madje është thënë se ndikimi i tij politik në veri, por edhe në Serbi është aq i madh, sa ai kishte vendosur për heqjen ose jo të barrikadës mbi urën e Ibrit.

Me ikjen dhe angazhimin e tij në Beograd, Zvonko i la pushtetin në veri Milan Radojiçiçit, që nga disa serbë po quhet si ‘Zoti i Veriut’, krejt kjo pasi në tri komunat me shumicë serbe në veri nuk mund të merret asnjë vendim i pambështetur nga Radojiçiç.

Për Radojiçiçin u tha shumë, por vlen të sqarohet se pushteti i tij shtrihet në veri me kontrollin që ushtron ai si nënkryetar i Listës Serbe. Milan Radojiçiç dhe disa të afërm të tij, janë parë në fushatën e Listës Serbe në Leposaviç.

Radojiçiç nisi operacionet e tij që në zgjedhjet për President të Serbisë, ku grupi i tij bleu votat e romëve të Mitrovicës për Aleksandër Vuçiçin. Më pas, ai merrte pjesë në çdo aktivitet të Listës Serbe.

Rrahja e disa policëve kosovarë në veri që kishin shkuar për të sekuestruar disa materiale që po regjistronin popullsinë serbe në një ngjarje të disa kohëve më parë e dha po Radojiçiç. Kjo pasi, siç raportoi, kishte qenë vetë ai që kishte organizuar sulmin ndaj tyre.

Raportimet për djegien e shumë veturave në veri, përfshi këtu edhe veturën e tashmë të ndjerit Oliver Ivanoviç, dyshohet se e bënte vetëm një grup. Ishte ai i Milanit, i cili me këto akte synonte të frikësonte çdokënd që nuk i përshtatej atij, shkruan Gazeta Infokus.

Frika që mbillte Radojiçiç nuk lidhej vetëm me djegie veturash. Ai dyshohet se hidhte edhe granata nëse ishte e nevojshme. Emri i Radojiçiç lidhet edhe me sulmin me granata ndaj shtëpive të dy serbëve vetëm e vetëm pse ishin bërë pjesë e FSK-së.

Radojiçiç ishte përfshirë edhe në një sulm ndaj ish-koordinatorit serb për dialog, Borko Stefanoviçc, në një kafene në veri, e ku kishte marrë pjesë edhe Edita Tahiri. Në këtë rast nuk kishin ndërhyrë Policia e Kosovës, edhe pse ishin vënë në rrezik jetët e disa personave. Mosndërhyrja e Policisë ishte bërë pikërisht për shkak të kontrollit që ka Milani mbi ta.

Ndërkaq, pushtetin e Radojiçiçit e konfirmoi edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili u takua me të. Për këtë, Haradinaj ishte arsyetuar se ai takohet me përfaqësues që i zgjedhin vetë serbët dhe nuk mund t’i zgjedhë ai.

Sidoqoftë, Radojiçiçin po e kërkojnë për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit, pasi në një përgjim të disa politikanëve serbë ai përmendet si urdhërdhënësi dhe shteti serb si organizator.